Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gazetari kinez Burim Li: Shqipëria më ndryshoi jetën

Gazetari kinez Burim Li: Shqipëria më ndryshoi jetën

Një lidhje e drejtpërdrejtë nga Pekini solli në ekranin e DritareTV gazetarin kinez Burim Li, i cili foli për karrierën e tij, lidhjen me Shqipërinë dhe dashurinë për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare.

I ftuar në emisionin “Intervista e ditës”, ai u shpreh se ndjen emocion dhe vlerësim të veçantë për ftesën e DritareTV, të cilën e ndjek prej kohësh dhe e pëlqen shumë.

Burim Li ka qenë për herë të parë në Shqipëri në vitin 2015 si student në një program shkëmbimi, ku ka qëndruar për disa muaj në Tiranë dhe ka vizituar disa qytete të vendit, përfshirë Durrësin, Vlorën, Gjirokastrën, Beratin, Sarandën dhe Pogradecin.


Ai e cilësoi Shqipërinë një vend mikpritës dhe me natyrë të bukur, duke shtuar se përvoja e tij në vend ka qenë shumë e veçantë dhe e paharrueshme.

Gazetari kinez tregoi se interesimi për gjuhën shqipe ka nisur gjatë studimeve universitare, duke u sugjeruar edhe nga familja e tij për shkak të marrëdhënieve historike mes Shqipërisë dhe Kinës. Sipas tij, shqipja i është dukur fillimisht e vështirë, por me kalimin e viteve është bërë pjesë e rëndësishme e jetës së tij profesionale dhe personale.

“Gjuha shqipe më ka pasuruar jetën dhe më ka ndihmuar të njoh më mirë kulturën shqiptare,” u shpreh ai.

Burim Li, i cili punon si gazetar në Pekin, tha se gazetaria për të është një profesion që e afron me njerëzit dhe historitë e tyre. Ai shtoi se dëshiron të vijojë të raportojë mbi shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Kinë, duke sjellë më shumë histori që lidhin dy vendet.

Gjatë intervistës, ai foli edhe për ngjashmëritë kulturore mes dy popujve, duke veçuar vlerat e besës dhe harmonisë, si dhe rëndësinë e familjes dhe miqësisë si në kulturën shqiptare ashtu edhe në atë kineze.

Burim Li shprehu gjithashtu vlerësim për letërsinë shqiptare, duke përmendur autorë si Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, të cilët i ka lexuar, si dhe interesin për muzikën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.

Në fund të bisedës, ai theksoi se planifikon të rikthehet së shpejti në Shqipëri për të realizuar projekte të reja mediatike dhe për të promovuar më tej kulturën dhe imazhin e vendit./K.C/dritare.net