
Berisha: Dakord që partitë opozitare të dalin me një kandidat për Tiranën, por…
Dritare.net
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur i gatshëm të diskutojë brenda opozitës për përzgjedhjen e një kandidati të përbashkët në rast të zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Në një deklaratë për mediat, Berisha konfirmoi mbështetjen për bashkëpunim mes forcave opozitare, por hodhi poshtë idenë e kandidimit të një figure jo-politike.
“Për të dalë partitë opozitare me një kandidat të përbashkët, këtë e mbështes plotësisht, por që të pretendohet të zgjidhet kryetari i Bashkisë së kryeqytetit një njeri jo-politik, këtë s’e kam dëgjuar ndonjëherë,” tha Berisha, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me propozimin e deputetit Agron Shehaj.
Sipas liderit të opozitës, një kandidat për Bashkinë e Tiranës duhet të jetë i aftë të ofrojë një program konkret që çmonton, siç u shpreh ai, “batërdinë e krijuar nga politika e narkoshtetit në kryeqytet.”
“Duhet të ketë një platformë të qartë për të rikthyer qeverisjen e ndershme lokale. Nuk e di se ç’nënkuptohet saktësisht me kandidat apolitik, nuk e kam të qartë,” shtoi Berisha./L.F-dritare.net

















