
Ekzekutohet me tre plumba 58-vjeçari në Vlorë, ishte roje në një objekt në ndërtim! U qëllua pranë banesës
Dritare.net
Një 58-vjeçar është ekzekutuar me tre plumba në Vlorë. Sipas policisë, 58-vjeçari Renato Hoxhaj është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së dielës në “Hajro Çakërri” pranë banesës së tij. Ai punonte prej pesë vitesh si roje në një objekt në ndërtim aty pranë.
“Sot, rreth orës 06:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, në rrugë, në afërsi të banesës së tij, është gjetur pa shenja jete, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi R. H., 58 vjeç, i cili ishte i punësuar dhe si roje në një objekt në ndërtim pranë banesës së tij. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.”, njofton policia.
Policia po kontrollon kamerat e sigurisë së zonës, për të parë nëse kanë kapur ndonjë gjurmë të autorit/ve. 58-vjeçari ishte i divorcuar prej vitesh dhe ishte baba i dy fëmijëve të rritur. Nga banorët njihej si njeri i mirë dhe pa probleme./L.F-dritare.net

















