Letër publike Ambasadores amerikane Yuri Kim

Nga Nertil Jole

E nderuar Zonja Ambasadore,

Duke Ju uruar së pari mirëseardhjen, zgjodha t’iu drejtohem me këtë letër të hapur, me shpresë e besim se mendimet që po ju shpreh mbështeten edhe nga të tjerë bashkëqytetarë të mi. Jam i motivuar thjesht nga një ndjeshmëri e përgjegjësi qytetare, për të nënvizuar disa pritshmëri që do siguronin rrugën e duhur drejt jetësimit të ndryshimeve pozitive për vendin.

Ndoqa së fundmi një video të postuar në faqen zyrtare të ambasadës amerikane, ku Ju iu prezantoheni qytetarëve shqiptarë me fisnikërinë e një zonje të respektueshme, që ka përvojë të gjatë në fushën e diplomacisë, të cilën njësoj si paraardhësit tuaj, synoni ta vini në funksion të fuqizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, si dhe në mbështetje për shpejtimin e ritmit të progresit të Shqipërisë.

Ashtu sikurse edhe Ju e përmendni në spotin tuaj, po t’i referohemi hartës së shteteve të pas Luftës së Parë Botërore në vitet 1919-1920 dhe vendimit të Presidentit Woodrow Wilson, nuk ka sesi shqiptarët të mos i jenë përjetësisht mirënjohës për rolin e tij vendimtar për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, duke përfshirë në planin e tij prej 14 pikash parimin demokratik të vetëvendosjes së popujve të vegjël, që deri atëherë nuk iu ishin marrë parasysh pretendimet territoriale nga fuqitë e mëdha. Sikur zhvillimet asokohe të kishin patur rrjedhë të ndryshme, e sigurt është që harta e Shqipërisë nuk do të kishte qënë kjo që kemi sot.

Në një kontekst të ndryshëm kohor dhe historik, por të ngjashëm si qëndrim parimor, njësoj ka vepruar Presidenti Bill Clinton kur ndaloi ofensivën dhe genocidin serb mbi Kosovë, apo presidenti George Bush i cili mbështeti dhe njohu pavarësinë e shtetit më të ri në Europë.

Në anën tjetër të medaljes, dua të evidentoj me krenari se edhe Shqipëria, brenda mundësive dhe kapacitetit, qysh se ka filluar rrugëtimin e saj demokratik pas përmbysjes së regjimit totalitar, ka qënë gjithmonë aleate besnike e SHBA-ve për politikat brenda rajonit, por edhe kontribuese në misione ushtarake që NATO ka ndërmarrë në vatra të ndryshme konflikti nëpër botë.

Zonja Ambasadore,

E parashtrova këtë hyrje, para se të rendis disa mendime që janë të lidhura kryesisht me një nga sfidat kryesore që Shqipëria ka, pa realizimin e të cilës e ardhmja e saj do të cënohej në standartet demokratike, forcimin e institucioneve kushtetuese dhe krijimin e kulturës së ndëshkueshmërisë e zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë.

E kam fjalën për ecurinë e reformës në drejtësi dhe vënien në funksionim të institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë.

Natyrisht që për progresin e deritanishëm, ka meritë shumica qeverisëse e drejtuar nga kryeministri, e cila këtë reformë jetike e vendosi si shtyllë kryesore në programin e qeverisë, duke dëshmuar vullnet të palëkundur për jetësimin e këtij prioriteti madhor të përkrahur gjerësisht nga qytetarët.

Ekziston në një pjesë të shoqërisë perceptimi jo detyrimisht i gabuar, se ka ardhur koha që Shqipëria të mos i zgjidhë problemet e saj duke kërkuar ndihmë nga faktori ndërkombëtar, por të marrë në dorë fatet e veta. Personalisht nuk jam kundër këtij arsyetimi, por gjithsesi e përfshij veten ndër ata qytetarë që besojnë se mbështetja e SHBA-ve dhe e vendeve të tjera mike për sfidat e rëndësishme të Shqipërisë ka qënë dhe mbetet thelbësore.

Padyshim që qeveritë dhe shoqëria në tërësi në vitet e tranzicionit kanë dhënë dhe japin kontribut për progresin e vendit, duke patur rolin kryesor. Megjithatë, sfida e qeverisë dhe sidomos e shoqërisë në këtë stad zhvillimi, ngelet përmirësimi i mëtejshëm jo vetëm i ndërtimit, por kryesisht i zbatimit të normave demokratike e juridike që shtrojnë shtratin për zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik.

Ky progres lehtësohet dhe sigurohet nga funksionimi me standarte të larta i sistemit të drejtësisë, që është baza e cila do të garantonte parimin e së drejtës të përdorur në çdo fushë, duke mbrojtur fuqimisht interesin e gjerë publik dhe të drejtat e çdo individi.

LEXO DHE :  Basha në Kukës: Ne do të zgjidhim plagën e emigracionit, duke fuqizuar ekonominë!

Ekziston në shoqërinë tonë një pakicë fare e vogël, kryesisht e angazhuar në grupime të caktuara të përfaqësimit politik, e cila ka shfaqur në jo pak raste reagim të shwmtuar ndaj mbështetjes që SHBA i ka dhënë Shqipërisë, duke sulmuar ndonjëherë direkt apo indirekt edhe vetë ambasadorët. Kjo qasje buron nga fakti se “kësaj pakice” progresi i Shqipërisë i kthehet në barrierë për mbijetesë në ambientin e politikës së vjetër, që në shumë raste ka punuar kundër interesave të qytetarëve.

Të tillë personazhe janë lehtësisht të identifikueshëm, nga ju po e po, por me siguri edhe nga shumë qytetarë që ndjekin me ndjeshmëri zhvillimet në vend. Kësaj kategorie pushtetarësh, në qofshin politikanë a njerëz të pushtetit gjyqësor, kur iu rrezikohet pozita nuk ngurrojnë të shpallin problem, pengesë apo edhe “armiq” ambasadorë të vendeve mike, duke përdorur etiketime të llojit “Republika e Ambasadorëve”, etj.

Në këtë kategori përfshihet edhe ndonjë nga ata politikanë që mendon se nëpërmjet makiazhit politik apo fushatave teatrale “derë më derë”, mund të kurojë imazhin e politikanit në shërbim të njerëzve dhe interesave të vendit, paçka se historia në të kaluarën ia çmonton këtë maskë.

Është në këtë grup të vogël edhe një tjetër prototip politikani, i cili vijon ta shohë zhvillimin e vendit si fushë beteje të një revolucioni imagjinar, që sigurisht nuk ka asnjë gjasë që të ndodhë, por thjesht është mishërim i një mendësie të vjetër e cila nxit polarizim dhe ndasi mes shqiptarësh.

Por fatmirësisht, përpjekja për të lëkundur ekuilibrat kushtetues dhe bërë hapa mbrapa si shoqëri u shemb njëherë e përgjithmonë në 30 Qershor të vitit të kaluar. Pavarësisht situatës absurde që u krijua, zgjedhjet u zhvilluan dhe ato u mbështetën qartazi nga SHBA, edhe pse të gjithë jemi koshientë se ato nuk ishin më të dëshirueshmet në kuptimin e pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse të alternativave politike. Gjithsesi, ato shërbyen si vijë e kuqe që vendi të mos ngecej në rrethin vicioz të krizave ciklike.

Ndaj, ngelet ende e nevojshme në vijim të traditës tuaj të përhershme, konsolidimi i një mendësie të emancipuar që mbështetet fort nga SHBA, e kanalizuar kjo jo vetëm ndaj aktorëve të spikatur të shoqërisë civile, por edhe ndaj të gjithë profesionistëve progresistë që mishërojnë profilin e duhur dhe që japin kontribut të vyer në politikë apo institucione të tjera shqiptare.

Jam i sigurtë se mbështetja juaj do ua shumëfishonte energjitë jo vetëm në përmbushje të karrierës së tyre vetjake, por edhe të vënies në përdorim të aftësive profesionale, si agjentë ndryshimi që punojnë duke dhënë kontribut e shfaqur aktivizëm të dobishëm në diskursin publik për tema që prekin problematikat e përgjithshme të vendit.

Personalisht, disa vite më parë kam patur fatin të vizitoj vendin tuaj dhe të marr pjesë në Programin e Vizitorit të Huaj për Lidership të organizuar dhe financuar nga Departamenti i Shtetit, ku padyshim jam frymëzuar nga shembulli i demokracisë dhe funksionimi i shtetit të së drejtës të vendit që Ju përfaqësoni.

I prirur nga dëshira që edhe Shqipëria të bëjë progres të vazhdueshëm e të prekshëm në të gjitha fushat e jetës falë përpjekjeve të qeverisë, opozitës dhe mbarë shoqërisë, lutem në mbyllje të kësaj letre pranoni pritshmërinë që besoj shumë qytetarë, ashtu si dhe unë, kemi për të parë sa më shpejt të përfunduar reformën në drejtësi dhe prekur frutet e saj, si dhe mbështetjen për nismat e tjera të ndërmara nga qeveria, të cilat duhet të jetësojnë ndryshime që na japin edhe më shumë shpresë.

Me konsideratë e mirënjohje./dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.