Flet gruaja e gjyqtarit Astrit Kalaja: Tragjedia jonë ka autor dhe fajtor
Dritare.net

Në një rrëfim prekës në podkastin ZëmeMirën, Valbona Kalaja, bashkëshortja e gjyqtarit Astrit Kalaja, ka ndarë për herë të parë publikisht historinë e jetës, dashurisë dhe dhimbjes që la pas vrasja tronditëse e bashkëshortit të saj në sallën e gjyqit, më 6 tetor.
“Jam edhe e rënduar, edhe e emocionuar, por edhe e fortë. I kam të tria bashkë”, u shpreh Valbona Kalaja në fillim të intervistës. “Forca më vjen nga lart. Nuk e kemi menduar kurrë një fund të tillë. Jetën na e jep Zoti, por një fund kaq tragjik nuk e mendon kurrë.”
Duke treguar historinë e njohjes së tyre që në adoleshencë, ajo tha:
“E njoh Astritin që kur isha 14 vjeçe. Ai ishte 16. Ishim në shkollë të dy. Jemi rritur bashkë. Ishte serioz që atëherë dhe serioz mbeti gjithë jetën. Kush e ka njohur në gjimnaz, do ta njihte edhe pas 50 vitesh.”
Për martesën e tyre shumëvjeçare, Valbona theksoi:
“Njerëzit më pyesnin shpesh ‘çfarë pa te ty që erdhi?’ dhe unë u thosha: ‘Nuk e di, ndoshta pa diçka që s’e kam kuptuar as vetë.’ Por kemi pasur një martesë të gjatë dhe të lumtur.”
Dita e 6 tetorit mbetet për të një plagë e hapur.
“Unë atë ditë isha pushim, kisha një check-up që duhet të bëja dhe gjithë ditën kisha vizita te mjekët. Kisha një javë që kisha një bindje të brendshme sikur do të kisha një problem me gjirin, më ishte fiksuar. Dhe atë ditë, në mëngjes, e shfaqa, ia thashë: ‘Kam frikë se mos kam ndonjë gjë’. Ai u vesh për punë dhe më tha se ‘mirë do jesh’. Por më ishte krijuar një bindje që do kisha diçka, por nuk paska qenë për veten. Kur dola, nuk e di pse atë ditë, kur u kthye nga unë, i rregullova edhe vetullat, e kisha si zakon, ta çoja sa më bukur në punë. Ai nuk e kishte problem pjesën e veshjes, më shumë e kisha unë, që të shkonte me kostum. Ai ishte natyrë tjetër, por pozicioni i punës ia kërkonte të shkonte me këmishë të bardhë dhe kollare.

Kur u ndamë, kishte një çantë të madhe që e mbante me dosje, ishte ditë e hënë, ditë gjyqesh. I thashë të mos shkonte me biçikletë, dhe për çudi më dëgjoi. Atë ditë mori makinën, iku dhe unë ika në klinikën afër shtëpisë. Bëra kontrollet dhe ajo më tha të shkoja në orën 3, por i thashë që nuk vija dot se nuk kisha bërë drekën. Shkova te puna, se ekoja më kishte dalë mirë. Prisja të vinte në shtëpi që t’i tregoja këpucët e reja që kisha blerë. Isha shumë e gëzuar derisa më ra telefoni në orën 15:38. Më vjen një mesazh i shkurtër në telefon nga një koleg: ‘Më tha Valbona, si je?’. Në atë moment më merr një tjetër koleg pune, i cili kishte dëgjuar lajmin. Unë televizorin nuk e lë kurrë në lajme, të gjithë e kishin marrë vesh, unë jo. Më pyeti: ‘Si ke qenë, a ka ndonjë gjë të re?’. Folëm shkurt dhe ma mbylli telefonin, nuk ma tha. Nuk arriti të ma thoshte. Pastaj na merr një mike jona e përbashkët, ishte sikur po bërtiste, më pyeti: ‘Po Astriti si është?’. Dhe ajo ma mbylli telefonin, nuk më tha gjë. E telefonova Astritin, nuk ma hapi. Më shkoi mendja te mesazhi i parë, mora atë kolegun dhe ai më tha që diçka kishte ndodhur te Gjykata e Apelit. Më mori një koleg i Astritit në telefon dhe më tha se ishte plagosur dhe ndodhej në spital. Mora një taksi. Ngjarja ishte aq e madhe sa e kishte marrë vesh edhe taksisti. I thotë nipit: ‘Kanë vrarë një gjyqtar’. Në spital kam gjetur të gjithë kolegët e tij duke qarë. Qanin me dënesë. Nuk vinte asnjë, nuk e merrte guximin askush të më thoshte gjë.”, tregoi Valbona.
Valbona Kalaja foli edhe për shqetësimin e Astritit ditët para ngjarjes:
“Atë javë kishte qenë i shqetësuar. Zgjohej natën, rrinte me telefon në dorë. Punonte deri vonë me dosjet. Por kurrë nuk më foli për frikë. Ai nuk kishte frikë. E shihja natën e fundit, kur mbylli dosjen e fundit, që nuk do ta harroj kurrë. Ishte një dosje e trashë. Kur e mbylli dosjen, u ngrit edhe pluhur, por njeriu nuk mendon për keq. Kur i kujtoj tani, më kujtohen me imtësi. Atë ditë, gjithë ditën, është marrë me dosjet për gjyqet e së hënës.
Nuk ka shfaqur gjë, të paktën me mua. Por me nja dy shokë të tij këtë gjyq e kishte diskutuar. U kishte thënë se kishte një dosje me 31 familje dhe nuk e dinte si do bëhej. Nga kolegët më kanë thënë që ka pasur probleme me këto edhe më parë. Ai ka qenë trim, ka gjykuar çështje të nxehta, në ’97-ën ka gjykuar krime të rënda. Asnjëherë nuk ka pasur probleme. Edhe në vitin 1997 ka dalë në rrugë pa frikë, sepse thoshte: ‘Nuk i kam bërë gjë kujt.” Nuk kishte frikë asnjëherë.”, rrëfeu Valbona.
Ajo foli edhe për komentet negative në rrjet pas ngjarjes:
“Vendosa që as unë, as fëmijët të mos lexonim asnjë koment. Ato nuk kishin lidhje me Astritin. Populli ka kaluar shumë peripeci gjyqesh, vonesa gjyqesh në këtë vend, jo ndoshta dhe krejt për faj të gjyqtarëve, por edhe për faj të sistemit. Ligjet që u vunë fill pas '90-ës sepse kemi jetuar në një sistem tjetër me disa ligje të tjera dhe u përballëm tani me pronat e krejt ligje të tjera. Ndoshta populli kishte të drejtë. Edhe ai vetë si gjyqtar e shfaqte këtë. Populli është gjynah se i shkojnë me vite gjyqet", thotë Valbona në ZëmeMirën.
Për fëmijët, Valbona Kalaja tregoi se humbja i ka prekur thellë:
“Goca e vogël e përballoi shumë vështirë fillimin. E çuam në psikolog. Në fillim e pati të vështire, por më vonë u bë më e fortë se unë. Djali edhe sot është shumë i lodhur emocionalisht. Ai iku nga Shqipëria në momentin kur Astriti mendonte ta fuste djalin në sistemin e gjyqësorit. Kishte mbaruar juridikun, punoi edhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe pastaj iku në Bruksel me partneren e tij.”
Në fund, ajo foli edhe për procedurat për shpalljen e Astrit Kalasë dëshmor:
“Procedurat kanë nisur. Në shpirtin tim ai është dëshmor. Pa asnjë diskutim.”
Ndërsa për drejtësinë, Valbona Kalaja tha qartë:
“Kjo ngjarje ka autorë dhe ka fajtorë. Por unë gjithçka do t’ia lë drejtësisë. Besoj te drejtësia, sepse nëse kjo drejtësi nuk vihet në vend, atëherë është shumë keq për të gjithë.”/K.C/dritare.net