Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kuvendi i Burrave në Theth kërkon dialog me qeverinë: Këto kulla i kemi mbrojtur me gjak

Kuvendi i Burrave në Theth kërkon dialog me qeverinë: Këto

Të ulur këmbëkryq para Kishës së Thethit, një prej simboleve më të njohura të trashëgimisë kulturore shqiptare, banorët e zonës u mblodhën në një kuvend tradicional të burrave për të kundërshtuar aksionin e IKMT-së për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Në ditën e shtatë të operacionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, banorët shprehën shqetësimin e tyre për shembjet që po ndodhin në zonën e mbrojtur dhe kërkuan ndalimin e menjëhershëm të aksionit, duke apeluar për dialog dhe zgjidhje afatgjata në bashkëpunim me qeverinë.

“Ne i kemi ndërtuar këto kulla me djersë dhe i kemi mbrojtur me gjak. Nuk është e arsyeshme që të na shembin shtëpitë pa na dëgjuar. Të ulemi, të bisedojmë, sepse jemi vëllezër,” tha njëri nga banorët përballë priftit Pader Kastriot Demaj, i cili gjithashtu dha mbështetjen e tij për thirrjen për dialog.

Banorët shprehën gatishmërinë për të respektuar ligjin dhe për të gjetur mënyra ligjore për t’u bërë pjesë e projektit të qeverisë për zhvillimin e turizmit në zonat malore, por kërkojnë më shumë informacion dhe përfshirje në vendimmarrje.

“Kam bërë thirrje që të ndalet ky aksion. Gabimet janë bërë dhe janë pranuar, por nuk mund të na shembin gjithçka pa dallim. Këto janë tokat tona shekullore. Edhe në Kosovë kur ka ardhur serbi, ka derdhur gjak, por edhe zemra e shqiptarëve ka derdhur gjak. Populli po del në rrugë të madhe, por ne jemi për paqe,” u shpreh një tjetër banor.

Një nga zërat më të dëgjuar në kuvend, Zef Vladaj, u bëri thirrje autoriteteve që të mos e trajtojnë situatën si konflikt, por si mundësi për bashkëbisedim: “Ne jemi vëllezër, nuk duhet të vijmë në përplasje. Shtëpitë tona janë ndërtuar për të pritur turistë, për të zhvilluar zonën, jo për t’u shembur.”

Kuvendi i burrave në Theth, një formë e vjetër dhe simbolike e vendimmarrjes komunitare në Alpet shqiptare, mbetet një sinjal i fortë për qeverinë që, përpara çdo veprimi, të dëgjojë zërin e banorëve dhe të gjejë një zgjidhje për ndërtimet në përputhje me interesin e përbashkët të zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës./K.C/dritare.net