HOPE 4 Kids Albania/ Një dritë shprese për fëmijët me sëmundje onkohematologjike
Dritare.net
Në një vend ku shpesh lajmet për shëndetin vijnë me shqetësim, lind një dritë shprese.
HOPE 4 Kids Albania – Helping Oncohematology Pediatric Empowerment është një fondacion jofitimprurës, i pavarur dhe joqeveritar, krijuar me një mision të qartë: të mbështesë fëmijët dhe të rinjtë e prekur nga sëmundje onkologjike dhe hematologjike, si edhe familjet e tyre.
Ky fondacion nuk lindi nga një ide formale. Ai lindi nga dhimbja. Nga kujtesa. Nga shpresa.
HOPE 4 Kids Albania është krijuar në memorien e Lisarit, Lunës dhe të gjithë atyre engjëjve që nuk arritën ta fitojnë betejën me sëmundjen. Por mbi të gjitha, ai është një premtim për fëmijët që sot po luftojnë – që të mos ndihen vetëm, që të kenë mbështetje mjekësore, psikologjike, sociale dhe njerëzore.
Qëllimi është i qartë: Çdo fëmijë të ketë mundësinë për një jetë të ndritshme dhe dinjitoze.
Më 30 dhjetor 2025, fondacioni mori miratimin zyrtar nga Gjykata e Shqipërisë.
Më 15 shkurt 2026 realizon prezantimin e tij të parë publik në vend – një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një rrjeti solidariteti për fëmijët dhe familjet që përballen me diagnoza të rënda.
HOPE 4 Kids Albania nuk është vetëm një organizatë.
Është një thirrje për ndërgjegje.
Është një dorë e shtrirë.
Është një dritë që refuzon të shuhet.
Nga sot të gjithë jemi të thirrur të ndihmojmë engjëjt e vegjël t’ia dalin në betejën e madhe për jetën./dritare.net