Alarm në Mesdhe: Dronë iranianë drejt bazës britanike në Qipro. Ja ç'po ndodh!
Dritare.net

Dy mjete ajrore pa pilot që po i drejtoheshin bazës britanike RAF Akrotiri në Cyprus janë penguar me sukses të hënën, njoftoi zëdhënësi i qeverisë qipriote, Konstantinos Letymbiotis.
Ngjarja vjen një ditë pasi një dron goditi bazën britanike gjatë natës së së dielës, duke shkaktuar dëme minimale dhe pa raportime për viktima. Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, deklaroi më vonë se sulmi përfshinte një dron iranian.
Masa sigurie dhe zhvendosje personeli
Pas sulmit, Administrata e Zonave të Bazave Sovrane konfirmoi se po planifikohej “shpërndarja e përkohshme e personelit jo thelbësor” nga baza ajrore. Punonjësit morën mesazhe paralajmëruese për një “kërcënim të vazhdueshëm sigurie”, me udhëzime për të qëndruar larg dritareve dhe për t’u strehuar pas mobilieve.
Ministria britanike e Mbrojtjes, kishte bërë të ditur më herët se familjarët e personelit do të zhvendoseshin në akomodim alternativ si masë paraprake.
Një alarm i veçantë u ngrit edhe në aeroportin e Pafos-it, pas raportimeve për një dron të dyshuar në hapësirën ajrore, ndërsa ambasada amerikane paralajmëroi për një kërcënim të mundshëm në rajon.

Reagime nga Londra dhe Brukseli
Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se Mbretëria e Bashkuar ka pranuar një kërkesë të SHBA-së për përdorimin e bazave ushtarake britanike për sulme “mbrojtëse”. Ai theksoi se vendimi bazohet në “vetëmbrojtjen kolektive” të aleatëve dhe mbrojtjen e jetëve britanike, duke shtuar se Londra nuk është përfshirë në sulmet fillestare ndaj Iranit dhe nuk do t’i bashkohet veprimeve ofensive.
Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi se qeveria po heton detajet e incidentit, përfshirë burimin dhe kohën e sulmeve, duke akuzuar Iranin për veprime të papërgjegjshme dhe të rrezikshme në rajon.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja qëndron “fort dhe pa mëdyshje” pranë shteteve anëtare përballë çdo kërcënimi, edhe pse Qipro nuk ishte objektiv i drejtpërdrejtë.
Tensionet u përshkallëzuan pasi SHBA dhe Izraeli ndërmorën sulme të mëdha ndaj Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me raketa balistike dhe dronë ndaj objektivave amerikane dhe aleatëve në rajon.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, paralajmëroi se trupat dhe civilët britanikë në Lindjen e Mesme janë vënë në rrezik nga sulmet “pa dallim” të Iranit. Ai përmendi gjithashtu se një avion luftarak britanik kishte rrëzuar një dron iranian gjatë një patrullimi mbrojtës.
Sipas raportimeve, SHBA mund të përdorë bazat RAF Fairford në Britani dhe Diego Garcia në Oqeanin Indian për operacione të mundshme kundër objektivave iraniane.
Autoritetet qipriote kanë bërë të ditur se do të paraqesin shqetësimet e tyre zyrtare ndaj Londrës lidhur me mënyrën e menaxhimit dhe shkëmbimit të informacionit pas incidentit të së dielës, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar dhe e paparashikueshme./L.F-dritare.net