Kur të gjitha gratë shqiptare dashuronin Komisar Katanin
Dritare.net
Kjo intervistë me aktorin e njohur italian Michele Placido është realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga në nëntor 1993. Në atë kohë, aktori i famshëm i filmit Oktapodi, që bëri për vete gjithë shqiptarët, ndodhej në Shqipëri për xhirimin e një filmi me Pirro Milkanin, Gianni Amelio dhe Enrico Loverso, intervistat me të cilët dritare.net i risjell të plota.
Nga Rudina Xhunga
Regjisori Gianni Amelio është duke xhiruar në Shqipëri një film për Shqipërinë dhe këto janë intervistat me aktorët kryesorë: Pirro Milkani, Enrico Loverso dhe Michele Placido. Në kombinatin e tekstileve, diku afër varrezave, ka vetëm baltë dhe tym. Mrekullisht të miqësuar me ambientin Michele Placidon e gjejmë duke ngrënë makarona. Në pritje të mbarojë pyesim shkurt Pirro Milkanin dhe akoma më shkurt Enriko Loverso. Dritare.net: Mos Pirro Milkani u kujtua vonë të bëhet aktor? Pirro Milkani: Nuk e di në është vonë. Di që ishte propozimi i regjisorit, të cilin e pranova me kënaqësi, sepse Gianni Amelio është një regjisor shumë i njohur dhe veç kësaj në këtë film unë luaj vetveten. Luaj një intelektual shqiptar që shoqëron në rrugëtimin e tyre aventuror dy afaristë italianë. Personazhi shqiptar në fillim shihet me përbuzje nga ata të dy, por me kulturën dhe sjelljen e tij, shumë shpejt del superior ndaj atyre që në këto moment kthese kanë ardhur në Shqipëri për të ndihmuar, por sidomos për të përfituar. Dritare.net: Pas filmave tuaj si regjisor ju kanë akuzuar për sentimentalizëm, si prezantues, shprehen se jeni tepër klasik. Po si aktor, ç’epitet do t’ju vendosin? Pirro Milkani: S’e di. Këtë e dinë vetëm ata që venë epitete. Unë do mundohem të realizoj një rol dinjitoz dhe ekrani do tregojë sa do e arrij. Dritare.net: Më pas do vazhdoni të luani apo do i ktheheni regjisë i bindur se qenkësh më mirë të jesh regjisor? Pirro Milkani: Them se në ’94 do jem regjisor i një filmi artistik. Më shumë s’mund të flas, por ka perspektivë të mirë. Enrico Loverso në ngutje e sipër të krijon idenë se mund të përgjigjet vetëm për një pyetje, ndaj ne sigurisht vetëm një pyetje i bëmë: Dritare.net: Motra juaj në filmin “Hajduti i fëmijëve”, ku luanit rolin kryesor, thotë se ‘këtu jetojmë më keq se shqiptarët’. Çfarë do i thoni asaj kur të ktheheni në Itali? Enrico Loverso: Filmi është xhiruar në kohën kur shqiptarët kishin pushtuar portet tona dhe jetonin vërtet keq, ndaj ajo kishte të drejtë. Shoh që këtu sidoqoftë jetohet.
Përfundimisht Michele Placido është i lirë, … I afrohemi; Dritare.net: A e dini se, kur në Shqipëri shfaqej “Oktapodi” burrat shqiptarë s’ju kishin fort përzemër? Michele Placido: Pse? Dritare.net: Sepse gratë harronin detyrimet familjare dhe ngeleshin para ekranit të shumëdashuruara me komisarin Katani. Michele Placido: Atëherë burrat shqiptarë duhej të merrnin inat komisarin, jo mua. Dritare.net: Është gati e barabartë. Michele Placido: S’them se është krejt e barabartë. Gratë janë dashuruar
me komisarin si personazh dhe jo me mua si fizik. Figura e tij krijon atë personalitet të dyfishtë, pamje e mirë plus botë e brendshme që bashkë bëjnë njeriun e madh. Mendoj që pas kësaj figure dhe jo pas meje është dashuruar gruaja shqiptare apo italiane. Pastaj personazhi im është, gjithherë në rrezik dhe kjo e bën gjithashtu të dashur për gratë, të cilat , duke pasur të theksuar ndjenjën e mass-medias, kanë dëshirë të mbrojnë e ta ruajnë rrjedhimisht dhe ta duan.
Dritare.net: Oktapodit të Mezzogiorno-s i mungonte një Katan. Ju pëlqen ta dëgjoni këtë apo përgjigjeni me modesti “Jo s’është e vërtetë”. Michele Placido: Unë e di që atij filmi i mungonte më pas një Katan, e megjithatë Mezzogiorni është aktor i mirë. Është mirë të mos bëhen krahasime që s’vlejnë. Ajo që vlen është fakti që historia lindi me mua dhe kjo është në disfavor të Vittorios, ashtu sikurse po të kishte lindur me Vittorion do qe në disfavorin tim. Dritare.net: Cili është Karridi i jetës suaj, pra njeriu që urreni më fort? Michele Placido: Unë s’jam njeri i pasioneve të mëdha, si në dashuri dhe në urrejtje. Potencialisht unë i dua gjithë gratë dhe potencialisht unë mund të zë miqësi me gjithë njerëzit edhe nëse janë të këqij, edhe nëse s’mendojnë si unë. Urrejtja është një fjalë shumë e përdorur. Unë mendoj se njerëzit pak kanë bërë për të edukuar mosurrejtjen. Mendoj gjithashtu se njerëzit inteligjentë nuk urrejnë. Dritare.net: Ka një Ester në jetën tuaj, një grua që e lënduat pa dashje dhe më pas u penduat? Michele Placido: Kam një grua që është dhe më e rëndësishmja e jetës sime. S’di ç’të them për të tjerat.
Dritare.net: Për tu martuar pritët të binit në dashuri? Michele Placido: Rasti ma vuri para dhe tani ajo është gruaja ime. Bashkë jetojmë jetën, bëjmë fëmijë dhe do vuaja shumë nëse ajo do më linte për një tjetër. Dritare.net: Po më pas? Michele Placido: Më pas do e zëvendësoja, sigurisht. Nuk ka në jetë një grua të vetme, një shok të vetëm, një dashuri të vetme, ka gjithmonë një mundësi për t’i zëvendësuar. Dritare.net: Jeni një burrë tërheqës, joshës, potent pas të cilit gratë lënë kokën? Michele Placido: E ekzagjeruat. Dritare.net: Jo, aspak. Unë thjesht po pyes. Michele Placido: Ah, doni të dini nëse është e vërtetë apo jo? Do isha budalla të mos pranoja që Katani më ndihmon që gratë të më duan, por s’iludohem. Di mirë, që po të isha polic si dikur, gratë s’do linin aspak kokën për një polic.
Dritare.net: Kur shihni që partnerja juaj në film është një grua e bukur, parandjeni një “love story” të mundshme? Michele Placido: Jo, për faktin që artistet s’më pëlqejnë. Do parapëlqeja më tepër një rrobaqepëse apo kameriere apo një grua tjetër normale. Dritare.net: Mendoni se artistët janë anormale? Michele Placido: Po, sepse në përgjithësi s’duan të bëjnë fëmijë. Një grua që s’do fëmijë s’është grua. Pastaj mendojnë shumë për karrierën, pra janë të njëjta me mua dhe unë s’mund të dua një tjetër vërtetë. S’them që e kanë mirë apo keq, them që janë shumë të ngjashme me burrin, pra s’janë gra. Ata mund t’i duash, respektosh por kurrsesi t’i dashurosh. Dritare.net: Po gruaja juaj? Michele Placido: Ajo ka qenë aktore, por s’është më. Tani është nëna e fëmijëve të mi. Dritare.net: Si e shpreh xhelozinë Michele Placido, duke e poshtëruar gruan me fjalë e gjeste apo duke e marrë me shpulla? Michele Placido: Kur jam xheloz jam pak frikacak. S’kam kurajë ta përballoj situatën, mbyllem në vetvete dhe s’pyes. S’di pse.
Dritare.net: Ndoshta keni komplekse? Michele Placido: Kam. Dritare.net: Kompleks si mashkull apo njeri? Michele Placido: Si mashkull besoj. Si njeri jam kurajoz. Dritare.net: Ç’mungesa keni? Michele Placido: S’mund të flas për to, por sidoqoftë kam një defekt të madh në lidhje me gratë. I shoh si objekt kënaqësie. E di që gaboj, por më pëlqen ky gabim. Megjithëse tani që po plakem jam duke ndryshuar, sepse jam 48 vjeç. Është pak si vonë, por sidoqoftë kam nisur ta vlerësoj më tepër gruan, mendjen dhe inteligjencën e saj. Dritare.net: Si jeni ndjerë kur ju kanë “vënë brirë”? Michele Placido: S’besoj të më kenë vënë brirët. Megjithëse se di, s’mund të them gjë. Dritare.net: Po mundohuni ta thoni. Do botohet në një gazetë shqiptare dhe askush tjetër s’do e marrë vesh. Michele Placido: Po;… s’di ç’të them. Dritare.net: Ju e keni tradhtuar? Michele Placido: Sigurisht. Dritare.net: Më lejoni t’ju them që dhe ajo sigurisht… Michele Placido: Oh jo, por ta zëmë se është e vërtetë. S’do vuaja për arsye seksi, por për mungesë ndershmërie. Pra tradhtia mund të ndodhë, sepse është në natyrën e njeriut të tradhtojë, por duhet pranuar, duhet treguar. Nëse ime shoqe do të më tradhtonte, do doja të më thoshte: “Të kam tradhtuar me dikë tjetër që mu duk se e doja”. Dhe kjo na ka ndodhur kur ende s’kishim vendosur në do martoheshim apo jo. Folëm bashkë për ç’kish ndodhur dhe më pas vendosëm të martoheshim.
Dritare.net: Po tani me ç’njeri do ju tradhtonte gruaja? Ç’do kishte ai, që juve ju mungon? Michele Placido: Asgjë veç kohës për t’i kushtuar gruas sime. Dritare.net: Michele Placido pak kujdes i kushton aparencës, një kostum të bukur apo një kravatë të bukur. E vërtetë? Michele Placido: Po. Gjyshi im ka qenë bari dhensh dhe unë s’mund të jem princ. Por jam princ në zemër. Dritare.net: Ç’ndjesi ju shkaktojnë ata që s’janë princ në zemër, por në veshje, sjellje, ecje? Michele Placido: Ata më bëjnë të qesh. Dritare.net: Ndopak zili kurrë s’keni pasur? Michele Placido: Zili mund të kem provuar për njerëzit e talentuar, por për ta jo. Dritare.net: Si ishte viti ’93 për ju? Michele Placido: I mrekullueshëm, për jetën private dhe profesionale. Në kinematë italiane po shfaqet një film ku unë luaj gjykatësin Falkone. Në Shqipëri vij nga xhirimet e filmit “Babë e bir”. Këtu jam me Amelion dhe më pas do jem regjisori i një filmi. Dritare.net: Ç’është Amerika për Placidon? Ëndërr e parealizueshme apo diçka që s’ju intereson? Michele Placido: Amerika për çdo njeri dhe sidomos për ne mesdhetarët ngelet ëndërr. Dritare.net: Tani që jeni në Shqipëri ç’po bëni për ta njohur më mirë vendin dhe njerëzit? Shkoni në parlament apo në teatër? Michele Placido: Them se shkoj nëpër klube, të njoh njerëzit nga afër, pastaj do shkoj në parlament për të parë në është farsë ajo ç’ka thuhet e luhet atje. Dritare.net: Në spektaklin e Vera Grabockës, “Miss Albania” u dukët pak i çorientuar, pak indiferent.
Michele Placido: Po, sepse me bezdis të qenit kryetar jurie. Dritare.net: Po si spektator në një tjetër spektakël si do ndiheshit? Michele Placido: Do vija me shumë dëshirë për ta njohur me nge artin shqiptar./dritare.net Copyright dritare.net/ Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë