
Fshati Vajzë ka festë. Ruaji këto tri data!
Dritare.net
Kjo është festa më e bukur e verës. Vajzë Fest 2023. Në fshatin më të jashtëzakonshëm të Lumit të Vlorës. Në fshatin e Ali Asllanit.
Kur hyn në rrugën e re të Lumit të Vlorës, sapo lë pas fshatin Kotë, merr rrugën e Sevasterit dhe ndërsa ecën mes një hapësire gjithë vreshta dhe stane, të del para një tabelë ku shkruan Vajzë.
Fshati të pret me një poezi në vend të mirëseardhjes:
“Fshat o fshati im i bukur, fshati im hane, hane, fshati që s’paska një të dytë, në këtë mavri jallane.”
Është Ali Asllani, djali i fshatit Vajzë që i ka shkruar vendlindjes, poezi dashurie dhe fshati ia ka vënë portretin dhe poezinë në ballë të vendit.
Vajza është fshat me legjenda, me folklor të pasur, me këngë! Me njerëz bujarë, me zemër të madhe e dashuri për njeriun. Dhe me duar të arta.
Në juglindje të qytetit të Vlorës, me karakteristikat e një kalaje natyrore, rrugica të ndërtuara tërësisht me gurë, ngritur mbi rrënojat e Amantias, me bahçe e kodra të gjelbëruara.
Çfarë do të shikosh?
Ujëvara e “Rasalit” në Velçë, me një bukuri mahnitëse të pazbuluar më parë. Shpellat e Velçës, nga banorët e fshatit, nga gojëdhënat e trashëguara nga të parët e tyre, tregojnë se ky fshat ka mbi 300 shpella që i datojnë periudhës para erës sonë, ndër to “Shpella e Velçës”, e cila është një nga vendbanimet shpellore të periudhës prehistorike e zbuluar rreth viteve 1930 nga një mision arkeologjik Italian.
Në Parkun Arkeologjik “Amantia”, dikur qendër e rëndësishme e Ilirisë së Jugut, me një jetë ekonomike dhe shoqërore të gjallëruar dhe një kulturë materiale dhe shpirtërore të admirueshme. Rruga për në park, është një panoramë.
Film dhe Teatër
“The shot”, Shqipëria e rrëmujshme e para pavarësisë… shkrepja e një fotoje dhe shkrepja e një arme për tu çliruar nga përndjekja. “Kanun”, film i bazuar në ngjarje të vërteta. Vetëm burrat e fortë dinë të falin. “Pylli i Lirisë”, aktorë të mëdhenj, muzikë ndër më të bukurat e filmave shqiptarë dhe traditat e shpirti bujar i popullit tonë. “Dasma e Sakos”, metaforat marrin të thonë se shpërdorimi i pushtetit ka thelb të njëjtë por shfaqje të ndryshme. Në të gjitha rastet, aspirata e vetme e njeriut është liria dhe një jetë me dinjitet të vërtetë njerëzor
Prit, po për të ngrënë?
Veçantinë e mishit të qengjit të pjekur në hell, djathin e dhisë, llojet e ndryshme të bulmetit të freskët, turshitë me perime nga bahçet, reçelin e fikut të korrikut, pijet e bëra në mënyrë artizanale, harapash me miell misri, përshesh me të brendshme qengji, petulla me mjaltin e zonës.
Të gjithë ju që jeni nga Vajza, por jo vetëm, nëse po pushoni në Jug, bashkohuni me festivalin e parë të këtij fshati, që nuk do të jetë i fundit. Ky festival do të hapë dritaret për një nga fshatrat më poetik e jashtëzakonshëm, të Lumit të Vlorës.
Më 18, 19, 20 gusht Vajza ju pret! /Dritare.net

















