Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndryshon planifikimi i konsultave në QSUT, ja si duhet të veproni!

Ndryshon planifikimi i konsultave në QSUT, ja si duhet të veproni!
Duke nisur nga java e ardhshme, rezervimi i konsultave ambulatore për kardiokirurgjinë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të bëhen nëpërmjet numrit të telefonit, si dhe shërbimit online.

Për të shmangur radhët e pritjes, si dhe procedurat e tjera burokratike, autoritetet e QSUT-së bëjnë me dije se duke nisur nga data 25 qershor, edhe konsultat ambulatore të kardiokirurgjisë do mund të rezervohen nëpërmjet këtyre dy numrave të telefonit, 0800 28 28 dhe 04 23 49 217, si dhe shërbimit online të platformës “Rezervo Konsultën Ambulatore” në faqen http://konsultat.qsut.gov.al.

Po në të njëjtën formë do të veprohet edhe për konsultat e shërbimeve të tjera mjekësore, ku për secilin prej tyre janë përcaktuar edhe numrat e telefonit për konfirmimin e konsultave. Duhet të dini se planifikimi i konsultave dhe ekzaminimeve përkatëse bëhet vetëm nëse keni marrë më parë rekomandimin nga mjeku i familjes dhe ai specialist i lagjes. Kjo në mënyrë që konsultën ta kryeni pa pagesë, sikundër e përcakton edhe sistemi i referimit. Gjithashtu bëhet e ditur se për të kryer konsultën duhet të jetë i pranishëm vetë pacienti dhe jo familjarët e tij.

“Konsultat e kardiokirurgjisë do të kryhen pranë Qendrës Kombëtare të Konsultave çdo ditë të javës nga e hëna në të premte nga ora 10:00-14:00, sipas orarit të përcaktuar për secilin pacient. Orari i marrjes së mostrave biologjike për analiza laboratorike: 7.30-11.30. Rekomandohet që të mos keni ngrënë asgjë 10 orët e fundit para marrjes së analizave të gjakut, me përjashtim të ujit. Pacientët me diabet duhet të konsultohen me mjekun kurues. Përgjigjja e analizave merret tek zyra e informacionit pas orës 14.00 (sipas afatit të përcaktuar në fletën e dhënë nga laboratori, pas marrjes së materialit për analizë)”, bëjnë me dije specialistët e QSUT-së.

Çdo konsultë do të kryhet sipas radhës së planifikuar. Autoritetet e kësaj qendre spitalore kanë detajuar edhe një sërë rregullash që duhet të ndiqni gjatë ditës që do të kryeni konsultën. Sipas tyre, ndalohet qëndrimi në qendër i familjarëve, me përjashtim të rasteve kur shoqërimi i pacientëve është i domosdoshëm.

Udhëzimet që duhet të ndiqni për konsultat:

Të gjithë pacientët që paraqiten në Qendrën Kombëtare të Konsultave duhet të kenë planifikuar më parë vizitën, apo ekzaminimin që kërkohet, bazuar në rekomandimin e mjekut.

Respektoni oraret tuaja të planifikimit (mjafton të paraqiteni 15 minuta më parë).

Gjatë hyrjes në këtë qendër, duhet të tërhiqni numrin tuaj rendor dhe drejtohuni në sportel për t‘u regjistruar. Paraqisni në recepsion të gjithë dokumentet e kërkuara që të përfitoni falas vizitën tuaj.

Për të kryer konsultën duhet të jetë i pranishëm vetë pacienti (jo familjarët).

Qëndroni në hollet e përcaktuara të pritjes deri sa të vijë radha juaj e konsultës.

Ndalohet qëndrimi në qendër i familjarëve, me përjashtim të rasteve kur shoqërimi i pacientëve është i domosdoshëm.

Në rast nevoje, kërkoni ndihmë tek koordinatorët e këtij shërbimi, si dhe dëgjoni me kujdes këshillat e personelit mjekësor dhe atij administrativ.

Ndërsa për pacientët që paraqesin urgjencë mjekësore, bëhet e ditur se duhet të drejtohen pranë shërbimeve të Urgjencave, ku do të marrin trajtimin e duhur. Ky shërbim ofrohet për të gjithë qytetarët 24 orë pa ndërprerë dhe pa pagesë. /DITA