Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kush janë oficerët nga Shqipëria që drejtuan UÇK-në! Flet ish-luftëtari i UÇK, Agron Xhemajli!

Kush janë oficerët nga Shqipëria që drejtuan

Sot në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv ishte i ftuar ish-luftëtari i UÇK-së zoti Agron Xhemajli. Xhemjali është veprimtar që nga viti 1989 dhe një prej organizatorëve të luftës së Kosovës. Ai erdhi sot në "Shqip” për të ndarë me ndjekësit e DritareTv perspektivën e tij mbi situatën aktuale në Kosovë, si dhe të tregojë detaje nga lufta në shtetin e Kosovës, kontributin e shqiptarëve në luftë. Ish-luftëtari i UÇK-së tregon për gazetaren Xhunga emër për emër kush ishin oficerët nga Shqipëria që drejtuan luftën në Kosovë, që sot janë lënë në mjerim nga të dyja shtetet.

“Në 1989-ën unë kam qenë një veprimtar ilegal në Kosovë. Ne kishim për detyrë organizmin e njerëzve në demonstrata dhe protesta, për të kundërshtuar heqjen e autonomisë se vitit 1989, si pretekst por edhe si luftë politike për të përgatitur kështu popullin me luftën e armatosur. Unë e lashë shkollën sepse kisha frikë mos më arrestonin dhe më vrisnin, ndaj vendosa të arratisem. Në vitin 1993 u arrestua një grup në Prishtinë dhe një në Llap, Podujeve. Në grupin e Prishtinës isha pjesë dhe unë dhe ne punonim për krijimin e njësiteve guerile, kishim një program për trajnimin ushtarak të njësiteve guerile. Që në vitin 1993 në bashkëpunim me Zahir Pajazitin arritëm të trajnonim mbi 20 njësite guerile në Prishtinë dhe Podujevë. Kjo ishte bërthama e parë e UÇK-së në këto anë. Pas vrasjes së Pajazitit ne shokëve të tij na ra barra të vazhdojmë punën e tij dhe të ndërtonim UÇK-në.

Ne krijuam strukturën e një brigade, e cila më vonë do të udhëhiqej nga një epror i ushtrisë shqiptare, nga Tirana. Bëhet fjalë për Adem Shehun, ai udhëhoqi brigadën që e krijuam në qershor të 1998-ës. Ai e drejtoi këtë brigadë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ata e bënë detyrën e tyre. Tani Adem Shehu është në Tiranë, ka dalë në pension. Adem Shehu dhe të tjerë nga Shqipëria erdhën vetë në luftën e Kosovës. Shqiptarët erdhën vetë të luftonin, të drejtonin luftën, pa nevojën e një urdhri shtetëror. Është dinjitoze. Ne e kemi ndjerë prezencën e Shqipërisë kur pamë komandantin Adem Shehu në mesin tonë. Por ashtu si zoti Dilaver Goxhaj që e hoqën nga puna pas luftës në Kosovë, e njëjta gjë ndodhi edhe me zotin Adem Shehu dhe të tjerë që dolën vullnetarë në Kosovë. Politika shqiptare ka mbetur disa hapa prapa përkrahjes popullore. Unë njoh edhe një epror shqiptar, që ka qenë komandant lufte në Preshevë, nga Vlora që sot jeton në gjendje të mjerueshme në Shqipëri. Shteti e di në çfarë gjendjeje është Petrit Alia dhe nuk e ndihmojnë. Ajo që u ndodhi ushtarëve vullnetarë shqiptarë pas lufte është e pafalshme. Shteti shqiptar i përbuzi, si të ishin një dorë e huaj. Ishte luftëtar vullnetar në Preshevë, Kosovën lindore në vitin 2000. Dha kontributin e vet në luftë dhe u kthye në Shqipëri. Para pak muajsh e pashë Petritin në një intervistë në një televizion, në një gjendje të tmerrshme, sa që edhe rrobat në trup i kishte të leckosura, kjo është e pafalshme. E pafalshme është edhe për ne të Kosovës, jo vetëm Shqipërisë. Edhe ne duhet t’i kishim ndihmuar, UÇK-ja duhet t’i kishte ndihmuar. Ata mund të mos vinin, siç bënë shumë të tjerë, por ata vendosën të vinë dhe luftuan për Kosovën. Shteti i Kosovës duhet t’i nderonte më shumë se ne që jetojmë në Kosovë. Me Kushtetutë shqiptarët e kanë obligim të luftojnë në Kosovë. Por ne kemi 15-20 luftëtarë ndërkombëtarë që kanë ardhur për të luftuar në Kosovë, 3 janë dëshmorë. Unë po mundohem të mbledh dokumente, që të shkruaj një monografi për luftëtarët vullnetarë, ndërkombëtarë dhe për dëshmorët që të jenë të vendosur në një vend, që t’i njohë opinioni, studiuesit dhe katedrat, sepse meritojnë një mirënjohje të veçantë. Ata nuk e kishin obligim shtetëror, por njerëzor. Erdhën na ndihmuan, disa ranë dëshmorë, disa u plagosën rëndë dhe ne sot nuk i njohim këta luftëtarë, t’ju japim mirënjohjen tonë. Kur fola me disa prej tyre dhe i pyeta nëse i ka thirrur shteti i Kosovës t’ju japë mirënjohje, falënderim, të gjithë thanë jo. Askush nuk i kishte kontaktuar, kishin ardhur sërish vullnetarisht për të marrë pjesë në manifestimet që bëheshin për luftën në Kosovë. Kjo është e pafalshme. Populli shqiptar, gjithmonë, ka qenë falënderues ndaj atij që ka luftuar për liri, ka shkuar në luftën e popujve të tjerë dhe kanë luftuar pa asnjë interes. Mosmirënjohja është arma e armikut. Mosmirënjohja ndaj atyre që kontribuojnë, që falin gjakun, mundin, djersen, dijen shkencore, është armë e armikut.

Shumë prej këtyre që kanë luftuar për Kosovën janë dëshpëruar shumë që nuk morën as një mirënjohje për kontributin e tyre. Kjo është shumë e rrezikshme, sepse nuk dihet nesër a pasnesër mund të sulmohemi prapë dhe historia i mban mend.”, tha zoti Xhemajli në DritareTv./K.C/dritare.net