
Mirela Kumbaro: Ja si do ta zhvillojë Shqipërinë, trashëgimia kulturore!
Dritare.net

Mirela Kumbaro: Në fakt të falënderoj unë që ke ardhur nga Tirana në Apolloni dhe mirë se ke ardhur. Unë vij shpesh këtu, sidomos tani që kemi hapur edhe kantierin e punimeve të reja për rehabilitimin e plotë të Parkut të Apollonisë. Këtu ndodhemi pikërisht poshtë Muzeut dhe afër trapezarisë që është një ndër kantierët më të rëndësishëm të restaurimit. Bashkë me Kishën e Shën Mërisë, është pa dyshim një nga parqet më të rëndësishme arkeologjike që ne kemi.
Mirela, Apollonia është një ndër parqet më të vizituara që kemi?
Më i vizituari është Butrinti për e para, sepse është edhe më i madh për nga numri i objekteve dhe monumenteve, por Apollonia është shumë i shtrirë në fakt; e dyta, kemi ende një punë për të bërë, që e kemi nisur bashkë me Autoritetin Rrugor shqiptar, për të mbaruar një segment që lidh bypass-in me Apolloninë. Ka një segment të shkurtër, pak kilometra, por që gjithsesi e bën pak të vështirë për të ardhur deri këtu. Tani që do bëjmë edhe rehabilitimin, ky nuk është vetëm restaurim, por do të ketë edhe itinerare të reja shëtitëse për vizitorët dhe do të ketë shërbime të reja sepse bëjnë një ndërhyrje të thellë në sistemin sanitar, në logjistikëm e parkut, etj. Kështu që vitin tjetër unë jam shumë e bindur që Apollonia, dhe ne madje jemi duke menduar të përgatisim dosjen, ashtu si Butrinti, meriton të hyjë në pasuritë botërore të UNESCO-s. Apollonia ka një gjë fantastike, që ka edhe peizazhin, sheh detin, fushën, qytetin e Fierit, Semanin. Pra është një ndër pikat më të frekuentuara, sidomos nga turizmi lokal dhe për shkak të tempullit dhe për shkak të shtrirjes gjeografike dhe ullinjve, tërheq edhe shumë vizitorë.
src="https://www.cdnimpuls.com/dritare.net/media/6a06def6bf2056577a265b4bc486bb33.jpg" alt="image" width="640" height="360" class="alignnone size-thumbnail wp-image-54491" />
Jo vëtëm vizitorë. Ndërkohë që po flasim një nuse sapo doli nga kisha dhe po bën fotografitë e rastit.
Në fakt këtë desha të thosha, që kërkohet shumë nga vizitorët lokalë edhe për këto rituale sociale. Për shembull, në festat tradicionale të vendit, Parku i Apollonisë kthehet plot me fëmijë dhe studentë. Gjithmonë e më shumë e zgjedhin si një vend dekor, për shembull kanë bërë mbrëmjet e maturës dhe fati që kërkohet për dasma, sikurse rastisëm sot e bën këtë atë që kemi thënë, që pasuria e trashëgimisë kulturore nuk është një natyrë e vdekur, por një vend ku duhet jetuar. Kur është ndërtuar parku për të jetuar, varrezat, kishat, janë vende ku njerëzit kanë jetuar dhe nuk kemi pse të mos i rijetëzojmë sot, pra edhe t’i ruajmë, por edhe t’ia japim njerëzve për të jetuar sepse përndryshe, si çdo banesë tjetër, ti po nuk jetove aty brenda, ajo vdes.
Që do të thotë se nuk duhet të kemi frikë nga prekja e këtyre monumenteve, rijetëzimi është pikerisht ky.
Absolutisht jo. Në fakt po luftojmë për mjete të reja për mbajtjen e trashëgimisë kulturore siç është financimi i këtij parku që po bëhet falë bashkëpunimit Ministrisë së Kulturës me Projektet IPA dhe jemi në një bashkëpunim me fonde rreth 700 mijë euro me BE, që janë investuar dhe do të investohen gjatë gjithë këtij viti këtu në park, por në të gjitha sitet e tjera na duhet patjetër që të shfrytëzojmë të gjitha burimet financiare. Nuk duhet të kemi frikë nga kjo gjë, por po luftojmë kundër dy gjërave: kundër një frike të madhe që kanë njerëzit nga keqpërdorimi i trashëgimisë në këto25 vite që më së shumti ose është lënë të rrënohet, ose është lënë në shërbim të interesave private. Dua të sjell këtu në vëmendjen tuaj historinë e Kalasë së Lezhës sepse kjo është historia që ka bërë më shumë zhurmë. Ne kemi marrë një lajm jo të mirë sepse, pasi ne kthyem mbrapsht projektin e Kalasë së Lezhës ku gjetëm plot shkelje ligjore nga autoritetet e Ministrisë së Kulturës, të cilat i kemi denoncuar edhe në prokurori dhe prej së cilës nuk kemi asnjë përgjigje as sot e kësaj dite, subjekti na ka hedhur në gjyq, ka fituar Shkallën e Parë ndërkohë që të gjitha dokumentet ishin në favorin tonë. Ne e kemi apeluar dhe sapo kemi marrë përgjigjen që Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar ankimimin tonë. E them me plot gojën që është skandaloze sesi sistemi i drejtësisë, i kalbur deri në atë pikë saqë të dëmtojë edhe trashëgiminë kulturore. Në sigurisht që do ta vazhdojmë betejën në Gjykatën e Lartë, por kjo duhet të jetë më së pari një betejë e opinionit publik në mbrojtje të trashëgimisë kulturore sepse na përket neve dhe kundër sistemit gjyqësor i cili në vend që të jetë në mbrojtje të së drejtës, në këtë rast po e dëmton atë.
Isha në Vuno dhe përsëri pashë dorën tuaj, ishte kisha e saporestauruar.
Dhërmiu, Vunoi, Qeparoi, fshati Himarë e vjetër janë pasur kulturore të cilat nuk kanë qenë asnjëherë as objekt restaurimesh dhe as objekt studimesh. Në kuadrin e programit të rilindjes urbane dhe të rijetëzimit të zonave të trashëgimisë kulturore në të cilat ne besojmë fort që ka një motor zhvillimi të jashtëzakonshëm, fshatrat e bregut të cilat pak janë promovuar sepse gjithmonë është folur për detin, por bregu ka fantastike atë që e ka të traditës, arkitekturën, banesat, mënyrën e jetesës. Ky është një burim jo vetëm për t’u observuar, por një burim për t’u shfrytëzuar ekonomikisht. Kjo është arsyeja pse ne kemi shpallur zona të trashëgimisë kulturore dhe qendra historike, Dhërmi, Vuno, fshati Himarë e vjetër dhe jemi në proces për Qeparoin që për fat të mirë është ndër më të ruajturit, por edhe ai është në proces dhe për dy javë kalon në Këshillin e Ministrave me të njëjtin status dhe ne ndërkohë kemi bërë një aksion në muajin mars, prill dhe maj të shkatërrimit dhe prishjes, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Territorit për të prishur të gjithë objektet të cilat janë ndërtuar pa leje në këto 25 vite. Unë dua të falënderoj banorët e Dhërmiut dhe të Vunoit të cilët kanë qenë shumë bashkëpunëtorë në prishjen e atyre gjërave që ata kanë ndërtuar pa leje. Nuk e prisja.
Nuk ishin kundër.
Nuk ishin kundër sepse në këmbim ne u kemi ofruar projektin e restaurimit të banesave reale që ata kanë trashëguar. Që do të thotë se të dy këto fshatra, si fazë e parë do të fillojë puna në vjeshtë për restaurimin e banesave, fasadave tradicionale për rikualifikimin e shesheve qendrore, me ndriçim, kanalizime dhe shtrim të rrugëve. E gjithë ideja është që atyre t’u rikthehet peizazhi që historia u ka dhuruar, që vetë njerëzit, paraardhësit e tyre kanë ndërtuar, që turistët dhe vizitorët të mos shkojnë vetëm në plazh, ku tashmë shumë dëme janë bërë, por të ndalojnë atje për një drekë, për një kafe, për të fjetur.
Sa kohë do të kërkojë kjo, Mirela?
Dhërmiu dhe Vunoi do të jenë gati për sezonin tjetër.
Me çfarë parash realizohen këto?
Atëherë, kemi bashkëpunim të fondeve të buxhetit publik, dhe deri tani kemi punuar me fondet e Ministrisë së Kulturë dhe të Institutit të Monumenteve të Kulturës që kanë bërë të gjithë punën përgatitore dhe jemi në bashkëpunim me donatorë të Bankës Evropiane për Zhvillim për të bërë realizimin e punimeve. Të gjitha këto projekte asnjëherë nuk mund të kenë një burim të vetëm financiar. Është shumë e rëndësishme që ne të sensibilizojmë të gjithë këta burime, të mundshme, qysh nga donatorët, biznesi, partnerët tanë ndërkombëtarë dhe unë besoj që në momentin që ne bëjmë këtë fazë të parë, pra nxjerrim projektet, bëjmë restaurimin e pjesëve publike, këtu unë do t’i bëja një thirrje biznesit privat për t’i thënë që ka një potencial ku shteti po bën gati terrenin që ju të vini të investoni për interesat tuaja private, por në bashkëpunim me shtetin, jo në dëm të trashëgimisë. Trashëgimia është motor zhvillimi, ky është slogani ynë, e besoj shumë fort dhe duhet të ecë në këtë rrugë.
Pse është motor zhvillimi, çfarë sjell trashëgimia?
Sapo dhashë shembullin e Dhërmiut dhe Vunoit. Më pas kemi Korçën, të cilën e filluam para një viti dhe ja ku jemi sot, kemi restauruar pazarin e Korçës, që është bërë me dy burime financiare, me buxhetin e shtetit dhe me mbështetjen e Fondacionit shqiptaro-amerikan për Zhvillim, që është një ndër partnerët tanë më të rëndësishëm. Por kjo nuk mjafton, ne e restauruam dhe shikoj që ka një lloj ngurrimi nga bizneset për t’u futur dhe për të hapur biznes.
Sepse janë në kontroll?
Jo se janë në kontroll, por sepse ka humbur tradita e tregut me tendencë turistike, ndërkohë që ka qenë në rënie e lirë kjo lloj prirjeje dhe nuk janë shfrytëzuar artizanatet, nuk janë shfrytëzuar traditat. Pra, ajo që duhej të ishte potencial zhvillimi, është lënë të rrënohet dhe nuk është aq e thjesht ta rikthesh këtë mentalitet dhe në mes të pazarit të Korçës nuk mund të vazhdosh të shesësh më produktet plastike që vijnë nga tregu aziatik, me gjithë respektin për tregun aziatik, por duhet që ta tërheqim publikun me një treg ndryshe. Kjo është arsyeja pse Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit për Turizmin, znj. Ekonomi, ishte para dy javësh bashkë me Bashkinë e Korçës dhe në bashkëpunim me Fondacionin amerikano-shqiptar, ku shpallën programin e granteve të vogla për biznesin e vogël, pikërisht për të stimuluar. Pra siç e shihni ecet me disa paketa, me paketë të trashëgimisë kulturore, që është restaurimi, me paketa promovimi kulturor sepse të gjitha këto site i kemi kthyer në vende ku zhvillohet teatër, ku bëhen koncerte dhe Apollonia është një vend që kërkohet shpesh për të bërë aktivitete kulturore të gjalla dhe me paketa ekonomike. Unë besoj shumë fort që për dy vjet kjo do të japë rezultatet e veta, me gjithë mosbesimin që na rrethon. Dhe vjen ajo që thashë më parë, është lufta që ne po bëjmë kundër frikës, se kur je djegur nga qulli shkon i fryn edhe akullit dhe unë këtë e kam ndjerë, por kjo kërkon guxim dhe ne ky guxim ne nuk na mungon.
Isha në Rehovë, Ersekë dhe më bëri shumë përshtypje muzeu.
Ka potenciale fantastike ai muze. Ne jemi duke përgatitur një surprizë
që shumë shpejt do të bëhet publike, kështu që për momentin dua ta ruaj këtë surprizë dhe t’ia shpalosim në momentin e duhur publikut të Ersekës ato thesare që ne kemi gjetur atje.
Po në veri, ku keni kryer ndërhyrje?
Unë kam dy qytete që vet i kam shumë përzemër dhe i quaj dy kryeqytetet kulturorë të Shqipërisë që janë Korça dhe Shkodra. Këto janë dy qytete që kanë një potencial historik të jashtëzakonshëm dhe ruajnë përbrenda një tharm që është një mëkat nëse nuk ua stimulon dhe nxjerr në pah. Shkodra ka një publik të jashtëzakonshëm, ka një histori të jashtëzakonshme dhe ka personalitete artistike të fuqishme dhe praktikisht, investimet tona kulturore në Shkodër janë përqendruar shumë në këto dy vite. Siç ju e dini, ne kemi inauguruar muzeun Marubi për të cilin çdo shqiptar ka të drejtë të ndjehet krenar dhe jo vetëm Shkodra sepse është një thesar kombëtar që tregon bashkëkohësinë artistike të Shqipërisë njësh me qytetërimet e tjera evropiane qysh në shekullin e XIX e fillim të shekullit XX. Ndërkohë Shkodra ka disa ndërtesa të cilat jo vetëm janë lënë të rrënuara në 25 vite, por janë lënë që të tjera ndërtime të paligjshme të ndërtohen pranë tyre. Kam parasysh këtu dy godina, Kafja e Madhe dhe Kulla e Inglizit. Shpesh herë ka dëgjuar të thonë si i ka lënë Ministria e Kulturës apo shteti.
Ministria e Kulturës dhe qeveria shqiptare, madje as shteti më i pasur në botë, nuk mund të hyjë dhe të restaurojë çdo cep që ka një pronësi private, po nuk pati bashkëpunim. Ndonjëherë madje ka pasur vullnet të keq nga ana e pronarëve privatë me mendimin që ose ta lëmë atje të bjerë për të ndërtuar një gjë betoni, ose të presim se shteti diçka do bëjë. E gjej këtë fenomen në Gjirokastër, e kam gjetur në Korçë. Dhe në fakt Kafja e Madhe në bashkëpunim me pronarin dhe investitorin do të fillojë brenda pak javësh punën për restaurimin e plotë të saj. Ne kemi aprovuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve projektin e plotë të restaurimit. Kështu që Kafja e Madhe, me gjithë çka rrotull do të jetë pas një viti e gatshme për t’u përdorur siç është përdorur tradicionalisht. Kulla e Inglizit që është një kullë fantastike dhe një ndërthurje kulturash të jashtëzakonshme siç mund t’i gjesh vetëm në Shkodër, ka 28 pronarë. Unë kam folur me një pjesë prej tyre, por nuk arrin dot të flasësh me të gjithë dhe në këto raste zgjidhjet janë shumë të vështira, sidomos kur për vite të tëra është keqtrajtuar. Janë ndërtuar pranë godina të tmerrshme në sy të pushtetit lokal, në sy të pushtetit qendror dhe nuk është kaq e lehtë që brenda 3 vjetësh të mund të çbësh atë që është bërë në 25 vjet. Kështu që kjo kërkon guxim dhe përkrahje dhe unë nuk lë rast pa i bërë thirrje të gjithë partnerëve, banorëve. Trashëgimia kulturore nuk i përket shtetit, është e të gjithë shqiptarëve. Secili ka mundësinë të kontribuojë dhe secili ka mundësinë të nxjerrë një përfitim qoftë duke bërë edhe një dasmë të bukur.
Një verë më parë kemi qenë në Amfiteatrin e Durrësit për të bërë një emision të bukur me vajzat e gazetarisë kulturore. Tani jemi këtu dhe pyetja është e njëjtë, çfarë bëhet me turizmin kulturor. Cila është oferta e kësaj vere?
Ne, nga viti në vit, e kemi përmirësuar atë që ju e quajtët ofertë dhe që ne e quajmë kalendari artistik. Ministria e Kulturës e ka ndërtuar kalendarin kulturor që, sidomos gjatë sezonit të verës, ta delokalizojë, ta nxjerrë nga Tirana dhe ndërkohë që flasim, nesër fillon me Gjirokastrën sepse shënon 11 vjetrin e hyrjes së Gjirokastrës në UNESCO dhe do të ketë atë që e kemi quajtur ‘koncert në gur" që do të jetë koncert dedikuar në sheshet e Gjirokastrës dhe në Kalanë e Gjirokastrës. Skena e festivalit do të kthehet në një koncert ku do të ketë shumë grupe rroku që do të performojnë. Para një jave, po në Gjirokastër, kishim një ndër festivalet Open Air Film, fillon javës tjetër në Berat festivali multikulturor, u mbyll në Durrës festivali i muzikës së dhomës, në Shkodër ishte festivali i xhazit, është duke u zhvilluar festivali i muzikës ‘Vox Baroque’ që po zhvillohet këtu në Apolloni dhe në sheshet e hapura kudo ka site të trashëgimisë kulturore. Muzeu Marubi në Shkodër është i hapur paralelisht edhe për vizitorët, edhe për aktivitete që zhvillohen brenda tij.
Ju bashkëpunoni me çdo lokalitet, apo jo?
Ne bashkëpunojmë me pushtetin lokal, me organizatat e pavarura dhe këtë e ndërtojmë qysh në janar, pra ky kalendar për të cilin po flasim është mbyllur qysh në janar, janë paketa të gatshme dhe ne vetëm kemi promovimin dhe e nxisim. Ky kombinim, i asaj që ne e quajmë kulturë të gjallë me trashëgiminë kulturore, është një ofertë shumë e mirë që institucionet e kulturës, publike në bashkëpunim me skenën e pavarur bëjnë edhe për të rigjallëruar jetën e atyre njerëzve. E di si është puna Rudina, është shumë e domosdoshme që ne t’i japim njerëzve që banojnë atje gjithë vitin, arsye dhe emocion për të jetuar. Një ndër dramat që unë besoj se kanë pësuar në këto 25 vite sitet e trashëgimisë kulturore apo qytetet si Gjirokastra, fshatrat e Gjirokastrës, është fakti që janë braktisur nga banorët. Gjirokastra për shembull e ka vuajtur jashtëzakonisht shumë këtë. Në inventarin e monumenteve të kulturës që ne kemi bërë, në mënyrë dramatike kemi konstatuar që janë vetëm në Gjirokastër mbi 300 banesa të cilat janë në gjendje goxha të rëndë sepse një pjesë e tyre janë braktisur nga pronarët, dhe këto janë banesa fantastike. Edhe ju besoj do ishit dakord me mua nëse do ju thosha që edhe sikur shteti të hedhë miliona për të restauruar banesa të cila nuk përdoren, pas 10 vjetësh do të jemi në të njëjtën situatë. Pra, strategjia jonë, dhe ne do futemi tani fuqishëm në shtator në Gjirokastër, jemi duke punuar përsëri me këta donatorë të rëndësishëm, për të ndërtuar një projekt strategjik për të tërhequr pronarët, por edhe investitorët e mundshëm të cilët në bashkëpunim me ne, të cilët garantojmë ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ata atë të zhvillimit të biznesit. Në Gjirokastër ne jemi në momentin ku po punojmë për projektin e restaurimit të Pazarit të Gjirokastrës me të njëjtin fondacion që kemi punuar për Korçën, pazarin e Krujës që është Fondacion shqiptaro-amerikan për Zhvillim. Gjithë ideja jonë është që jo vetëm të restaurohen monumente të vdekura vetëm për periudhën e verës, është shumë e rëndësishme që Gjirokastra të jetohet në 12 muajt e vitit, është shumë e rëndësishme që Korça të jetohet në 12 muajt e vitit dhe jo vetëm në sezonin e verës sepse nuk e mbajmë dot. Megjithatë kam disa sinjale pozitive; janë shtuar shumë vizitorët. Për shembull, po shihnim statistikat e gjashtë muajve të parë të vitit 2016 dhe është shumë interesante që deri në 30 qershor, krahasuar me një vitin 2013, në shumë vite, përfshirë dhe Apolloninë, numri i vizitorëve është dyfishuar që do të thotë se nëse sot kemi rreth 14 mijë vizitorë deri në 30 qershor vetëm në Apolloni, kemi pasur jo më shumë se 8 mijë vizitorë gjatë gjithë vitit për vitin 2013. Por prapë është e rëndësishme sepse trendi është më i lartë se në vitin 2015. Për shembull, kemi 50% më shumë këtë vit në Amfiteatrin e Durrësit sesa krahasuar në të njëjtën periudhë vitin e kaluar. Pra të gjitha këto shifra që në fakt vijnë sepse kemi bërë investime, në Amfiteatrin e Durrësit kemi bërë një ndërhyrje historike sepse kemi pastruar Arenën nga shtëpitë që ndodheshin brenda në arenë, të cilët i shpronësuam brenda vitit të kaluar.
Ndërkohë që kemi edhe 8 të tjera që janë rreth kurorës së arenës të Amfiteatrit, që është një nga perlat e trashëgimisë sonë kulturore, që duhen pastruar. Pra ajo që besoj se ka ndikuar shumë është promovimi i fuqishëm dhe oferta për të cilën folët ju, duke sjellë muzikën, pikturën, qoftë edhe muzikën rrok duke sjellë një publik të ri, ky është shansi që do duhet të rrisë jo vetëm vizitorët, por sfida jonë është të krijojmë formula të reja menaxhimi. Kjo është sfida e trashëgimisë kulturore dhe me gjithë zhurmën negative që është bërë, unë besoj shumë fort që partneriteti publik-privat është një ndër rrugët më të suksesshme. Vetëm para dy javësh UNESCO ka bërë një thirrje ku kërkon partneritet publik-privat me UNESCO-n për sitet e trashëgimisë botërore. Unë nuk e kuptoj pse duhet të kemi frikë nga kjo. Qysh nga momenti që vendosim rregulla transparente dhe e respektojmë ligjin, le të kemi guximin që t’i japim dorën privatit dhe t’i vëmë privatit kufijtë për sa i përket ruajtjes së trashëgimisë. Ky është kushti dhe vetëm me këtë kusht ne do të mund të arrijmë të menaxhojmë trashëgimin afatgjate./dritare.net

















