Mirela Kanini, sipërmarrësja që drejton degën e Vatrës në Çikago!
Dritare.net

Mirela Kanini sipërmarrësja shqiptare e suksesshme, prej gati dy vjetësh drejton degën e Federatës Panshqiptare të Amerikës, Vatra, në Çikago. Zonja Kanini e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv tregon për kohën kur mori drejtimin e degës së Vatrës, aktivitetet kulturore që organizojnë, bashkëpunimin mes shqiptarëve dhe kontributin e komunitetit për të ndihmuar njëri-tjetrin.
“Shqiptarët kanë tendencë të mos jetojnë bashkë dhe këtë e vura re kur shkova në fillim te Vatra. Gjithmonë shkonim në vende, nëpër festa ku mblidheshin shqiptarë që të dëgjonim shqip, të flisnim me njëri-tjetrin. Kështu filluam të organizoheshim për festa. Kjo ishte mënyra si u njohëm dhe u afruam me njëri-tjetrin. Qëllimi kryesor i Vatrës është që ne të jemi të gjithë bashkë, jo vetëm për të kërcyer, por edhe në aktivitetet kulturore dhe si mund ta ndihmojmë komunitetin. Komuniteti nuk më njihte në fillim. Duhet t’i jepje që të të jepte komuniteti mbrapsht. Ata e bëjnë përmes votimeve. Ishte përfshirja ime në komunitet që u dha atyre besimin që të isha drejtuese. Dhe pse jemi të rinj kemi ecur shumë mirë. Komuniteti i ka përkrahur shumë këto iniciativat tona. Kontributet e emigrantëve janë një forcë shumë e madhe dhe është fat i madh që shqiptarët e duan vendin e tyre, familjen, janë patriotë. Më duket sikur janë e vetmja ndihmë sociale, një lloj sistemi social që është krijuar pikërisht nga emigrantët që mban familjet që nuk kanë mundësi. Kontributi i tyre është i madh dhe jo të gjitha komunitet janë kështu. Ne bëjmë shumë për njëri-tjetrin.”, tha zonja Kanini ndër të tjera./K.C/dritare.net



