

Kjo intervistë me Mimoza Ahmetin është realizuar nga Rudina Xhunga në 10 shkurt 1996.
“Kur kafsha brenda meje s’bindet, nuk i jap të hajë, e lidh dhe i lexoj poezitë e Rudian Zekthit.”- thotë Ahmeti në këtë bisedë të gjatë që dritare.net e sjell të plotë e të pandryshuar, siç është botuar 21 vjet më parë./dritare.net
Nga Rudina Xhunga
PAK BIOBIBLIOGRAFI
Lind në Krujë në 25 dhjetor të 63-shit
Kryen shkollën e lartë për Gjuhë-Letërsi
Punon pak vjet mësuese në fshat, për të dalë në moshën 25 vjeçare në profesion të lirë
Prej 1993 është drejtore e Shtëpisë botuese “Marin Barleti”
Bindje politike ultra liberale “Të gjitha partitë mund të udhëheqin në kapitalizëm, nëse ju intereson kapitali.
Ka botuar:
“Bëhu i bukur”, poezi 1986
“Sidomos nesër”, poezi 1988 (ky libër u bllokua për një vit, për “figuracion të errët” dhe “mungesë adresimi”)
“Il mio grido”, poezi 1993 botohet në Itali
“Arkitraku”, roman 1993
“Delirium”, poezi 1994
“Absurdi koordinativ”, tregime, së afërmi
Dritare.net: Po bëjmë një intervistë pranë sobës, pasi ju pëlqen e nxehta.
Mimoza Ahmeti: Më pëlqen e nxehta e zjarrit. Djegia shoqërohet nga një çlirim energjie organike dhe një erë shumë e mirë. Prandaj më pëlqen zjarri, soba
Dritare.net: Ju jeni një grua e nxehtë, apo një tip i ftohtë që i pëlqen ta marrin për të nxehtë?
Nxehtësia e trupave duket në raport me trupat e tjerë, kështu që s’varet vetëm nga unë. Them se nxehtësia e ftohtësisë është nxehtësia më e mirë. Ajo është brenda, ndërsa të tjerat janë jashtë.
Dritare.net: Ç’do të thotë “jashtë”, po “brenda” sipas jush?
Jashtë është jashtë dhe s’do të thotë se është më keq, por brenda është më mirë. Ka një dendësi më të madhe dhe objekti gjendet brenda.
Dritare.net: Keni nisur të mendoni dhe shpreheni ndryshe, tani që më tepër kohë, i kushtoni parave dhe çmimit të letrës?
Kjo pyetje është paragjykim. Ma kanë vënë dukje dhe kolegë të mi. Në fakt s’është aspak e vërtetë. Tani që unë kam më tepër para mendoj më intensivisht dhe shkruaj më bukur. Paraja duke krijuar qarkullimin, vendos rregull te sendet, ato janë në vendin dhe kohën e duhur, e aq më e lehtë është për ty të ndodhesh në hapësirë të përshtatshme. Por duhet ta dini, unë nuk e di akoma ç’është paraja dhe pakkush mundet ta dijë në Shqipëri.
Dritare.net: Me gjithë rregullin që i keni krijuar vetes, duket se keni aftësinë të krijoni çrregull në mendjen e kujt ju interviston.
Dhe unë këtë ndjesi kam. Kjo ndodh se intervista nuk është një raport spontan, por i kërkuar dhe çrregulli është fare normal.
Dritare.net: Duhet të ndiheni keq në rolin e intervistueses?
Ky rol më duket humbje, sakrificë. Pyetjet tentojnë të rrahin në zemër të problemit dhe absorbohen me të. Të shërben si reaktor i tjetrit, s’më duket fort komode.
Dritare.net: Keni intervistuar vetëm Naxhi Bakallin dhe Edi Ramën. Nuk janë pak për të arritur në një konkluzion të tillë?
S’janë shumë, por janë aq sa për të mos bërë më. Mendoj se intervista bën një njeri që është akoma qenie inferiore.
Dritare.net: Tregoni diçka nga periudha kur ndiheshit inferiore?
Nuk mbaj mend. Më ka ngelur vetëm shija.
Dritare.net: Atëherë krijoni mundësinë të shijojmë?
Janë të tilla shije që më kanë krijuar idenë e gjynahut.
Dritare.net: E megjithatë në intervistën televizive me Edi Ramën, ju nuk dukeshit e mërzitur, aq më pak ai i vetëkënaqur?!
Unë fola në përgjithësi. Pastaj unë kam aftësinë t’i fsheh ndjesitë e mia, mjafton që të tjerët të ndihen mirë.
Dritare.net: I fshihni ndjesitë tuaja, por duket se kërkoni së pari të ndiheni ju mirë. Ndoshta jeni egoiste.
Të qenit ego është një punë voluminoze, është një shans që mund ta ketë vetëm përfaqësuesi i racës njerëzore. Egoizmi është pamundësia për të qenë një ego. Gjenia përmblidhet në zhvillimin e mundësive të egos duke zgjeruar padashur egon e të tjerëve, ku përmbahesh ti në një fare mënyre. Egoiste? Ndoshta. Në fund të ditës asnjë element në gjendje të natyrshme, madje dhe të panatyrshme nuk gjendet i kulluar. Por një ego jam. Madje kaq është ambicia ime, një ego, në kuptimin e përmbajtjes dhe posedimit.
Dritare.net: Çdo të thotë për ju posedim?
Poseduesit janë ato njerëz që duan të mbajnë ato gjëra që s’ju përkasin, por iu përmbushin etjet, lakmitë e iu krijojnë mburrjet e nevojshme. Por shpesh herë mund të ndodhë që poseduesit të jenë tipa pasionantë dhe me vlera, krijues në potencat e të cilëve shfaqen valenca të ngjarjeve dhe ditëve të ardhme dhe nga ky shkak, shumë njerëz ndërlidhin jetën e tyre me ta, duke u poseduar vullnetarisht. Ka diçka tragjike në të dy rastet, por ndërsa e para është e shëmtuar, e dyta është e bukur. Krishti ishte miti i posedimit kristian. Posedimi dhe individi kanë një ndërlidhje dhe në të njëjtën kohë një kundërvënie të çuditshme, gati agresive. Të jesh artist do të thotë të posedosh. Por të posedosh do të thotë të mos jesh mes të barabartësh. Dhe kjo e vë në dyshim vlerën e posedimit…etj, etj. Dua t’ju them megjithatë, diçka që nuk lidhet me sa përmenda më sipër: Në ndjenjë rëndësia e posedimit nuk është tërësore. Njeriu veçanërisht ndjen kur i përket diçkaje apo dikujt, por nuk e posedon atë….
Dritare.net: A dini të doni?
Të duash është art. Kjo ndjenjë shkurtimisht përmblidhet ne fjalën “mënyrë”. Pa e reduktuar në “etikë”, e cila është më shumë shkenca e hipokrizisë morale sesa e të ndjerit, dashuria është mënyrë, mënyrë e cila të bën të gjesh burime jete dhe kënaqësie në gjëra të thjeshta elementare.
Dritare.net: Ju keni mundur të lumturoheni kur dashuroheni?
Dashuria ime tani më ka kapërcyer mua. Ajo nuk konsiston më në përmbushjen e nevojave të mia. Ka kohë që mendoj se ne njerëzit njohim vetëm një dashuri; dashurinë ekzistenciale, dashurinë e nevojave tona, të cilat na duken të arsyeshme. Por në rast se analizojmë diçka përtej nevojave, aty ku ne nuk jemi, nuk është as dashuria jonë. Dhe kjo është e dhimbshme.
Arti është shkëputje nga realiteti. Është mashtrim të thuash se arti është pasqyrë besnike. Madje dhe njeriu shihet në pasqyrë jo që të besnikërojë bindjen që ka për vetveten, por thjesht të kryejë një shkëputje me krehër, laps, të kuq buzësh. Pra të shkëputurit nga realiteti është shprehja fillestare e çdo dashurie, veç kjo shkëputje nuk është thjesht fluturim. Që të ndihesh mirë duhet të ndërtosh trevën e shkëputjes (nuk mjafton vetëm të ikësh). Duhet ndërtuar. Konstruksionet dhe volumet janë nga më të ndryshmet. I lumtur është ai që i bën pavetëdijshëm, i kënaqur është ai që i bën dhe i di. Ai që as nuk e di e as nuk e bën është i humbur. Por zakonisht ndodhin të tria njëherësh…
Dritare.net: Ju ndodh herë-herë të ndiheni e humbur dhe për shkak të cilit gabim?
Më parë duhet të hyj në domethënien e gabimit. Gabim është diçka, sipas traditës, që i shkakton keq tjetrit. Por ka gabime që të dëmtojnë vetëm ty. Gabime që më dëmtojnë mua dhe që nuk i shmang, quhen gabime të nevojshme. Unë bëj gabime të nevojshme sepse mbijetoj. Presupozimi i përshtatjes pa të cilën nuk ka vazhdimësi dhe fenomen do të thotë presupozim i gabimit të nevojshëm. Gabim i nevojshëm do të thotë jetë.
Ndërsa gabimi im më i madh është se unë nuk kam ndërmend t’i shmangem gabimit të nevojshëm, aq më pak në mënyrat ekstreme, siç mund të jenë, vetëizolimi, vetëvrasja, apo …etj, që dihet i provokon artistët. Kjo “s’kam ndërmend” nuk do të thotë se jap garanci, por më pëlqen jeta e rëndomtë, normale, kur është fjala për të gjithë. Duket paradoksale, por unë jam njeri i rëndomtë në kuptimin e të jetuarit. Pa kurrfarë ngjarjeje. Përpiqem të dalloj vetëm në analiza, të kem një sistem timin ngacmueshmërie, por gjithmonë pa dashur tu shkaktoj të afërmve disekuilibër. Nuk dua të jem”problem” në kurriz të dikujt.
Dritare.net: A ju duket shpesh se tjetërsoheni pa dashur e ditur?
Tjetërsimi është pothuaj misitik në kuptimin e shpjegueshmërisë. Tjetërsimi paraqitet si përfundim dhe të arrish të kapësh atë që të ka tjetërsuar, do të thotë të kesh arritur në një shkallë të re tjetërsimi. Si princip tjetërsimi ka si qëllim lëvizjen, megjithatë shpesh e përdorin në kuptim negativ, si devijim, dalje nga natyra. Devijimet janë pjesë normale kur shihen nga pikat devijuese. Kështu në fund të fundit dhe devijimi është në natyrë, asgjë për tu çuditur nuk ka brenda tij. Nga jashtë po. Aty mund të çuditesh. Por kjo është spekulative. Kështu ju mund të çuditeni me tjetërsimin e një personi që ju ka dashur dhe tani s’ju do. Por në të vërtetë ajo që ia vlen të merret si çudi, është mënyra sesi ky fakt sjell një ose një mori tjetërsimesh dhe për ju vetë. E kështu ngjarja është tek ju, gjithashtu tjetërismi. Ajo që vlen për tu nënvizuar është se ligji universal i zhvillimit të organizmave socialë, të bazuar mbi nevojën e produktit të konvertueshëm me qeliza pune (detyruese), ky ligj është ligji i tjetërsimit, baza materiale e çdo krimi në shoqërinë civile. Ky është një ligj i pakontrollueshëm, që kontrollon gjithçka. Duket e pabesueshme, por askush nuk mund t’i shpëtojë këtij ligji, as dhe një. Derisa ai të pushojë së qeni nga vetëpërmbyllja.
Dritare.net: Ç’marrëdhënie keni me kafshën brenda vetes?
Ndjej se njeriu brenda vetes sime shkon mirë me kafshën. Madje kjo kafshë është aq e zbutur sa bën ç’i thotë njeriu.
Dritare.net: Dhe ç’bëni kur kafsha s’ju bindet më?
Nuk i jap të hajë, e lidh dhe i lexoj poezitë e Rudian Zekthit.
Dritare.net: Ju ndodh të bini në dashuri me poetët që botoni?
Nuk gjej një fenomen të tillë që të më eksitojë në atë shkallë, sa të dal nga qenia imë, të dominohem nga pasioni, e të pranoj se kam rënë në dashuri. Kam vënë re se unë paraqitem si një trup i ngurtë para të tjerëve. Mund të them vetëm se poezitë e mira të poetëve të rinj më ngazëllejnë, më japin shenja jete, më krijojnë klimë për shpirtin. Jam e kënaqur që kam mundur të botoj poetë si Rudian Zekthi, Ervin Hatibi etj, ose një poet gjigand si Kërlesha. Gjej rastin të falënderoj Fondacionin Soros për mbështetjen e herëpashershme. Botimet janë një fushë prozaike, intensive, e lodhshme pune. Kam pasur një tendencë ambigue, paradoksale në strategjinë e botimit; nga njëra anë botimi i një letërsie të zakonshme, të vetëfinancuar dhe nga ana tjetër mbështetja e botimeve të letërsisë së të talentuarve. Gjithashtu janë ngjarje e veçantë e shtëpisë sime botuese, botimet me “Lirika e Satira” të disidentit të njohur Kasëm Trebeshina, një nga vibracionet më virtuoze të lirikës shqipe, si dhe romanin “Shkrimtari” të kolegut të tij Mehmet Myftiu, vepër unikale në letërsinë shqipe, për nga tabloja dimensionale e kronikës së deprimimeve psiko-intelektuale-politike të jetës së viteve 1960./dritare.net

















