
Koronavirus/ Postimi i rremë i Bill Gates dhe shumë fake news të tjerë
Dritare.net
Nga Jack Goodman-BBC
Lajmet e rreme po qarkullojnë kudo, sidomos në këtë kohë të luftës së koronavirusit.
BBC verifikoi disa shembuj, të cilat ishin më të klikuarat dhe shikuarat të ditëve të fundit, por që janë të rreme.
1- Mesazhi i rremë i Bill Gates
Një mesazh i gjatë i atribuuar Bill Gates, miliarderit të Microsoft-it, duke inkurajuar njerëzit të reflektojnë pozitivisht për jetën e tyre gjatë shpërthimit të koronavirusit është ndarë mijëra herë në shumë vende. Por ne e dimë që Bill Gates nuk kishte asnjë lidhje me të. Dikush, iu afrua BBC-së duke pretenduar se është postuesi origjinal. Mohamed Ali nga Londra tha që ai e publikoi mesazhin në Facebook më 16 mars, por nuk ia kishte atribuuar Z. Gates.
Ne nuk mund të jemi të sigurt se ai është postuesi numër një, por nuk kemi gjetur një version të hershëm të tij në llogaritë publike në Facebook. Sipas makinës së analizës së mediave sociale Crowdtangle, koha më e hershme që ne e zbulojmë se i atribuohet Z.Gates është më 22 mars, informon dritare.net
2- Një video e rreme në lidhje me donacionet e ushqimit
Një video e cila mori më shumë se 10 milionë shikime vetëm për disa ditëve, pretendon se tregon trasta me ushqime të lëna në rrugë për ata që kanë nevojë gjatë shpërthimit të koronavirusit. Disa postime thonë se është xhiruar në Turqi, ndërsa të tjerat pretendojnë se janë në Irak apo Indi. Shumica e lavdërojnë videon pasi sipas tyre tregon sesi vendi po u ndihmon të varfërve.
Filmi është i vërtetë, por është xhiruar para dy muajsh, kështu që postimet janë mashtruese. Donacionet nuk ishin për njerëzit e prekur nga koronavirusi, por për familjet e viktimave të një tërmeti.
Për ta çuar deri në fund këtë çështje, specialistët e verifikimit të BBC-së identifikuan me sukses vendndodhjen e videos pasi vunë re një dyqan ose shenjë reklamimi që shkruante "shumë të lira" në turqisht. Videoja origjinale ishte postuar në Facebook më 25 janar.
3- Helikopterët nuk janë spërkatës dezinfektues
Një mesazh ka qarkulluar në WhatsApp apo rrjete të tjera sociale që u thotë njerëzve të qëndrojnë brenda, sepse nga ora 11:30 helikopterët do të hedhin dezinfektues në ajër për të zhdukur koronavirusin. Por nuk ka asnjë provë që kjo ka ndodhur ose po ndodh. Mesazhi më i fundit u dërgua te një grup mjekësh dhe infermierësh në një spital në Londër. Ky mesazh është shfaqur edhe në shumë vende të botës. Shumë prej tyre po dërgohen në WhatsApp, kështu që është me të vërtetë e vështirë të dihet se kush po e përhap atë. Mund të tingëllojë e pamundur, por njerëzit akoma po e shpërndajnë dhe e besojnë atë. Shpesh sepse u është dërguar atyre nga dikush që i besojnë, për shembull një mik apo koleg.
4- Kjo nuk është policia italiane që zbaton shtetrrethimin
Një video u shfaq që pretendon se tregon policinë italiane duke arrestuar një burrë për thyerjen e masave të rrepta të shtetrrethimit dhe një version i postuar në Twitter në Indi ka marrë më shumë se 750,000 shikime. Videoja është filmuar në Brazil dhe në të vërtetë tregon arrestimin e një njeriu në Sao Paulo për diçka që nuk ka lidhje me koronavirusin, raporton dritare.net
5- Foto spitalore spanjolle dhe një mesazh zanor
Një mesazh zanor në arabisht duke kritikuar gjendjen e një spitali të famshëm në Jerusalem ka qarkulluar në WhatsApp, me një foto ku shfaqen pacientë të shtrirë në dysheme. Disa site lajmesh arabe e kanë përdorur fotografinë në artikuj për të treguar se si spitali izraelit po përpiqet të përballojë shpërthimin e koronavirusit. Por, spitali ka mohuar raportimet, duke deklaruar se nuk ishte spitali i tyre në foto. BBC Trending hodhi një vështrim nga afër dhe gjeti vendndodhjen e vërtetë të fotove, që tregojnë se ishin në Madrid./Përshtati: Kadrije Çako

















