Në Çikago dy shkolla mësojnë shqip. Aktivistja: Kemi nevojë për libra!
Dritare.net

Çdo të diel, në Çikago fëmijët shqiptarë mësojnë shqip, në dy shkollat shqipe që janë hapur, njëra në kishë dhe tjetra në xhami. Mirela Kanini, drejtuesja e shoqatës Vatra tha për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Shqip në DritareTv se, këto shkolla kanë nevojë për libra shqip pasi nxënësit mësojnë me fotokopje. Ndaj sipërmarrësja dhe shkrimtarja bën thirrje që të dërgohen sa më shumë libra shqip për nxënësit në Amerikë.
“Qëllimi kryesor i Vatrës është që ne të jemi të gjithë bashkë, jo vetëm për të kërcyer, por edhe në aktivitetet kulturore dhe si mund ta ndihmojmë komunitetin. Një nga ndihmat e fundit që kemi bërë dhe nuk e kemi realizuar plotësisht, është hapja e dy shkollave shqipe në Çikago. Kemi çuar libra shqip në këto shkolla të mirëfillta që bëhen shtesë shkollës amerikane. Bëhen çdo të diel, një te kisha dhe një te xhamia. Prindërit janë shumë të interesuar që fëmijët të mësojnë shqip. Herën e fundit që shpërndamë libra në një kishë erdhi një prind amerikan dhe na falënderoi për punën që bëjmë. “Unë,” tha ai jam gjenerata e dytë, nuk di shqip, por kam sjellë djalin këtu që pastaj ai të ma mësojë mua. Është gjuha e të parëve të mi.” Ne kemi nevojë për libra në shkolla. Janë shumë fëmijë që duan të mësojnë shqip, një klasë me 40-60 nxënës dhe secili duhet të ketë librin e tij. Duhet bashkëpunuar më shumë me Shqipërinë që ka libra pafund.”, tha zonja Kanini ndër të tjera në DritareTv./K.C/dritare.net

