
Mbyllet afati për aplikimet në krye të BKH: Në garë dhe Gledis Nano, jashtë Aida Hajnaj
Dritare.net
Sot, më 6 qershor 2025, në orën 16:00, përfundon afati për dorëzimin e aplikimeve për postin e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), për një mandat të ri 5-vjeçar. Deri tani, janë paraqitur katër kandidatura për këtë pozicion, përfshirë ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i cili ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm gjatë ditës së enjte.
Procesi i përzgjedhjes do të zhvillohet nga Komisioni i Përzgjedhjes pranë SPAK, i përbërë nga kryeprokurori Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra. Ky proces përfshin shtatë faza: testin e arsyetimit logjik, kontrollin mjekësor, testin fizik, ese me shkrim, intervistë, verifikimin e figurës, deklarimin e pasurisë dhe testin e poligrafit.
Drejtuesja aktuale e BKH-së, Aida Hajnaj, e cila përfundon mandatin më 31 gusht 2025, nuk ka dorëzuar dokumentacionin për rikandidim dhe për këtë arsye është përjashtuar nga gara.
Emri i kandidatit fitues pritet t’i dërgohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për emërim zyrtar./L.F-dritare.net

















