Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kush po e drejton Europën? Përplasja Kallas–Von der Leyen del në sipërfaqe

Kush po e drejton Europën? Përplasja Kallas–Von der Leyen del

Nje shkrim nga Financial Times

Franca dhe Gjermania po diskutojnë propozime për një riorganizim rrënjësor të shërbimit diplomatik të Bashkimit Europian, në një përpjekje për të përmirësuar reagimin e bllokut ndaj krizave gjeopolitike.

Parisi, Berlini dhe kryeqytete të tjera europiane po shqyrtojnë opsione që përfshijnë kufizimin e kompetencave të shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, si edhe të Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), me buxhet rreth 1 miliard euro në vit. Sipas pesë zyrtarëve të lartë të informuar mbi diskutimet, një pjesë e këtyre kompetencave mund t’i rikthehen Komisionit Europian dhe shteteve anëtare, informon dritare.net.

“Është e qartë se EEAS nuk funksionon siç duhet në botën e sotme. Është jofunksional. Problemi është strukturor dhe struktura duhet rindërtuar”, citohet të ketë thënë një nga zyrtarët.

Në vitet e fundit, Bashkimi Europian është përballur me luftën në Ukrainë, tensionet me Iranin, ndryshimet e politikës amerikane nën Donald Trump, si dhe përdorimin në rritje të tarifave tregtare, presionit ekonomik dhe energjisë si instrumente të politikës së jashtme. Këto zhvillime kanë ngritur pikëpyetje nëse EEAS është në gjendje të koordinojë reagime efektive.

Një nga propozimet e paraqitura nga Franca parashikon kufizimin e autonomisë së Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe dobësimin e kontrollit të saj mbi rrjetin prej më shumë se 140 delegacionesh diplomatike që EEAS operon në vende të ndryshme të botës.

Mbështetësit e reformës argumentojnë se ajo mund të realizohet pa ndryshuar traktatet themeluese të Bashkimit Europian, informon dritare.net. Megjithatë, çdo ndryshim i madh në marrëdhëniet mes institucioneve europiane do të kërkonte miratimin unanim të 27 vendeve anëtare.

Sipas zyrtarëve europianë, disa shtete anëtare kanë shprehur privatisht shqetësimin se ekziston mbivendosje kompetencash dhe mungesë koordinimi mes EEAS, ministrive kombëtare të jashtme dhe strukturave të Komisionit Europian.

Këto shqetësime janë shtuar edhe nga qëndrimet e Kaja Kallas për çështje si marrëdhëniet BE-Kinë dhe nga propozime që, sipas disa kryeqyteteve europiane, nuk kishin marrë më parë miratimin e vendeve anëtare.

Në të njëjtën kohë, EEAS dhe Komisioni Europian i drejtuar nga Ursula von der Leyen janë përfshirë në një rivalitet për rolin drejtues në politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian.

Sipas tre zyrtarëve të përfshirë në diskutime, reforma e mundshme e EEAS lidhet edhe me negociatat për buxhetin e ardhshëm të BE-së, ku disa shtete anëtare po kërkojnë kursime dhe reduktim të burokracisë në Bruksel.

Një nga idetë që po shqyrtohen është transferimi i disa kompetencave të EEAS te Komisioni Europian dhe Këshilli i BE-së. Për shembull, hartimi i listave të sanksioneve dhe propozimet për misione ushtarake mund t’i kalojnë Këshillit, ndërsa diplomacia e përditshme të administrohet nga Komisioni.

Propozimet franceze janë ende në fazë paraprake dhe po diskutohen në nivel të lartë mes qeverive europiane. Sipas zyrtarëve, Parisi ka theksuar se të gjitha opsionet kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre.

Një zëdhënëse e Kaja Kallas deklaroi për Financial Times se ajo mbetet “plotësisht e përqendruar në përmbushjen e mandatit të saj”, duke shtuar se forcimi i EEAS dhe i Komisionit Europian është thelbësor për zbatimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër, një zyrtar gjerman tha se “në një botë që po ndryshon, kemi nevojë për një Bashkim Europian më të fortë dhe për një politikë të jashtme europiane më të fortë”, duke shtuar se që nga krijimi i EEAS, vendet anëtare kanë punuar vazhdimisht për të përmirësuar procesin e vendimmarrjes së përbashkët, informon dritare.net.

Ndërkohë, edhe vetë EEAS po zhvillon studime të brendshme për ide të mundshme reformimi.

Stefan Lehne, ish-zyrtar i Bashkimit Europian dhe aktualisht ekspert në Carnegie Europe në Bruksel, deklaroi se rezultatet e politikës së jashtme europiane gjatë pesë viteve të fundit “nuk kanë qenë pozitive” dhe se ndryshimet institucionale mund të jenë një mënyrë për t’iu përshtatur realitetit të ri gjeopolitik me të cilin përballet Europa./dritare.net