Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Edi Rama takim me furnizuesit e naftës: Rritja e çmimeve e moderuar

Edi Rama takim me furnizuesit e naftës: Rritja e çmimeve e moderuar

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me furnizuesit e hidrokarbureve në vend, në një kohë kur tregjet ndërkombëtare po ndikohen nga tensionet dhe lufta në Lindjen e Mesme.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se deri më tani, rritja e çmimit të naftës në Shqipëri ka qenë e moderuar, pavarësisht presioneve globale. Ai nënvizoi se ecuria e çmimeve mbetet e pasigurt, pasi askush nuk mund të parashikojë se si do të zhvillohet situata në bursat ndërkombëtare dhe sa do të zgjasë konflikti.

Kryeministri bëri të ditur se aktualisht kompanitë disponojnë rezerva të konsiderueshme, të garantuara në kontrata për rreth 100 ditë, por theksoi se situata duhet ndjekur nga afër në baza ditore.

Nga ana tjetër, Rama njoftoi se qeveria po punon për një ligj të ri për rezervën shtetërore, si dhe për krijimin e një operatori shtetëror në tregun e shumicës së karburanteve. Sipas tij, ky hap synon të garantojë furnizimin dhe të lehtësojë marrëdhëniet me kompanitë ndërkombëtare, duke shmangur ndërmjetësit dhe duke vendosur lidhje të drejtpërdrejta.

Ai gjithashtu theksoi se qeveria nuk e konsideron të nevojshme rikthimin e Bordit të Transparencës, për sa kohë funksionon dialogu me operatorët e tregut.

Në fund, Rama u bëri thirrje kompanive të tregojnë përgjegjësi në këtë periudhë krize, duke mos e transferuar të gjithë barrën e rritjes së çmimeve tek konsumatorët, edhe nëse kjo nënkupton marzhe më të ulëta fitimi./L.F-dritare.net