Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, KE: Kuvendi të adresojë pa vonesë kërkesën për heqjen e imunitetit

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, KE: Kuvendi të adresojë pa

Në një kohë kur kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se për mazhorancën nuk ka arsye të procedohet me kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, Komisioni Evropiane në një përgjigje ekskluzive për Report Tv i kërkon kuvendit të adresojë pa vonesë heqjen e imunitetit të zv.Kryeministres, çështje që qëndron në sirtarët e parlamentit që prej datës 16 dhjetor.


“Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të KE për Report Tv.
Pyetjes së Report Tv nëse përplasjet institucionale kanë ajo jo kosto për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, KE kujton raportin e fundit të Brukselit.

“Në raportin e saj për Shqipërinë për vitin 2025, Komisioni vuri në dukje se, ndonëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet e shtuara nga zyrtarë publikë ose politikanë për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor mbetën një çështje shqetësuese serioze”, thuhet në përgjigje.


Për Brukselin reforma në drejtësi mbetet pika kyçe për ecurinë e Shqipërisë në Integrimin Europian.

Në fund, Komisioni Evropian kujdeset të sqarojë se është në dialog të rregullt me autoritetet shqiptare dhe se në fillim të muajit mars do të mblidhet Komiteti BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë ku do të adresohen ndër të tjera shqetësimet për reformën në drejtësi./shqiptarja.com