

Ulja në tryezën e bisedimeve e Partisë Demokratike dhe rrjedhimisht e LSI e cila tashmë është një apandesit i PD, shkaktoi debate.
Kush ka pasur logjikën e ftohtë e dinte që në fillim se ky do të ishte përfundimi i një rrugëtimi pa krye dhe pasojat e saj do të ndihen gjatë për demokratët.
Humbja e tyre fillon që me rënien e besueshmërise te perëndimorët. Ata nuk mund ta falin një parti që del nga sistemi dhe kërkon rrugë jashtëligjore për të bërë rotacionin. Aq më shumë kjo vlen në një rajon të destabilizuar si Ballkani. Pesha e këtij vendimi do ta ndjekë gjatë Lulzim Bashën.
Gabimi i dytë qëndron në uljen pa kushte me një përfaqësues të mazhorancës i cili është akuzuar gjatë për korrupsion gjatë kohës që ishte në pozicionin e ministrit dhe për manipulim votash në rrafshin politik. Zgjedhja e tyre për t’u ulur me Gjiknurin si kryetar tryeze është një dorëzim pa kushte. Argumenti se në PS nuk kanë mbetur të painkriminuar është tepër propagandistik për të qenë i vërtetë.
Mungesa e një analize serioze për hapat e ndërmarra gjatë këtij viti, janë një mungesë tjetër e vetëdijes politike për pasojat që ka pasur dhe do të ketë ky vit politik në të ardhmen e PD-së.
Basha kishte gjithë mundësinë që gjatë vitit që shkoi të bënte luftën brenda institucioneve dhe atë të rrugës por pa sulmuar vazhdimisht me molotov institucionet. Besueshmëria e tij do të ishte shumë më e madhe në Perëndim dhe në elektoratin shqiptar përfshirë atë të djathtë, ku një fashë e madhe e tij nuk e kuptonte pse duhej sulmuar vendi ku ti pretendoje të hyje një ditë.
Por çfarë iku, iku. Tashmë shumica e di se braktisja e Parlamentit dhe protestat e dhunshme ishin një strategji e Berishës dhe Metës. Ato treguan se Berisha nuk mund të ndezë më revolucione dhe nuhatja e tij politike ka rënë. Ndersa Meta është i mirë si lider, por i dobët si këshilltar.
Ndaj ajo që i mbetet Bashës të bëjë është të shpëtojë të shpëtueshmen në dy plane: politik dhe ekonomik.
Në planin ekonomik duhet të ketë një ndarje nga oligarkët. Parullat me sekuestrim pronash, janë dëngla që i tha edhe Rama dhe bëri një vrimë në ujë. Metodat e ‘45-ës nuk aplikohen në 2020-ës. Por të paktën t’i heqë lakun ekonomisë nga monopolet që po e mbysin. Në rrafshin politik, ai duhet të jetë i qartë që me revolucione nuk fitohet më, sidomos në një vend që çdo ditë i rritet mosha dhe popullsia që vuan nga reumatizma.
Nuk mund të fitojë me figura të vjetra apo edhe emra të rinj, por që model të tyre kanë Berishën dhe për avancimin në politikë duhet të kenë miratimin e patriarkut.
Nëse Basha nuk bën një ndarje drastike me njerëzit që e futën në rrugën pa krye dhe nuk tregon modelin e tij, duke iu mbushur mendjen si perëndimorëve ashtu edhe shqiptarëve, do ta ketë shumë të vështirë të vijë në pushtet. Kjo rrugë mund t’i kërkojë një vit e gjysme ose ndoshta edhe pesë e gjysme, por është e vetmja që e sjell në pushtet. Modeli i molotovit është për lëvizjet që duan të afirmohen dhe jo për një parti tridhjetë vjeçare. Përndryshe mund të shijojë opozitën. Nuk është se po vuan edhe kështu si është./dritare.net

















