Gjykata e Posaçme pezullon nga detyra Belinda Ballukun. Ja masat e tjera ndaj saj!
Dritare.net

GJKKO ka vendosur dy masa sigurie ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, pasi ajo është marrë e pandehur në hetimin për tenderin e tunelit të Llogarasë. Ballukut i është caktuar masa pezullim nga ushtrimi i detyrës si zëvendëskryeministre dhe ministre, si edhe ndalimi i daljes jashtë vendit.
Vendimi është dhënë një ditë më parë nga gjyqtari Erion Çela, pas kërkesës së prokurorit të çështjes, Dritan Prençi. Masa sigurie janë vendosur edhe për dy zyrtarë të tjerë shtetërorë, megjithëse identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike.
SPAK dyshon se Belinda Balluku dhe zyrtarë të tjerë kanë ndikuar padrejtësisht në procesin e tenderit. Tenderi i parë u anulua edhe pse kishte ofertë më të ulët (140 mln €), dhe u rihap pak muaj më vonë me fond më të lartë (190 mln €), duke përfunduar te kompanitë turke me ofertë më të shtrenjtë (170 mln € + TVSH).
Sipas SPAK, anulimi dhe rihapja e tenderit mund të jenë bërë për të favorizuar fituesin e zgjedhur./K.C/dritare.net