Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Më në fund/ Radio Tirana rikthen muzikën e mirë

Më në fund/ Radio Tirana rikthen muzikën e mirë

Nga Dritare.net

Për shumë njerëz muzika klasike është terapi, e ku ka më mirë se kur ky efekt bashkohet me magjinë që të ofron radio.

Në një kohë kur stacionet radiofonike dominohen nga muzika komerciale dhe jemi në kohën e konsumit, Radio Tirana vjen ndryshe. Për herë të parë në Shqipëri, hapet radio e parë dedikuar vetëm muzikës klasike, asaj shqiptare dhe të huaj.  Në frekuencën 101.2 FM, Radio Tirana Klasik, do të sjellë për të gjithë dëgjuesit veprat e kompozitorëve shqiptarë ndër vite. 

Por, një vend shumë të rëndësishëm do të ketë edhe muzika klasike e huaj, ajo e filmave dhe xhaz klasik. Duke nisur që nga tenorët e famshëm, si Pavarotti, Bocelli deri të kompozitorët e pavdekshëm, si Mozart, Tchaikovsky, Beethoven, Chopin, Schubert, etj.

Një ide e menduar prej disa kohësh nga drejtori i RTSH, Thoma Gëllci, duke pritur të finalizohej në momentin e duhur. Me kujdesin e saj të veçantë dhe përvojën e gjatë, i gjithë programi i radios do të vendoset nga muzikantja e gazetarja Mimoza Kosturi.

“Kur kam ardhur për herë të parë në Radio Tirana, gjeta një redaksi me vajza të jashtëzakonshme. Ato kishin të gjitha shumë eksperiencë dhe atë çka dinin për radion, ma treguan edhe mua. Unë e adhuroja punën e tyre.

Kam punuar 25 vjet në radio dhe mund të them që shpirtërisht dhe profesionalisht jam njësuar me radion dhe të kuptoj muzikën e vërtetë. Kjo pasi, kam punuar në të gjitha sektorët e muzikës, e kam nisur me atë popullore, pastaj për shumë vite me muzikën e lehtë dhe tani në atë të muzikës klasike. Në këto 25 vjet, unë kam bërë 6 recitale që i kam regjistruar me Televizionin Shqiptar.

Dhe gjithë këtë eksperiencë, unë do ta shpalos në zgjedhjen e kujdesshme të muzikës që do të transmetohet në Radio Klasik.”

Njëkohësisht, redaktore e muzikës klasike, Mimoza tregon për dritare.net, se fokusi është transmetimi i muzikës klasike dhe nxjerrja nga arkiva e emisioneve muzikore të kaluara, për të dokumentuar dhe treguar historinë e vërtetë të muzikës klasike shqiptare.

“Sigurisht, nuk fillon sot historia e transmetimit të muzikës klasike. Kjo ka nisur që në ’39, kur është folur për herë të parë në Radio Tirana, nga studentë të cilët kishin studiuar jashtë. Kanë qenë të pranishëm, Tefta Tashko, Marie Kraja, Kristaq Antoniu e shumë emra të tjerë muzikantësh.  Ata e krijuan të parët fondin e parë me ariet klasike, të cilat dëgjohen edhe sot me shumë kënaqësi.

Në Radio Tirana janë pasqyruar me shumë profesionalizëm gjithë aktivitetet e muzikës klasike që janë bërë në Shqipëri. Është përcjellë zëri i pothuajse të gjithë kompozitorëve dhe instrumentistëve. Kjo arkiva  jonë është shumë e pasur dhe është e gjallë, disa prej këtyre artistëve nuk jetojnë më, por zëri i tyre është aty, gati për t’u dëgjuar përsëri.

Bëhet fjalë për ato fonde të cilat nuk janë transmetuar që atëherë. Si, disa prej aktiviteteve më të rëndësishme për muzikën klasike, “Koncertet e Orkestrës Simfonike” që në ’62 apo “Koncertet e Majit”dhe gjithë regjistrimet me krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë në studion e Radio Tiranës. Ne kemi nisur me transmetimin e tyre.

Në  një moment orkestra do të fillojë regjistrimin në studio të veprave klasike. Ka qenë një traditë shumë e mirë kjo dhe arkiva e radios është pasuruar për shumë vite, sepse ka pasur një ditë të veçantë ku orkestra regjistronte vepra  shqiptare, por edhe të huaja. Ne do ta kthejmë përsëri këtë traditë.

Para viteve 90 hapësira e programeve klasike ishte shumë më madhe se pas saj dhe për këtë program punonin me pasion dhe profesionalizëm të lartë redaktoret e muzikës. Ndërkohë që shumë muzikantë të apasionuar u bënë bashkëpunëtor të rregullt të emisioneve dhe bisedave për muzikën klasike, pra një bashkëpunim që ka prodhuar emisione që edhe sot dëgjohen me kënaqësi.

Më pas, struktura ndryshoi dhe koha dedikuar muzikës klasike u reduktua. Ka qenë edhe një moment i hidhur për mua e redaksinë tonë, kur donin të hiqnin plotësisht nga programi muzikën klasike. I kushtuam më tepër rëndësi muzikë së lehtë dhe asaj të huaj botërore, e menduam se kështu do të bëheshim si bota. Por, kjo gjë nuk ndodh nëse ne harrojmë vlerat tona, e muzikën tonë. Prandaj u hap edhe Radio Tirana Klasik, për të rikthyer vëmendjen e dëgjuesve atje ku duhet. Ky është gëzimi më i madh në këtë stacion, që do të nxirret nga arkiva gjithë kjo krijimtari e bollshme.

Ne do t’i kushtojmë vëmendjen e duhur që dëgjuesit të kuptojnë versionet e ndryshme me të cilat prezantohet një vepër botërore, e si ka ardhur ajo sot. Ndërkohë fondi i muzikës shqiptare në internet, mungon. Dhe artistët e huaj të cilët zgjedhin një vepër shqiptare për ta luajtur, shpesh largohen shumë nga origjinalja. Prandaj muzika që do të transmetohet në Radio Tirana Klasik, do t’i shërbejë e atyre.”

Së fundmi edhe në Tiranë organizohen shumë koncerte të dedikuara muzikës klasike, por jo gjithmonë njerëzit kanë mundësi të shkojnë, kush për çështje financiare, e dikush tjetër nuk ka kohë.

Ndaj duhej Radio Tirana Klasik, sa herë të jesh në makinë dhe ke nevojë për qetësim, apo thjesht për të udhëtuar në tingujt e saj. Kur të jesh duke mësuar apo punuar, për t’u frymëzuar më tepër. Radio Tirana Klasik nuk është vetëm për të pasionuarit e muzikës klasike, ajo është edhe për të rinjtë. Pasi efekti i saj është magjik dhe i kalon kufijtë e kënaqësisë, duke të shërbyer si një terapi.

“Muzika klasike nuk është vetëm për të kënaqur veshin, por ajo është një terapi për njerëzit. Çdo herë që unë dal pas një koncerti klasik, them që u shërova. Efekti që ka kjo muzikë në shpirtin njerëzor, është shumë i madh te çdo njeri të çfarëdolloj moshe të jenë. Kur e ndjejnë veten të lodhur të stresuar, të kalojnë të muzika klasike dhe ajo bën magjinë e vetë.

Edhe një i ri, nëse padashje shkon te Radio Tirana, jam e bindur që do të qëndrojë. Ata do të edukohen me këtë muzikë dhe veshi i tyre do ta shijojë shumë.”/ dritare.net