Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Bukuroshja e mallkuar me dy emra!

Bukuroshja e mallkuar me dy emra!

Nga Rexhep Qosja!

Bukuroshja e mallkuar me dy emra!

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!

E shtunë. Ditë pushimi pa pushim. T’i shton mendimet, Bardh. T’i shton për të mirat e për të këqijat. T’i shton për shpresat e për dëshpërimet. T’i shton për të papriturat e Havasë dhe për kërkesat e Likut e Anilës.

E ke harruar premtimin që më dhe mbrëmë, thotë Liku, duke e mbyllur derën ngadalë-ngadalë e duke vënë dorën mbi librin që kisha përpara!

Nuk e kam harruar. Jo.

A të shkoj?

Shko, shko, por kur kthehesh?

Kur të më thuash ti.

Para territ.

Pse aq shpejt?

Territ s’i dihet.

E heq dorën nga libri që lexoj.

Më fal se ta preva leximin.

E vazhdoj.

Do të vij pak pas territ të parë. Nuk i frikësohem territ, tani kemi mjaft drita.

Dritat po fiken shpejt, po i fikin ata që munden, se në terr i kryejnë më lehtë punët e veta.

Çka po lexoje? Çka shkruan në këtë libër?

Të tregoj kur të vish.

Mirë, mirë, mirupafshim, babi.

Ruaje veten, bir, i thashë i brengosur.

E vazhdoj leximin.

Kur kishte lindur e kishin pagëzuar Eliza Ema Krouç. Ishte shkolluar me paratë që babait të saj, mësues i muzikës, ia sillte një baladë që kishte shkruar në fillim të mësuesisë, që ishte shumë e dashur prej lexuesve dhe dëgjuesve.

E lavdishme do të bëhet, si mantenutë, me emrin Kora Perl.

Ishte, thotë jetëshkruesja e saj, Margaret Nikoles, bukuroshe magjepsëse. Me ten si të buqetës së trëndafiltë dhe me flokë të mrekullueshëm ngjyrë gështenje. Do t’i bëhet e mundshme të këndojë e të vallëzojë edhe pse pa dhunti as për vallëzim as për këngë. Por, ajo kishte një dhunti tjetër të madhe: kishte dhuntinë e përvetësimit, të marrëzimit dhe të zhvatjes së meshkujve qoftë edhe me prejardhje të fisme e me pozita të larta. Me kohë, përpos përvetësimit edhe të meshkujve me prejardhje të tillë, madje edhe të princit Napoleon, dhuntia e saj më e madhe do të shfaqet në bixhoz, që e luante më me pasion se lojën në shtrat!

Kora Perl do ta përfundojë jetën në varfëri. Përfundim i merituar, thonë ata që shohin pak e kërkojnë shumë prej jetës!

Përfundim i pamerituar, thonë ata që shohin shumë e kërkojnë pak prej jetës!

Varrosjen e saj, që do të ishte e mjerë, do ta bëjë të denjë një i panjohur, por aristokrat, i cili varrtarëve do t’u lëshojë në duar një grumbull parash duke u thënë: zonja që po e varrosni duhet të ketë varrimin më të mirë që mund të merret me mend. Ju bëj me dije se njeriu im do të jetë këtu i pranishëm.

Varri i zonjë Eliza Ema Krouç, e bërë e lavdishme si Kora Perl, e përfundon rrëfimin për të jetëshkruesja e saj Margaret Nikoles, gjendet në Batinjon të Francës.

Edhe ne e kemi pasur dhe e kemi jo vetëm një Kora Perl, por jo me të gjitha prirjet e saj dhe jo me fatin e saj. Varfëria e trashëguar e botës sonë nuk ua bën të mundshme Korave tona shkëlqimet siç ishin ato të Kora Perl-it.

Zonjusha jonë e sotme nuk e ka tenin e trëndafiltë të asaj që quhej Kora Perl. I ka flokët të gjatë, të zinj, që i derdh në gjysmën e shpinës e në gjysmën e gjinjve të mëdhenj. Ndikimi i saj magjik në ndjenjat e meshkujve vjen prej syve të saj të kaltër, të mekur, që çelen e mbyllen ngadalë duke ia robëruar dëshirat çdo burri lehtë të robërueshëm.

Kora Perl e jona nuk e ushtron mjeshtërinë e saj, nuk e derdh bukurinë e saj vetëm në Prishtinë e në Tiranë, sidomos në Tiranë. Ajo është turiste e përkushtuar që shkon shpesh në principatat arabe, sidomos, në Dubai, prej nga kthehet me dhurata të shtrenjta jo sa ato të atyre të dyjave që quheshin Kora Perl dhe Lola Montez. Korat dhe Lolat tona të sotme nuk dihet si do ta kenë fundin, por është e sigurt se këtu s’kemi asi aristokrati që varrimin e tyre do ta bënte të denjtë siç e bëri ai aristokrati francez të denjë varrin e Kora Perl-it.

Ti, zonjusha jonë, mos harro të kujdesesh me kohë, para vdekjes, që varrin ta kesh të denjtë! S’do të harrosh në qoftë se jeta të ka mësuar se këtu, sot, gënjeshtarët me mashtrimet e me sulltanizmin e tyre të shumësendshëm, i bëjnë hiçgjë edhe dashuritë edhe varret e atyre që s’blegërojnë në vathën e tyre./dritare.net

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!