Mbahet seanca ndaj Veliajt! Debat për përfaqësimin nga avokati Plarent Ndreca
Dritare.net

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka nisur seanca e radhës në themel për gjykimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë. Në këtë seancë, SPAK përfaqësohet nga dy prokurorët e posaçëm Altin Dumani dhe Ols Dado.
Vetë Erion Veliaj nuk është i pranishëm në sallën e gjyqit, por ka paraqitur një deklaratë ku kërkon të përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca, ish-deputet i Partisë Socialiste, i cili ndodhet në seancë në cilësinë e mbrojtësit ligjor. Po ashtu, në seancë është e pranishme edhe avokatja kryesore e Veliajt, Valentina Todoresku.
Kërkesa e Veliajt për ndryshimin e avokatit nuk është pranuar nga SPAK. Prokuroria argumenton se Plarent Ndreca është marrë në pyetje gjatë fazës paraprake të hetimeve si person në dijeni për çështjen, çka sipas saj mund ta vendosë atë në kushtet e papajtueshmërisë për të ushtruar rolin e mbrojtësit. “Plarent Ndreca është pyetur në fazën e hetimit paraprak dhe jemi në kushtet ku nuk mund të legjitimohet si mbrojtës”, deklaroi prokurori i posaçëm Altin Dumani.
Nga ana tjetër, vetë Plarent Ndreca kundërshtoi këtë qëndrim, duke theksuar se deklarimet e dhëna gjatë hetimeve paraprake nuk përbëjnë provë dhe nuk e vendosin atë në situatë papajtueshmërie. “Nuk jemi në kushtet e papajtueshmërisë. Deklarimet në hetimet paraprake nuk përbëjnë provë”, u shpreh Ndreca para trupit gjykues.
Ai sqaroi se gjatë marrjes në pyetje është pyetur për njohjet me Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën, si edhe për kompani të caktuara, por sipas tij, deklarimet e dhëna nuk kanë lidhje me thelbin e këtij procesi. “Jam pyetur për një foto që është gjetur në zyrat e Xoxës, por unë nuk kam pasur lidhje. Thëniet që unë kam bërë s’kanë lidhje me këtë proces dhe nuk cenojnë interesin e gjykimit”, deklaroi ai.
Ndërkohë, prokurori Altin Dumani tha se qëndrimi i SPAK lidhet me nevojën për të shmangur çdo problem procedural në vijim të procesit. “Është vlerësimi juaj nëse e legjitimoni, sepse për ne s’ka ndonjë pengesë, por duhet parë ligji. Të shmanget mundësia e një pavlefshmërie apo dështimi të ardhshëm; kaq kishim këtë merak”, tha Dumani. Pas debatit mes palëve, trupi gjykues është tërhequr për të vendosur nëse do të pranohet ose jo Plarent Ndreca si avokat i Veliajt.
Sakaq, pas një viti në izolim, me miratimin e GJKKO-së, Erion Veliajt i janë dorëzuar në qeli 28 mijë faqe të përfshira në 72 fashikuj të dosjes hetimore, në funksion të garantimit të së drejtës së tij për mbrojtje efektive.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e ka dërguar kërkesën për kalimin e dosjes për gjykim pesë muaj më parë. Ndaj tij janë ngritur akuza për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve në burg. Sipas prokurorisë, për rastet e dyshuara të korrupsionit, Veliaj ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme nga kompani që kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Edhe Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të ardhurash. Ndërsa biznesmenët e përfshirë në çështje akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Në këtë proces, ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës./L.F-dritare.net