
Genti Gazheli: Po sulmohem pas gjobitjes për evazion fiskal të një pronari mediatik, shantazhet s'më lëkundin!
Dritare.net
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli, ka reaguar pas publikimit të disa shkrimeve në adresë të tij nga një media, në të cilën pretendohet se Gazheli ka vënë në detyrë persona të cilët po hetohen për kontrabandë dhe krim të organizuar nga drejtësia Greke.
Gazheli shkruan se biznesi i një pronari mediatik është gjobitur për evazion fiskal në përputhje me ligjet në fuqi dhe fill pas këtij vendimi sipas tij ka nisur një sulm i menjëhershëm.
Shefi i Doganave nënvizon se pavarësisht ofensivës mediatike ndaj tij, do të vijojë kryerjen e detyrës me përgjegjshmëri të plotë pa u ndikuar.
"Dua të ndaj me publikun dhe aktorët e interesit që shërbehen nga dogana shqiptare, se sulmi mbi mua nga një media e caktuar, vjen menjëherë pasi një biznes i pronarit të medias në fjalë është gjobitur për evazion fiskal.
Mbase kjo është koinçidencë, por ky sulm mbi një çështje të pretenduar si problematike të vitit 2016 dhe mbi persona që punojnë në doganën shqiptare prej shumë vitesh, targeton personin tim pa asnjë fakt apo provë. Ndërkohë edhe për vetë çështjen, ne nuk disponojmë asnjë letër zyrtare lidhur me ndonjë hetim jashtë apo brenda vendit.
Shantazhet dhe gjobat mediatike të sponsorizuara nga interesat e prekura prej ligjzbatimit fiskal, janë rutinë për mua.
Unë punoj për shtetin dhe askush nuk më lëkund dot në kryerjen e detyrës.", shkruan Gazheli në postimin e tij./Xh.Xh/dritare.net

















