Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dy faqe të historisë ballkanike

Dy faqe të historisë ballkanike

Nga Rexhep Qosja

Dy faqe të historisë ballkanike

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!*

Gjatë, shumë gjatë, në Ballkan është menduar se historia e drejtë, e vërtetë, objektive, që shkruhet për popujt e tij, është historia që secili nga ata e shkruan për vetveten.
Gjatë, shumë gjatë është menduar se historia e padrejtë, jo e vërtetë, jo objektive, që shkruhet për popujt ballkanikë, është historia që shkruajnë të tjerët, kryesisht europianët, për ta. E sidomos historia që popujt ballkanikë shkruajnë për njëri-tjetrin.
Gjatë, shumë gjatë, në Ballkan është menduar se pushtimi osman, se sundimi osman, se konvertimet fetare në kohën e osmanëve, se politika e Perandorisë Osmane - të gjitha këto ishin pushtimet, sundimet, konvertimet, politikat më të zeza, më të dhunshme, më çnjerëzore, që janë përjetuar në Ballkan prej popujve ballkanikë në historinë e tyre të gjatë përplot drama, tragjedi kur e kur dhe tragjikomedi pushtuese e sunduese.
Duke lexuar librin e historianit anglez, Mark Mazover, fillova të mendoj më gjatë, kështu e ashtu, për çka shkruajnë ballkanasit për vetveten dhe çka shkruajnë të huajt për ta, më tha Demir Saraji. Do të doja ta lexoni edhe ju veprën e Mark Mazoverit me titullin e shkurtër Ballkani dhe, mundësisht, ta përktheni në shqipen. Në qoftë se nuk gjeni botues që ta botojë dhe t’jua paguajnë përkthimin, do ta botoj unë dhe do t’jua paguaj unë përkthimin, më tha Demir Saraji.
Prej tri propozimeve tuaja mund ta realizoj vetëm të parin: do të përpiqem ta gjej dhe ta lexoj librin në fjalë, origjinalin, iu përgjigja.
Për ta frymëzuar leximin sa më të shpejtë të kësaj vepre po ua jap tri-katër citate të përzgjedhura të tekstit të saj, që janë plotësisht në kundërshtim me të gjitha ato që kemi mësuar ne për një kohë prej një historiografie politike në përgjithësi ballkanike.
Ju faleminderit.
Qe citatet.
“Deri në shekullin e gjashtëmbëdhjetë sigurisht disa
qindra mijëra të krishterë janë konvertuar në fenë islame. Pjesëtarë të fisnikërisë boshnjake dhe bizantine, madje edhe disa nga familja mbretërore bizantine e Paleologëve, i shërbenin besnikërisht sulltanit si funksionarë të lartë osmanë, qoftë si të krishterë, qoftë, madje, si të konvertuar në islamin.
Elitën imperiale osmane e adhuronte e gjithë Europa dhe e adhuronte për shkak të karakterit të saj meritokratik; vëzhguesit shumë të befasuar do të konstatojnë se numri më i madh i zyrtarëve të lartë vinin prej familjeve të thjeshta, të varfra. Nuk ekzistonte aristokraci osmane e trashëguar - nuk kishte kurrfarë “fisnikërie të bazuar në gjakun”, do të konstatojë udhëpërshkruesi dhe poeti Xhorxh Sandis në vitin 1610...
Ishte aq e dukshme prania e të konvertuarve në Portë saqë gjuha sllave një kohë ishte rivale ndaj gjuhës turke në sarajet sulltanore...
Ledi Meri Vortli Montagju do të shkruajë se në kryeqytet flitet turqisht, greqisht, hebraisht, arabisht, persisht, rusisht, skllavonisht, vllahisht, gjermanisht, holandisht, frëngjisht, anglisht, italisht, hungarisht; e çka është edhe më keq, dhjetë nga këto gjuhë fliten edhe në familjen time...
Dy herë, në vitin 1517 dhe prapë në vitin 1647, Porta seriozisht do ta shqyrtojë çështjen e islamizimit të detyrueshëm të të gjithë të krishterëve ballkanikë, por në të dyja rastet do të miratohet mospajtimi fetar me konvertimin e detyrueshëm që s’e lejon as Kur’ani. Domethënë nuk ekzistonte ngjashmëria myslimane me impulsin gjerësisht të përhapur të krishterë që mosbesuesit dhe heretikët të dëbohen prej shtetit. Përkundrazi, ligji islamik përcaktonte tolerancën midis dy bashkësive fetare: të krishterë dhe hebraike. Me këtë ligj u ndalohej myslimanëve që të kalonin në cilëndo fe tjetër, por nuk përcaktohej konvertimi i të tjerëve prej feve të tjera në islamin...
Falë turqve, feja ortodokse në masë të madhe do të çlirohet prej kërcënimit katolik që venedikasit dhe gjenovasit e përhapnin në Mesdheun Lindor. Pushteti Osman do ta bashkojë Ballkanin për herë të parë pas disa shekujsh...
Sundimi osman do t’u sjellë të krishterëve ballkanikë jo vetëm autonomi fetare, por edhe përparim të shtuar. Prej fillimit, kontrolli i krishterë mbi një pjesë të tatimeve do t’u bëjë të mundshme disa individëve prej radhëve të tyre që të krijojnë pasuri të mëdha. Në shekullin pesëmbëdhjetë, për Mihail Kantakuzinosin flitej se i emëronte e i shkarkonte disa patrikë, se shoqëroheshin me disa pashallarë e vezirë dhe, madje, se ata, i drejtoheshin me nderim...
Nënshtetasit e sulltanit ishin të ndarë në bashkësi në bazë të përkatësisë fetare, dhe sundoheshin në masë të madhe në sajë të ndihmës së hierarkisë të tyre ekleziastike, ku rabinët, peshkopët dhe kadilerët i kryesonin gjykatat, i mbikëqyrnin punët qytetare dhe merrnin përgjegjësitë për mbledhjen e
tatimeve prej famullive të veta, si dhe për çështjet e tjera ekonomike...
Myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë do të veprojnë bashkërisht në shoqatat e punëtorëve, të esnafëve dhe në klubet qytetare të Selanikut, fjala vjen. Dallimet klasore nuk do të fshijnë dallimet fetare, por, megjithatë, do të krijojnë lidhje të tjera të solidarësisë dhe të interesave mes njerëzve...
Ngritja e Austrisë katolike dhe e Rusisë pravosllave do të sjellë tendosje të reja ndërmjet feve në Perandorinë turke. Marrëdhëniet ndërmjet kishës katolike e pravosllave në Turqi, më herët jashtëzakonisht të përzemërta dhe bashkëpunuese, do të fillojnë dukshëm të prishen prej gjysmës së shekullit tetëmbëdhjetë. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë do të lindin nacionalizmat greke e serbe, që do të sfidojnë qëndrimet e deriatëhershme turke ndaj pravosllavizmit. Për këtë arsye, çasti i liberalizimit iluzor kushtetutar në Perandori njëkohësisht do të shënojë edhe fillimin e një pasigurie myslimane për shkak të armiqësisë së krishterimit. Qindra mijëra refugjatë tatarë dhe çerkezë të pezmatuar, duke ikur prej depërtimeve ruse në Detin e Zi, do të mbërrijnë në tokat otomane, duke u strehuar në Provincat e Danubit e në Bullgari...”
E të tjera. E të tjera.

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net