Na ndiqni edhe në

Ora e Gallatës

Majko në Selanik, radhë në Kapshtice dhe Kakavije

Majko në Selanik, radhë në Kapshtice dhe Kakavije
Pas vizitës se ministrit të emigracioni Pandeli Majko në Greqi, mijëra shqiptarë janë entuziazmuar dhe mendojnë të kthehen në atdhe për ndërtimin e rilindjes ose vazhdimin e pandërprerë të protestave deri në rrëzimin e qeverisë. Nuk kanë munguar as këngët dhe poezitë me këtë rast. Poeti dhe përkthyesi Arqile Garo, është një prej tyre. Ja çfarë shkruan ai:

NE SHQIPERI

Në atdhe doja të veja,

një gotë me raki të ktheja,

e të shtrihesha malluar ,

ndënë hijen e bekuar.

T’i hidhja ca ujë suratit

nga i ëmbli kroi i fshatit,

të ndizja televizorin,

e të dëgjoja doktorin.

Të zbrazja pjatën e paçës

nën britmat e Erion Braçes,

nën bëmat e Oso Kukës,

poezitë e Arben Dukës.

Të kujtoj shijen e kosit,

tangërllëkun e Fatosit,

të shijoj erën stanit,

buzëqeshjen e Nishanit.

Historinë e Doruntinës,

në version të Zhozefinës,

cicërima të bilbilit,

romane të Ismailit,

anektoda të Pëllumbit,

shijen e athët të plumbit,

të shoh vepra të Enverit,

nën krismat e maliherit.

Të këndoja kodrës, shpatit,

trimëritë e Lazaratit,

vuajtjet e Teme Sejkos

dhe lavdinë e Landi Bejkos.

Të bridhja fushës së Bulos,

me këngët e Petrit Lulos,

të kundroja brigjet, barin,

tok me Igli Kokalarin.

Tek pikojnë hojet e bletës,

karrjerën e Ilir Metës

të m’ i thonte zëri i gjelit

aventurat e Vangjelit.

Të ndjeja zhurmën e Lanës,

vrasjet në mes të Tiranës,

mendimet e Presidentit,

mençurinë e Parlamentit.

Histori të Ali Pashës,

deklarata të Lul Bashës,

vetingjet e Amerikës,

ndënë çizmen e Monikës.

Te kisha e Shën Prokopit,

t’i rrëfeja Bamir Topit,

çështjen e Sajmir Tahirit,

me hashashin e qafirit.

Të shfletoja buzë liqenit,

«dosjet» e Daut Gumenit,

t’ i falëm ikonostasit,

për lavdinë e Anastasit.

Ndënë hijen e Tomorit,

të kujtoj kohën e zborit,

tek hidhnim gunat mbi tela,

e na printe Spartak Ngjela!

Të prek erën, të shkel dhenë,

të kujtoj dhe Skënderbenë,

të bëj kryq, të marr avdes,

të shtrihem e të mos vdes.

Arqile Garo

Janninë, shkurt 2016

(Autori është poet & përkthyes. Poezia botohet me lejen e autorit. Hyrja në prozë është e portalit)