Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

ADN-ja e lashtë zbulon sekretet e viktimave të Pompeit!

ADN-ja e lashtë zbulon sekretet e viktimave të Pompeit!

Studiuesit që merren me mbetjet njerëzore nga Pompei, kanë nxjerrë sekrete gjenetike nga eshtrat e një burri dhe një gruaje që u varrosën kur qyteti romak u përfshi nga hiri vullkanik.

Ky gjenom njerëzor Pompeian është një grup pothuajse i plotë i udhëzimeve gjenetike nga viktimat, të koduara në ADN-në e nxjerrë nga kockat e tyre. ADN-ja e lashtë u ruajt në trupa që ishin mbështjellë në hirin e ngurtësuar nga koha. Gjetjet janë publikuar në revistën Scientific Reports.

Dy personat u zbuluan për herë të parë në vitin 1933, në atë që arkeologët e Pompeit e kanë quajtur Casa del Fabbro, ose Shtëpia e Zejtarit.

ADN-ja e lashtë zbulon sekretet e viktimave të Pompeit!

Ata ishin të rrëzuar në cep të dhomës së ngrënies, pothuajse sikur po hanin drekë kur ndodhi shpërthimi - më 24 gusht viti 79 pas Krishtit. Një studim i fundit sugjeroi se reja e madhe e hirit nga shpërthimi i malit Vezuv mund të ishte bërë vdekjeprurëse për banorët e qytetit në më pak se 20 minuta. Dy viktimat që studiuan studiuesit, sipas antropologes Dr Serena Viva nga Universiteti i Salentos, nuk po përpiqeshin të shpëtonin.

"Nga pozicioni i trupave të tyre duket se ata nuk po iknin. Përgjigja se pse ata nuk po iknin mund të qëndronte në kushtet e tyre shëndetësore," tha Dr Viva.

Të dhëna të reja janë zbuluar tashmë në këtë studim të ri të eshtrave të tyre.

"E gjitha kishte të bënte me ruajtjen e skeleteve. Është gjëja e parë që ne shikuam dhe dukej premtuese, kështu që vendosëm për marrjen e ADN-së," shpjegoi Prof Gabriele Scorrano, nga qendra Lundbeck GeoGenetics në Kopenhagë, i cili drejtoi studimin.

Studimi gjenetik zbuloi se skeleti i burrit përmbante ADN nga bakteret që shkaktojnë tuberkulozin, duke sugjeruar se ai mund të kishte pasur sëmundjen përpara vdekjes së tij. Dhe një fragment kocke në bazën e kafkës së tij përmbante mjaftueshëm ADN të paprekur për të përpunuar të gjithë kodin e tij gjenetik.

Kjo tregoi se ai ndante shënues gjenetikë, ose pika referimi të njohura në kodin e tij gjenetik - me individë të tjerë që jetuan në Itali gjatë epokës perandorake romake. Por ai kishte gjithashtu një grup gjenesh që gjenden zakonisht në ato nga ishulli i Sardenjës, gjë që sugjeronte se mund të kishte pasur nivele të larta të diversitetit gjenetik në të gjithë Gadishullin Italian në atë kohë./BBC/M.K/dritare.net