
E vërteta e naftës në Shpirag, ja kush e zbuloi!
Dritare.net
Në Shpirag nafta është zbuluar nga shqiptarët. Stavri Dhima, ekspert i hidrokarbureve i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga, tha se kërkimet në këtë zonë kanë nisur që në vitet 1960, por metodologjia e përdorur, e vështirësoi gjetjen e burimeve të naftës.
“Në Shpirag kërkimet e para kanë nisur që në vitet 1960. Unë punën e kam nisur pikërisht në këtë zonë në vitin 1980, atëkohë si specialist gjeofizik ku bënim punimet fushore. Duke punuar më në jug të kësaj zone, ne e quajmë zona e Plashnikut, është bërë dhe një pus i cili kapi një objekt gëlqeror dhe jo atë që ne shpresonim. Megjithatë ishte një tregues i rëndësishëm për të patur një vizion të ri për kërkimet në këtë zonë.
Deri në vitet 1980 veprohej me këtë ideologji, sikurse ishin vërtetuar vendburimet në Ballsh, Cakran, pra nga informacionet që mblidheshin për gjeologjinë sipërfaqësore, tregohej nëse kishte apo jo premisa për të zbuluar naftë.
Ky ndërtim gjeologjik reflektohej edhe në thellësi. Me këtë logjikë ishte ecur dhe në zonën e brezit antiklinal të Beratit. është një zonë ku janë bërë studime që herët, por është studiuar me konceptin që në përputhje me hetimet e gjeologjisë sipërfaqësore dhe me informacionin sizmik që merrnim, duhet të kishim në buzën perëndimore të malit të Shpiragut, këto reflektime në thellësi. Dhe me këtë ide janë hapur shumë puse, të cilat kanë rezultuar negativë.
Në vitin 1984 pati një reflektim të pjesshëm për të kuptuar se nuk është direkt në atë vend ku ne dyshonim, por mund të ishte më afër malit të Shpiragut. Studimi u bë nga shqiptarët. Historia e zbulimit të naftës në Shpirag është bërë nga shqiptarët. Studimet drejtoheshin nga instituti i naftës dhe i gazit.
Në vitin 1984 u shpua pusi i gjashtë, që nuk kapi strukturën por sipas interpretimeve që ne bëmë duhet ta ketë lënë objektin që ne kërkonim, më në lindje të malit të Shpiragut. Mbi këtë bazë u bënë punime të reja sizmike dhe në bashkëpunim me gjeologët u bë një interpretim që gjithë ky mali i madh, si rezultat i proceseve gjeologjike ka lëvizur dhe forcat shtytëse e kanë sjellë drejt perëndimit, dhe nën këtë mal për ta thënë thjeshtë, është varrosur një mal tjetër. Ky ishte koncepti i ri që ne futëm dhe kjo ishte një meritë e ekspertëve gjeologë dhe sizmikë. Ne e vërtetuam me dokumente.
Ajo që u arrit nga gjeologjia shqiptare, nga specialistët dhe ekspertët ishte që të konceptohej një strukturë ndër malin e Shpiragut. Në atë kohë ne projektuam edhe një tjetër pus që e quajtëm Sqepuri i 7. Po të ishte shpuar, do të ishte vërtet ajo shtata e famshme që thamë. Por pas 90 gjërat ndryshuan.
Shpimi i puseve ka një kosto shumë të lartë dhe kjo ishte një ndër arsyet pse u stopua”, u shpreh Dhima në Dritare TV /L.F-dritare.net

















