
Ne jemi superheronj dhe superfuqia jonë është empatia
Dritare.net

Teksa lexoj e dëgjoj komente mbi krizën aktuale të refugjatëve në Amerikën Qëndrore, has dendur komente të tipit “Është krizë e tyre, jo problemi ynë, ndaj le të kthehen prej nga kanë ardhur” dhe nis të mendoj se ç’i shkakton këto mendime kaq larg humanizmit. Nuk është ligësi. Disa prej njerëzve pas këtyre mendimeve i njoh e kam bindjen se janë zemërmirë. Nuk është as padituri. Një pjesë e tyre janë intelektualë e disa studentë të shkëlqyer.
Por cili është shkaku që ka fuqinë t’na bëjë kaq të pandjeshëm përballë një krize humanitare? Mosnjohja e privilegjit, një gjendje apatike. Mendime të tilla mund të vërtiten veç në mendjen e kujt nuk ka njohur, kuptuar e pranuar ende privilegjin e vet.
Të gjithë jemi të privilegjuar. Nëse mendojmë që nuk jemi, gabojmë. Si? Konkretisht, ne kemi lindur në Shqipëri. Që këtu ka filluar privilegji ynë. Nëse problemet e Shqipërisë të kanë errur sytë, aq sa nuk bindesh që thjesht të lindurit në këtë vend përbën një privilegj të madh, atëherë më lejo të tregoj shkurtimisht 11 rrëfime të siguruara nga Katie Arnold e CNN. Këto 11 rrëfime vijnë nga 11 njerëz me një të përbashkët. Ata i përkasin minoritetit etnik Rohingya dhe jetojnë -ose të paktën jetonin para “operacioneve të spastrimit” të ndërmarra nga shteti i tyre- në Rakhine të Myanmar, një vend që u ka refuzuar shtetësinë ndër breza. Kaq larg pra shkon racizmi institucional drejt këtij minoriteti.
Që prej Gushtit të 2017-ës mijëra janë detyruar të braktisin vendin e tyre e të marin rrugën për në Bangladesh si e vetmja mënyrë për të shpëtuar jetën. Kështu janë krijuar këto 11 rrëfime. Rrëfime shtëpish të humbura, jetësh të humbura dhe të një rrugëtimi symbyllas drejt sigurisë aq të dëshiruar.
Nadir Ahmed është një prej tyre. Ai rrëfen momentin kur ushtarët i dogjën shtëpinë. Abul Basar rrëfen sesi ushtarët rrëmbyen dhe përdhunuan bashkëshorten e tij. Rehena Begum tregon sesi u arratis ne varkën e vetme që i shpëtoi breshërisë së plumbave, ndërkohë që dy varkat pas, me miq e familjarë të saj, u fundosën. Ushtarët mberritën me qetësi në shtëpinë e Anuwara Begum, pritën bashkëshortin e saj të kthehej në fund të ditës dhe e qëlluan për vdekje. Sajiba Begum dhe djali i saj, po ashtu, nuk e prisnin ardhjen e ushtrisë. Sajiba vrapoi drejt malit, nderkohe qe djali i saj vrapoi në anë të kundërt, drejt pyllit që i kufizonte. Kjo qe hera e fundit që ajo pa të birin, për të cilin lutet të mos ketë vdekur. Muhammed Amin tregon sesi iu desh të fshihej me ditë në pyll, ku mbijetoi duke ngrënë veç gjethe. Kobir Ahmed rrëfen sesi u ndje i pafuqishëm për të bërë diçka në momentin që shihte fëmijë dhe të moshuar, pra persona të paaftë për të vrapuar drejt arratisë, tek u dogjën të gjallë brenda shtëpive të tyre. Bashkëshorti i Leila Begum ishte duke vrapuar krah saj kur mbeti mbrapa dhe u godit me thikë për vdekje. Rohima Kadu u detyrua të shihte ushtarët tek digjnin të gjallë vajzën e saj të mitur. Mohammed Younus, i cili është ende fëmijë tregon me gjakftohtësi sesi i kishte shpëtuar mrekullisht plumbit që e goditi në kokë. Nur Ayesha, shtatzënë gjatë gjithë kësaj kohe, e mëlmyer në trishtim pyet: Në çfarë bote po lind fëmija im?
E vetmja “arsye” për këto vuajtje qe rraca e tyre. I vetmi “faj” i këtyre njerëzve është që lindën pjesë e atij minoriteti. Shkurt, që lindën. Mbase pas këtyre rrëfimeve mund ta kemi më të lehtë për të kuptuar se ç’do të thotë të kesh apo mos kesh një privilegj të caktuar. Dhe të qenurit shqiptar është vetëm një nga privilegjet me të cilin kemi lindur. Kemi edhe shumë të tjerë. Pas kombësisë vjen rraca, seksi, gjinia, gjendja ekonomike, shëndetësore e kështu me rradhë. Çfarëdo statusi të kemi për gjithë çfarë përmenda më lartë, të jemi të bindur se e kemi një privilegj. Sado në pozita jo dukshëm të favorshme që mund të jemi, përsëri në raport me shumë të tjerë, secili prej nesh gjithmonë do e ketë një privilegj.
Por pse është kaq e rëndësishme ta kuptojmë privilegjin tonë, ta njohim e ta pranojmë atë? Ku qëndron rëndësia praktike e gjithë kësaj? Është e rëndësishme sepse të njohurit dhe të pranuarit e privilegjit është rruga e vetme që të çon drejt empatisë. Empatia, në mendimin tim, është virtyti më i rëndësishem që mund të ketë një njeri. Sa vend më i mirë do të ishte kjo botë nëse çdokush prej nesh do të ishte empatik! Ama që të bëhemi empatik, duhet të fillojmë proçesin e gjatë dhe të vështirë të njohjes së privilegjit tonë. Gjatë këtij proçesi do të kuptojmë se çdo arritje e jona, përveç punës sonë të palodhur sigurisht, i përket gjithashtu pazgjidhshmërisht edhe privilegjit tonë. Është privilegji ynë që na ka lejuar të fillojmë të bëjmë atë punën e palodhur që më pas na çoi drejt arritjes së qëllimeve tona.
Në momentin që e kemi kuptuar këtë plotësisht, atëherë natyrshëm fillojmë të luftojmë çdo ditë, si e sa të mundemi, për personat më pak të privilegjuar se ne. Në të njejtën kohë dikush më i privilegjuar se ne, kur kupton privilegjin e vet, fillon të luftojë për ne, më pak të privilegjuarit. Kështu krijohet një efekt domino shumë i fuqishëm. Kjo, pikërisht, është superfuqi. Superfuqi që gjithësecili prej nesh e ka. Superfuqia për të përdorur njohjen e privilegjit tonë për tu bërë empatik. Të qënurit empatik pasqyrohet në çdo cep të jetës sonë. Pasqyrohet duke e bërë çdo veprim, qëndrim, vendim tonin një luftë për më pak të privielgjuarit e rrjedhimisht një luftë për më shumë drejtësi e shanse të barabarta për të gjithë. Kështu ne bëhemi pjesë e ndryshimit të tërë, të madh. Nisim rrugëtimin e gjatë, mbase të ngadaltë, por të vazhdueshëm drejt asaj që sot na duket një utopi. Drejt një bote miqësore për të gjithë, ku mbizotëron drejtësia, shanset e barabarta dhe ku asnjë qënie e ndjeshme nuk detyrohet të vuajë. Marrja pjesë në këtë rrugëtim na bën superheronj./ Dritare.net

















