Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mjeku shqiptar Emir Hoti, drejtues i ekipit që kreu për herë të parë transplantin e mëlçisë dhe të mushkërive në Irlandë

Mjeku shqiptar Emir Hoti, drejtues i ekipit që kreu për herë
Një ngjarje që ka marrë jo pak vëmendje të mediave të huaja, ka qenë transplanti i dyfishtë i mushkërive dhe i mëlçisë, i kryer në të njëjtën kohë tek një pacient 29 vjeçar në Irlandë.

Operacioni është finalizuar me sukses, ndërsa pjesë e rëndësishme e këtij procesi ka qenë edhe mjeku shqiptar, Emir Hoti, informon dritare.net.

Për këtë operacion të vështirë kanë punuar dy ekipe kirurgjikale të transplantit, një nga Reparti i Zemrës dhe Mushkërive në Spitalin Mater dhe një tjetër nga Reparti Kombëtar i Transplantit të Mëlçisë në Spitalin Universitar St.Vincent, i cili drejtohet nga mjeku shqiptar, Hoti, informon dritare.net.

Lars Nölke, shefi i Repartit të Transplantit të Zemrës dhe Mushkërive në Spitalin Mater tha se konsultat midis dy ekipeve mjekësore ishin zhvilluar disa javë para operacionit të Robert Sheahan ku çdo gjë ishte skicuar me detaje.

“Dy skuadrat e mjekëve punuan shumë ngushtësisht për këtë operacion, duke parashikuar çdo skenar të mundshëm. Vetëm pas shumë diskutimeve dhe një pune të madhe, ishim gati ta vendosnim Robertin në listën aktive për transplant”, thotë Nolke.

Emir Hoti, Shef i “National Liver Transplant Programme” në Spitalin Universitar "St Vincent's" tregon se ata fillimisht kryen transplantin e mëlçisë tek i riu.

(Mjeku shqiptar Emir Hoti majtas, në mes pacienti  29 vjeçar, Robert Sheahan dhe djathtas mjeku Lars Nölke)

“Roberti ka përfituar më shumë nga çdo person që kam parë apo trajtuar për transplant. Fakti që kjo ndërhyrje është e para për Irlandën tregon sesa shumë kemi ecur në drejtim të programit tonë të transplantimit”, tha Hoti.

Kur transplanti i këtij organi u krye me sukses, mjeku tjetër Lars Nölke dhe skuadra e spitalit Mater filluan të kryenin fillimisht transplantin e njërës mushkëri, pastaj të së dytës.

Në operacionin që zgjati mbi 10 orë u përfshin më shumë se 15 mjekë profesionistë, informon dritare.net.

Pas një kohe të gjatë rikuperimi, 29 vjeçari, Robert Sheahan mundi të dilte nga spitali në gusht të këtij viti.

Ai ishte diagnostikuar me fibrozë cistike që fëmijë, por vetëm në mes të të 20-ave të tij filloi të kishte përkeqësim të gjendjes shëndetësore.

Si shumë njerëz që jetojnë me fibrozë cistike, Roberti kishte shumë probleme me organet e tjera. Funksionimi i  mëlçisë së tij ishte aq i dobët sa ai nuk mund ta përballonte me sukses vetëm transplantin e mushkërive, informon dritare.net.

Mjeku shqiptar Emir Hoti, është djali i kirurgut të njohur shkodran Ferid Hoti, i ndarë nga jeta pak vite më parë./ J.H, dritare.net