Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dhoma e Avokatisë në bojkot pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami

Dhoma e Avokatisë në bojkot pas arrestimit të avokatit Ulian

Nga sot deri më 25 tetor, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka shpallur bojkot të përgjithshëm në të gjitha gjykatat e vendit, në shenjë proteste ndaj arrestimit të avokatit Ulian Barjami dy ditë më parë. Barjami u arrestua me akuzën se ka kanosur për shkak të detyrës prokurorin Gjergj Ceka, gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit.

Arrestimi i avokatit erdhi pas një përplasjeje verbale në seancën për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan, mes të cilëve edhe Maksim Suçi, klient i mbrojtur nga Barjami.

Sipas njoftimit zyrtar, bojkoti do të përfshijë të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, ndërsa përjashtohen vetëm seancat që kanë si objekt caktimin, ndryshimin, zëvendësimin apo shuarjen e masave të sigurisë.

Në reagimin e bërë publik një ditë më parë, Dhoma e Avokatisë kërkoi shqyrtimin urgjent të çështjes nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD), Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), duke e cilësuar arrestimin si cenim të rëndë të ushtrimit të profesionit të avokatit.

Avokati Barjami u vu në pranga pas kallëzimit të bërë nga prokurori Ceka, i cili pretendon se është kërcënuar gjatë seancës. Në një audio të bërë publike, dëgjohet Barjami teksa akuzon prokurorin për manipulim provash dhe deklaron se do të ndërmarrë kallëzim penal ndaj tij dhe disa oficerëve të Policisë Gjyqësore, pasi konstatonte “elementë të veprës penale”. Kjo deklaratë u interpretua nga prokurori si kërcënim personal, çka çoi në arrestimin e avokatit.

Ndërkohë, edhe Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë ka dënuar arrestimin, duke theksuar se Barjami “u arrestua vetëm sepse i komunikoi prokurorit synimin për të bërë kallëzim penal”, dhe se një veprim i tillë bie ndesh me të drejtën e mbrojtjes dhe parimet themelore të procesit gjyqësor./L.F-dritare.net