
Mapo: 10 vjet histori, 100 kopertina, 100 ide
Dritare.net

Nga Vladimir Karaj
MAPO feston 10-vjetorin, që është një grimcë e vogël në historinë e shtypit të shkruar, por aq shumë për dekadën e fundit që me gjasë do të hyjë në histori edhe si koha e “vdekjes së gazetës së shtypur”. Një album special i botuar me karton të fortë dhe faqe të lidhura mirë dhe goxha peshë e përmbajtje, si prej frikës se mund të zhduket në virtualitet, është përgatitur enkas për këtë 10-vjetor. Aty ka qëndrime editoriale të ndryshme, që i përkojnë po ashtu kohëve të ndryshme që Mapo ka jetuar edhe pse në pak vite. Ka ide të ndryshme, të cilat ndonjë prej atyre që i ka shkruar mund edhe të mos i ndajë sërish, por dëshmi e një media që nuk e fshin historinë, s’ka frikë prej saj edhe pse nuk është aq arrogante sa të krenohet me të. Albumi sjell kujtime të atyre që themeluan Mapon e parë, një revistë që hapej me maskën mortore të Enver Hoxhës, jo pak provokuese në ditën e saj të parë, dhe vijon sot të tentojë të jetë po aq thumbuese dhe provokojë emocione.
Nuk ka qenë e lehtë. Mapo nuk mund të pretendojë se ia doli mbanë në tregun e rrëmujshëm të të përditshmeve shqiptare. As që i ka mbijetuar me heroizëm stuhive të politikës, e cila nuk është se e ka dashur/respektuar ndonjëherë median e shkruar. E megjithatë është e mbijetuar në një kohë jo fort të mirë për shtypin e shkruar. “Në një botë ku çdo ngjarje bën xhiron e vet mediatike në pak minuta, Mapo është përpjekur të bëjë dekriptimin e realitetit, pa pasur kompleksin ta interpretojë atë sipas këndvështrimit të vet”, thotë kryeredaktori Arion Sulo.
Megjithatë duke lexuar fjalët përshëndetëse të 10-vjetorit të Mapo, shkruar kryesisht prej njerëzve që e duan Mapon, duket sikur po shkojmë në një funeral. Shtypi i shkruar po vdes: “thjesht po vdes kudo”, shkruan botuesi Henri Çili. “…entuziazëm irracional (i cili) zgjati pak”, i quan Skënder Minxhozi, kryeredaktori i revistës me këtë emër që filloi të botohej 10 vjet më parë, fillimet e sipërmarrjes. “The Citizen newspaper of Laconia”, të cilën s’e kam parë kurrë të shtypur u mbyll në 30 shtator, gazeta “Shqip” në Tiranë e mbylli po ashtu edicionin e saj të printuar. Të mbyllura në pak vite janë një duzinë emrash. Tirazhet kanë shkuar “gropë”, nëse i referohemi gjuhës popullore.
Por në “In Memoriam” që i shkruante gazetës së Laconias (Mbyllja e një gazete duhet të na zgjojë) Charles Arlinghaus shkruante se kjo në fakt do të thoshte më pak gazetar në terren, më pak njerëz që mbledhin informacionin dhe më pak titujt që do shpërndahen prej miqve në Facebook apo portalet online, atje ku ne supozohet se po marrim informacionin e ku në fakt bombardohemi me “click bait”. Një lloj rrene e stilizuar e tipit: “Toka do jetojë në errësirë për 15 ditë” që u shpërnda me nge dje nga portalet në Tiranë.
Sot është e qartë, edhe për entuziastët e teknologjisë, se gazeta e shtypur dhe roli i saj nuk do mund të zëvendësohen aq lehtë, në mos fare. “Ulja e numrit të atyre që punojnë për të mbledhur informacionin që miku jot lexon në Tëitter , na varfëron të gjithëve”, shkruante Arlinghaus. Dhe kjo do të thotë që më shumë informacion do të prodhohet nga tryeza (click bait) dhe më pak histori do tregohen ashtu si duhet dhe prej terrenit.
MAPO në këtë 10-vjetor ka marrë një angazhim për të qëndruar, qoftë edhe si “shërbim publik nga kushdo që kontribuon për zhvillimin e shtypit të shkruar, e kulturës së shkruar, e cila mbetet një nga format më autentike të kulturës shqiptare”, siç e quan botuesi Çili. Apo siç e përshkruan drejtori Alfred Lela: “ndër të tjera, tri gjëra, sa të mira aq edhe thelbësore: etike, estetike dhe emancipuese”.
Inkurajues në gjithë këtë procesion, janë fjalët e Donald Lu. “Me shumicën e gazetave të tjera, mund ta parashikosh me saktësi se çfarë do të thonë për secilën çështje. Në rastin e MAPO jam gjithnjë i habitur nga ndershmëria dhe logjika (common sense). Tani si Ambasador, unë kam kohë të lexoj disa gazeta çdo mëngjes. MAPO-n e lexoj me kënaqësi çdo ditë”, shkruan ai në hyrje të albumit që përmbledh historinë e kësaj media që sot me gjithë krizën mbahet. “MAPO është më shumë se një gazetë, duke u bërë tashmë një logo dhe një markë. Nën strehën e saj banojnë disa ente të komunikimit, imazhit dhe kulturës, më e fundit prej të cilave MAPO Image, një agjenci e fotografisë. Dy revistat e përmuajshme MAPO dhe Madame MAPO janë përthellime të aktualitetit, ndërsa mapo.al, agregati i shndërrimit të printit në diçka tjetër, më interaktive, më globale, më të shpejtë dhe më të përtypshme”, shkruan drejtori Alfred Lela. Më shumë se kaq, Mapo ka guxuar të japë çmime letrare (me emrin e Kadaresë për më shumë), të ketë një suplement për letërsinë e shkruar shqip dhe të ndajë ide. Ajo është një gazetë e shtypur në “kohën për të menduar ndërtimin e muzeumit të gazetave”, siç shkruan Sulo dhe shpreson të mbetet siç thoshte Minxhozi për fillimet e saj, një farë “pretendimi romantik për të ribërë standardin e shtypit të shkruar”.
Lu dhe Arvizu: Mapo, gazetë e ndershme dhe logjike
Përshëndetjet e ambasadorëve të SHBA, Donald Lu dhe Aleksandër Arvizu me rastin e 10-vjetorit të MAPO-s
Donald Lu:
Prej më shumë se tri vitesh jam një lexues i përkushtuar i MAPO. Së pari, e vura re për shkak të karikaturave politike të shkëlqyera të Bujar Kapexhiut. Ai është një gjeni në pikasjen e një çështjeje të ndërlikuar politike dhe në kapjen e së vërtetës së saj thelbësore (dhe shpesh të sikletshme). Fëmijët e mi gjithnjë qeshin kur më shohin mua, herë pas here, të paraqitur te Ngërçi. Si student i gjuhës shqipe, në fillim u tërhoqa nga karikaturat, por vazhdova ta lexoj MAPO-n për shkak të raportimit të shkëlqyer dhe editorialeve të paparashikueshme. Me shumicën e gazetave të tjera, mund ta parashikosh me saktësi se çfarë do të thonë për secilën çështje. Në rastin e MAPO jam gjithnjë i habitur nga ndershmëria dhe logjika (common sense). Tani si Ambasador, unë kam kohë të lexoj disa gazeta çdo mëngjes. MAPO-n e lexoj me kënaqësi çdo ditë. Gëzuar përvjetorin! Edhe njëqind!
Aleksandër Arvizu:
Të dashur miq, urimet më të përzemërta për Gazetën MAPO në këtë përvjetor! Kur jetoja në Tiranë, MAPO ishte një ‘duhet lexuar’ për mua çdo ditë dhe, që nga kthimi në Washington kam vijuar t’i ndjek zhvillimet në Shqipëri përmes Mapo online. Çdo gazetë, qoftë në Shqipëri apo Amerikë, ka stilin e vet të të raportuarit dhe orientimin editorial, dhe MAPO, natyrisht, nuk bën përjashtim. Por, një gjë që ia kam vlerësuar MAPO-s përgjatë viteve është busulla e saj e qartë dhe të kuptuarit se një e ardhme pozitive, zhvilluese për popullin shqiptar, do të vijë vetëm nëpërmjet integrimit më të thellë me pjesën tjetër të Europës dhe me Perëndimin më gjerësisht. Posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urimet më të mira për sukseset në vazhdim!

















