Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Manastirliu: Certifikata e vaksinimit me detyrim, opsion në tryezë

Manastirliu: Certifikata e vaksinimit me detyrim, opsion në tryezë

Qeveria po shikon mundësinë që të ndalohet hyrja në vendet publike për personat e pavaksinuar në rast se gjatë dimrit, do të ketë përkeqësim të situatës pandemike. Kjo u paralajmërua fillimisht nga ministrja Manastirliu, e cila në fjalën e saj në Kuvend, tha se shumica e shteteve kanë vendosur pasaportën e vaksinimit, si kusht për të hyrë në vendet publike, ndërkohë, që Shqipëria, e ka vendosur vetëm për universitetet. Ndërsa sot, ministrja Manastirliu, përsëriti që green pass është në tryezë.

“Përsa i përket rritjes së mbulesës vaksinale dhe faktit për të pasur një dimër sa me të lehtë nevoja për të rritur mbulesën vaksinale është e lartë dhe për këtë kemi vendosur detyrimin për paraqitjen e ‘greenpass’ në universitet. Ka pasur një rritje të mbulesës vaksinale në universitet , por ende ka nevojë për shumë punë. Ne jemi duke bashkëpunuar me universitetet sepse këtu kërkohet një ndërgjegjësim i studentëve i të gjitha strukturave. Ne nuk rekomandojmë se si bëhet mësimi, por themi se çdo student duhet të paraqesë kartën e vaksinimit. Sa i përket ‘green pass’ ne po shohim që Europa është epiqendër e virusit, ne jemi duke e vlerësuar ‘greenpass’, është opsion në tryezë” , tha ministrja Manastirliu.

Së fundmi edhe kryeministri Rama pasi ftoi të pavaksinuarit, të vaksinohen, paralajmëroi se në rast se infektimet do të shtohen, mund të ketë kufizime, për ata që nuk marrin dozat. Më pak se gjysma e popullsisë në vend ka marrë të paktën një dozë të vaksinës anticovid. Dhe përballë nivelit të ulët të vaksinimit në Shqipëri, vendosja e detyrimit për të pasur certifikatën e vaksinimit, për të hyrë në bare apo restorante, nënkupton një goditje të dytë të bizneseve, që ende nuk janë rimëkëmbur nga pandemia./L.F-dritare.net