Nga Teherani në Tiranë! Frika nga lufta? Flasin qytetarët!
Dritare.net

Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme dhe përplasjet mes Izraelit dhe Iranit kanë rikthyer frikën për një konflikt më të gjerë rajonal, me pasoja globale. Në këtë klimë pasigurie, DritareTV pyeti qytetarët në Tiranë nëse ndihen të rrezikuar nga lufta dhe si i kanë përjetuar zhvillimet e fundit.
Shikoni videon e plotë dhe abonohuni në kanalin tonë në YouTube DritareTV!
Shumë prej tyre shprehen skeptikë se Shqipëria mund të preket drejtpërdrejt nga një konflikt i mundshëm.
“Ne jo, s’kemi shumë problem. Jemi vend i vogël dhe s’ka interes njeri për ne. S’kemi çfarë t’u marrin,” thotë një qytetar, duke shtuar se Shqipëria nuk përbën objektiv strategjik për askënd.
Një tjetër thekson se shqetësimi kryesor nuk është lufta, por ekonomia: “Ne të varfrit jemi. Bëjmë llogari si të dalim në fund të muajit. Lufta? Ne kemi frikë se mbetemi pa bukë, jo nga raketat.”
“Po u bllokuan anijet, ne vetëm për bukë e kemi problem. Luftë njeri me ne nuk bën, por mund të ngelim pa ushqime,”
Ka edhe zëra që e shohin situatën në një këndvështrim më të gjerë gjeopolitik. Një qytetar komenton rolin e fuqive të mëdha:
“Nëse kalon në luftë të madhe, kalon automatikisht në luftë bërthamore. Por askush nuk fiton nga ajo. Siguresa e njerëzimit sot është arma bërthamore, sepse askush s’ka garanci se do fitojë.”
Të tjerë shprehin kritika ndaj lidershipit global dhe destabilizimit të rendit ndërkombëtar, duke e cilësuar situatën si “të rrezikshme” dhe “të paparashikueshme”.
“Kur shkel normat e rendit ndërkombëtar, kthehet në xhungël. Dhe në xhungël vendos forca,”
Megjithatë, për shumë qytetarë, konflikti mbetet i largët.
“Ato janë zona të largëta nga ne. Lufta është e tmerrshme, por nuk besoj se prek Shqipërinë,” shprehet një i moshuar, i cili kujton edhe plagët e Luftës së Dytë Botërore: “Lufta është shkatërruese. Kurrë mos na ardhët.”
Ndërsa disa shpresojnë për ndryshime të tjerë mbeten të bindur se rreziku për Shqipërinë është minimal. “Shqipëria s’ka pse sulmohet. Jemi neutralë. Problemi ynë është fukarallëku, jo lufta,” përfundon një tjetër qytetar./E.P/dritare.net