

Nga Fatmir Toçi
Teknikisht me projektligjin që diskutojmë sot kërkohet miratimi i një marrëveshje huaje midis vendit tonë dhe Fondit Kuvajtian të Zhvillimit Ekonomik Arab për financimin e një segmenti rruge sipas projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës”, 94 km e gjatë, nga Selenica (bashkë me urën mbi lumin Vjosë) deri në Bregdet, me kosto rreth 78 milionë USD përfshi TVSH.
Huaja kuvajtiane është 12 milionë dinarë kuvajtianë ose rreth 40 milionë USD, me interes 2% në vit, me periudhë maturimi 24 vjet, ku përfshihet edhe periudha pa pagesë principiali prej 5 vjetësh. Ky financim, bashkë edhe me një kontribut të Qeverisë Shqiptare, do të përdoren për financimin e rehabilitimin e fazës së parë të projektit, segmentin Vlorë–Ura e Peshkëpisë–Ura e Laskos, në afërsi të Kuçit–Qeparo. Rruga do të jetë me standarde bashkëkohore dhe rritje të ndjeshme të sigurisë së qarkullimit rrugor, 9 metra e gjerë, nga të cilat 7.5 metra e asfaltuar, me dy kalime me shpejtësi të lartë lëvizjeje, ku përfshihen edhe punime rehabilituese të drenazhimit, të pajisjeve të sigurisë dhe ndriçimit edhe në kalimet e këmbësorëve në qendrat e banuara që shtrihen përgjatë rrugës.
Procedurat e tenderimit ndërkombëtar kanë filluar dhe janë në proces. Deri nga fundi i muajit gusht do të bëhet e njohur edhe firma fituese dhe pritet që shtatori i këtij viti të jetë muaji i fillimit të punimeve në 2 ose 3 kantierë njëherësh. Afati i përfundimit të punimeve në gjithë aksin Vlorë–Kuç – Qeparo parashikohet 2–3 vjet. Rruga e Lumit të Vlorës është një nga dy akset kryesore që përshkon gjithë luginën e lumit me të njëjtin emër dhe që lidh Vlorën me Himarën, Borshin e gjithë bregun e jugut deri në Sarandë përmes një rruge kryesisht në ultësirë, e gjitha përgjatë Lumit piktoresk të Shushicës, në një terren të rrafshët e që nuk bllokohet kurrë nga dëbora dhe ngricat, të cilat në dimër e ndërpresin herë pas here çdo vit lidhjen me bregun në Llogora. Ky është aks kryesor për tri bashki të jugut, ato të Vlorës, Selenicës dhe Himarës, ndërkohë jo pak, por mbi 70 fshatra të këtyre bashkive e kanë të lidhur jetën dhe ekzistencën e tyre me këtë rrugë.
Më konkretisht, duke iu referuar ndarjes së vjetër administrative, me këtë rrugë është i lidhur fati dhe zhvillimi normal i jetës për qytetin e Selenicës, 7 fshatrat e Armenit, 12 fshatrat e Vllahinës, 10 fshatrat e komunës së Kotës, 8 fshatrat e Sevasterit, 10 fshatrat e komunës Brataj, 5 fshatrat e Vranishtit, 7 fshatrat e Himarës, 5 nga 12 fshatrat e komunës Qendër, 3 nga 9 fshatrat e komunës së Shushicës, pa përmendur këtu edhe mundësinë e lidhjes më këtë rrugë të 10 fshatrave të Kurveleshit të Sipërm, vetëm 6 km larg nga Buronjat e Kuçit. Bashkia e Selenicës, me 47 fshatrat e saj dhe rreth 40.000 banorët që e përbëjnë, sipas ndarjes së re administrative është tërësisht e lidhur dhe e ndërvarur nga ekzistenca dhe cilësia e kësaj rruge që e lidh me Vlorën, Fierin (pas ndërtimit të urës mbi Vjosë) dhe Bregun në Himarë në ekstremin tjetër të kësaj rruge.
Në të gjithë vendin mund të ketë probleme me rrugët dhe nevoja për rehabilitimin dhe përmirësimin e gjendjes së tyre, por vështirë se gjen aks rrugor, si ky i Lumit të Vlorës, me kaq shumë banorë e qendra të banuara, me resurse e mundësi të mëdha zhvillimi, i degraduar tërësisht, i pamirëmbajtur prej dekadash, i harruar, i shpërfillur apo i dënuar nga të gjitha qeveritë e këtij çerekshekulli apo edhe nga ajo e pasluftës së Dytë Botërore. Vështirësitë në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe komunikimin normal me Vlorën, apo zonat e tjera sollën rënien e interesit për të rritur veprimtarinë prodhuese të zonës, uljen e standardeve të jetesës, rëndimin e gjendjes social-ekonomike, papunësi masive, etj. Degradimi i rrugës së Lumit të Vlorës ka çuar në braktisjen masive të trojeve nga ana e banorëve të saj, si dhe izolimin e asaj pjese që jeton aktualisht në këtë zonë; ka frenuar zhvillimin ekonomik të zonës dhe shtimin e varfërisë; ka penguar qarkullimin e njerëzve dhe shkëmbimin e mallrave, mundësinë e punësimit dhe zhvillimin e turizmit, edhe pse një prej vendeve më të bukura natyrore të jugut të Shqipërisë; ka frenuar mundësinë dhe dëshirën për investime dhe degradimin total në të gjitha aspektet e jetës në qendrat e banuara.
Mungesa e rrugëve ka bërë që tre krahina historikisht të njohura, Lumi i Vlorës, Kurveleshi dhe Himara, në krah apo në shpatulla të njëra tjetrës, edhe pse gjatë tërë historisë së tyre kanë qenë bashkë, në luftëra, në dasma dhe fatkeqësi, mungesa e një rruge i ka lënë të ndara. Edhe pse bashkë në histori, fshatrat e Lumit të Vlorës e Kurveleshit kurrë nuk kanë pasur një rrugë për të qenë për t’u lidhur me njëra–tjetrën dhe me bregdetin. Për 6 km rrugë Kurveleshi nuk zbret në zonën e Lumit në Buronja të Kuçit. Dhe për vetëm këto 6 km, jo vetëm 10 fshatrat e Kurveleshit të Sipërm, kryesisht në Pllajën e Progonatit, por edhe Tepelena, Memaliaj e fshatrat rreth tyre do të zbrisnin në bregdet për jo më shumë se 40 minuta.
Për të shkuar nga Kuçi në Himarë apo për të dalë në bregdet shkon më shpejt me këmbë ose me mushkë se sa t’i biesh përqark nga Vlora e Llogoraja e të bësh 5-6 orë rrugë me makinë. Të bësh 150 kilometra, sepse mungojnë 14 kilometra rrugë, të cilat mund të përshkohen normalisht për jo më shumë se 20 minuta. Këtë çudi ekonomike në shekullin e 21-të nuk ka asnjë mendje ta rrokë e ta kuptojë.
Bëhet fjalë jo vetëm për jetën e mbi 40.000 banorëve të shtrirë në mbi 70 qendra të banuara, por bëhet fjalë për një zonë me burime ekonomike të pashtershme në toka, kullota, burime ujore, vlera turistike dhe histori të madhe që shtrihet në mijëvjeçarë, por edhe në të gjitha periudhat e mëvonshme historike deri në kohën e sotme. Do të ishte shumë e gjatë lista e falënderimeve për ata që kontribuuan në realizimin e kësaj ëndrre dhe kërkese shekullore të vlonjatëve. Së pari, banorët e Lumit, të duruarit e të paduruarit, që nuk reshtën së kërkuari dhe besuari se kjo rrugë do të bëhej. Gjej rastin të falënderoj qeverinë shqiptare që e pa si prioritet zhvillimin e kësaj zone të harruar e të lënë pas dore, duke kryer aktin më të madh pas 100 vjetëve në historinë e kësaj rruge me vendimmarrjen më të rëndësishme për transformimin rrënjësor të zonës dhe jetës së banorëve të saj.
Kryeministrin Rama, i cili nuk u lëkund asnjëherë nga bindja se kjo rrugë duhej bërë, madje me përparësi, e duke futur në historinë e Labërisë, edhe betimin në Brataj të kryeministrit. Falënderoj Fondin Shqiptar të Zhvillimit, drejtorin Beci dhe gjithë stafin teknik të tij, për profesionalizmin dhe skrupulozitetin dhe përkushtimin në trajtimin e këtij projekti. Nuk dua të kaloj pa falënderuar edhe firmën “Tec Consult” sh.p.k, dhe zotin Llukani si president të saj, kontributi i të cilës ishte që në fillesat e idesë së këtij projekti për studimin e fizibilitetit dhe sensibilizimin e domosdoshmërisë së rehabilitimit të kësaj rruge, duke punuar për dy vjet pa asnjë shpërblim dhe pa kushte përfitimi. Falënderoj kolegët deputetë të opozitës që votuan unanimisht për financimin e këtij projekti, në të gjitha komisionet ku ai u diskutua gjerësisht, por edhe për votën e tyre në këtë seance plenare, për t’i hapur rrugën realizimit të një projekti që nuk do t’i shërbejë vetëm vlonjatëve dhe banorëve të Lumit të Vlorës, por të gjithë shqiptarëve të apasionuar për të njohur këto zona të jugut, si udhëtarë, si biznesmenë, si turistë, por gjithsesi si miq të Labërisë.
* Diskutimi në parlament gjatë ratifikimit të marrëveshjes së financimit të rehabilitimit të rrugës së Lumit të Vlorës. Botohet me shkurtime

















