Nis sot gjyqi në themel për dosjen 'Meta'! Ish-presidenti kërkon që seanca të transmetohet live!
Dritare.net

Këtë të hënë nis gjyqi në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta në Gjykatën e Posaçme. Kreu i Partisë së Lirisë i ka kërkuar GJKKO-së që seancat gjyqësore ndaj tij, të transmetohen live për mediat.
“Në respekt të qytetarëve të cilëve u kam shërbyer me përkushtim dhe ndjenjë të thellë patriotizmi në detyrat më të larta shtetërore (President, Kryetar i Kuvendit dhe Kryeministër), i drejtohem GJKKO me kërkesën publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë të të gjithë këtij procesi, nga seanca e parë, dhe deri në fund”, shkruan Meta në një postim në rrjetet sociale.
Presidenti i partisë së Lirisë, thotë se mediave duhet t’u garantohet sinjali i transmetimit live, duke theksuar se “Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim prej tetorit të vitit 2024, dhe SPAK e ka marrë të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me aferën Cez-Dia dhe lobimin e LSI-së në SHBA. E pandehur është edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka masë detyrim paraqitje./dritare.net