
Ka përfunduar numërimi në qarkun e Gjirokastrës. Rezultatet konfirmojnë një fitore të thellë të Partisë Socialiste, që jo vetëm ka ruajtur tre mandatet, por ka shtuar ndjeshëm avantazhin në përqindje krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Partia Socialiste ka marrë 24,457 vota ose 62.23%, duke fituar 3 mandate. PS shënon një rritje të ndjeshme prej 8.3% nga viti 2021, kur rezultati i saj ishte 53.9%.
Koalicioni Partia Demokratike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka marrë 11,596 vota ose 29.51%, duke ruajtur vetëm 1 mandat. Por krahasuar me vitin 2021, PD-ASHM ka humbur 14.2% të mbështetjes (nga 43.6% në 2021). Pritet të numërohet edhe vota e diasporës.
Drejtuesja politike e PS për qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, falënderoi gjirokastritët për mbështetjen. Pas një fushate intensive cep më cep qarkut, me një ekip të përzgjedhur gjirokastrit ku njëri prej tyre, zoti Tërmet Peçi është deri më tani i dyti më i votuari në Shqipëri mes kandidatëve, zonja Kumbaro mori kështu shpërblimin për punën e palodhur por jo vetëm gjatë fushatës.
“Gjirokastra zgjedh me zemër dhe mençuri Partinë Socialiste.
FALEMINDERIT qytetarëve të Gjirokastrës për besimin, pjesëmarrjen dhe mbështetjen e palëkundur.
Mirënjohje për çdo lagje, çdo familje dhe çdo votë që na e shton forcën të ecim përpara
Nga Palortoja në Cfakë, nga Zinxhiria në Dunavat e deri në lagjen Punëtore – nga Picari në Lunxhëri, nga fshatrat e Cepos në Odrie e Antigone dhe Lazarat, bashkë për Gjirokastrën që duam, të zhvilluar, mikpritëse dhe europiane”, shkruan zonja Kumbaro./L.F-dritare.net

















