
Dollia nuk është një thjeshtë për pije. Në Shqipëri, dollia është një institucion që është ngritur mbi rregulla. Autori i librit “Dollia”, profesor Sherif Bundo, i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga, tregoi me detaje mënyrën se si ngrihet një dolli në tavolinat shqiptare, sipas rregullave të përcaktuara. Thelbi i dollisë nuk është as gota dhe as rakia vetë, por mikpritja, nderimi dhe vlerësimi i mikut.
“Dollia është institucion dhe nuk funksionon me dy njerëz që po pinë në një lokal. Që ky institucion të jetë funksional, njerëzit pjesëmarrës në tavolinë, duhet të shihen si dy palë, si dy delegacione dhe nëse nuk ka dy palë, qëoftë edhe të menduara, nuk ka dolli. Njëra palë është ajo që organizon pritjen, të zotët e shtëpisë dhe pala tjetër janë të ftuarit, vizitorët.
Në të dyja palët ka një lloj hierarkie. Në krye të sofrës ulet personaliteti më i rëndësishëm, ai që drejton pritjen. Pas tij ulet personi i dytë më i rëndësishëm, e pastaj me radhë. Nuk mund të ulet nipi para xhaxhait, djali i vogël para të madhit. Ulja në tavolinë është shumë e rëndësishme, unë e cilësoj si art më vete.
Ceremoniali si rregull nis me prezantim. Sepse mund të ketë në tavolinë njerëz që nuk njihen. Dhe akujt shkrihen mes tyre, përmes prezantimit. Së pari bëhet një gëzuar e lehtë, sa për t’u ngrohur muhabeti duke u prezantuar njerëzit, ne kuptojmë vlerat e tyre dhe vendin që u takon.
Kështu ne kemi mundësinë që kur të na vijë radha për dolli, të shprehemi për të promovuar talentin, kontributin, vlerat e dikujt.
Në fillim e merr gotën i zoti i shtëpisë. I zoti i shtëpisë iu drejtohet miqve dhe u thotë mirëserdhët, ju lumshin këmbët. Si rregull i zoti shtëpisë, ngre një dolli për pak shëndete. Me tre, katër shëndete, jo më shumë.
Përpara kësaj, ai duhet të gjejë një njeri, që është në postin e sekretarit, ose pritësit. Në këtë rast i zoti shtëpisë mori automatikisht atributet e dollibashit. Pra ai është organizatori dhe dollibashi.
Ai do të gjejë një pritës të dollisë së vet. Si e gjen?
E para në tavolinë ai gjen njeriun e përshtatshëm. Parafytyroni që ai do të çohet dhe do të kërcejë një vals. Më kë do ta kërcejë valsin? Do të gjejë partnerin, ose partneren që e kërcen më bukur. Në këtë rast ai gjen pritësin. Ai fillon e dialogon, dhe ngre shëndetin për njerëzit që ai vlerëson.
Nuk ka lidhje me sasinë e rakisë që pi. Shëndetin e parë do ta ngre për shëndetin e njeriut më të dashur të kryemikut. Në këto rrethana ai do të gjejë fjalët më tipizuese, më të mira për të dhe ngre një dolli.
Këtë vlerësim e bën në sy të të gjithëve njerëzve, për të treguar vlerat e dikujt. Dhe të gjithë të pranishmit, mësuan se ky njeri ka këto vlera. Në këtë mënyrë edhe tavolina njihet me njëri-tjetrin.
Pastaj dollibashi ngre një shëndet të dytë, e të tretë kështu me radhë.
I zoti shtëpisë, nuk mund të ngre dolli për vete. Pritësi në këtë rast, ka rolin e një njeriu që plotëson vlerat e dollibashit. Të dy bashkë bëjnë një çift dhe në fund kur dollibashi ngre dolli për shëndetin e fundit, sekretari thotë: “Miq të dashur, dollibashi ngriti dolli për disa shëndete. Shëndet të kenë të gjitha shëndetet që ngriti dollibashi. Unë ju ftoj që ne të pimë një mirësi për mënyrën se si dollibashi i shprehu këto shëndete. Kjo shënon fundin e një dollie.
Nëse dollibashi nuk e thotë këtë shprehje, kjo do të thotë që institucionalisht, dollia e parë ende nuk është mbyllur.
Pastaj vjen reciprociteti, etika, kultura, mirësjellja njerëzore.
Kështu i vjen radha të parit nga miqtë. Nëse se ai nuk e njeh traditën, dollibashi ka për detyrë t’ia tregojë. kjo bëhet me shumë finesë. Në tavolinat ku ngrihet dolli, nuk thuhet: po presim dollinë tuaj. Por thuhet bromp, pra të ftoj të marrësh gotën. Nëse i pari i miqve nuk dëshiron, apo nguron të ngrejë dolli, ai vetë fton dikë nga pala e miqve dhe i thotë bromp, mere gotën. Kështu vazhdon dollia, në një tavolinë që zgjat rreth tre orë.”, u shpreh Bundo në Dritare TV./L.F-dritare.net

















