Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Miratimi i reformës, Bushati: U shënua fillimi i fundit të tranzicionit

Miratimi i reformës, Bushati: U shënua fillimi i fundit të
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka reaguar pas miratimit unanim të reformës në drejtësi. Sipas tij, kjo reformë shënon fillimin e fundit të tranzicionit.

“Miratimi i reformës së drejtësisë unanimisht nga Kuvendi, shënon fillimin e fundit të tranzicionit. Arkitektura e re e drejtësisë kërkon më shumë mund, urtësi, ujdi mes aktorëve politik e shoqëror, fuqizim të kapaciteteve njerëzore e investime në infrastrukturë. Më shumë bashkëveprim me ekspertizën ndërkombëtare, për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë, për të fituar besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe për të hedhur themelet e një paqeje të re sociale.

Koha nuk pret! Zbatimi i menjëhershëm i reformës është e vetmja rrugë që qytetarët të ndjejnë efektet e pritshme dhe vendi të përparojë drejt çeljes së negociatave për anëtarësim në BE. Ritmi i zbatimit të reformave është njësia matëse e trajektores së demokratizimit të vendit dhe ecurisë së procesit të integrimit europian. I kemi të gjitha mundësitë që edhe përmes bashkëveprimit të demonstruar me partnerët tanë strategjik SHBA dhe BE, ta kthejmë reformën në drejtësi në një shembull frymëzimi për mbarë rajonin”, tha Bushati.