

Të shkosh në restorante të shtrenjta, koncerte dhe madje dhe në Itali vetëm ishte frikësuese por dhe shumë emocionuese, por ja çfarë mësova rrugës për t’ia kaluar sa më mirë!
Unë jam introverte dhe kisha një marrëdhënie të komplikuar me kohën vetëm. Gjithmonë kur arrija limitin e ndërveprimit social kisha nevojë për disa orë për t'u karikuar në shtëpi, duke pirë çaj, duke u marrë me lulet. Por tanimë po vrisja mendjen nëse isha pak si shumë rehat me këtë rutinën e të ndenjurit vetëm në shtëpi.
Kam jetuar në New York për 3 vjet, dhe ende më duket si qendra e universit. Ka gjithmonë shumë gjëra për të bërë dhe më dukej sikur nuk kisha kohën, paratë, ose njohuritë për ta përjetuar siç duhet qytetin. Por kohët e fundit, më mbaruan justifikimet. Vërtetë shumë gjëra për të bërë, por kuptova që nuk kishte asnjeri që të më jepte një arsye për t'i bërë, kështu që vendosa të rrija në shtëpi.”
Si një njeri që lexon shumë libra self-help vendosa që kjo do të ishte sfida ime për këtë vit, të shikoja gjithçka vetëm, dhe ta shijoja kohën vetëm. Fillova pak e nga pak, duke filluar nga qyteti im New York, më pas me udhëtimet jashtë.
- Të shikosh filma vetëm është diçka shumë normale.
Unë e kam bërë disa herë tashmë, duke filluar me “A Star is Born” me të cilin u kënaqa. Shfaqet gjatë ditës ishin më të rehatshme sesa në fundjava, ku është piku i njerëzve. Gjithashtu mësova që duhej të shkoja përpara kohe për të marrë vendin më të mirë, për ta pasur rreshtin të gjithin për vete. Një zgjedhje e mire që të shfaqësh emocionet dhe të hash çfarë të duash dhe si të duash.
- Muzetë
Muzetë duket sikur janë projektuar për daljet vetëm sepse nuk ke nevojë të bisedosh me dikë dhe të vrasësh mendjen që po thua gjënë e duhur për një skulpturë të cilën në të vërtetë, nuk po e kupton fare. Shko sa më herët të mundesh në mëngjes, sepse ai është orari që muzetë janë më të qetë, dhe nuk do ta ndjesh nevojën të nxitosh. Kënaqu me faktin që mund të rrish sa të duash përpara pikturës tënde të preferuar, dhe asnjeri nuk po pret me padurim që të mbarosh punë, këshillon dritare.net
- Galeritë e artit
Fillimisht unë mendoja që ishte shumë e frikshme të vizitoja galeri arti vetëm dhe gjithashtu nuk dija as se nga t’ia filloja. Por, sapo fillon dhe sheh kalendarët e shfaqjeve dhe regjistrohesh në e-maile për të marrë njoftime nga to, gjithçka fillon të ketë kuptim. Zbulova që koha më perfekte për të vizituar galeritë është një e shtunë verore, sepse nuk janë shumë të populluara dhe kanë ajër të kondicionuar.
Këshillat e mija janë të visheni mirë dhe jo me kostum sportiv nëse nuk doni të ndiheni të gjykuara nga stafi aty. Gjithashtu ndaloni në kafene dhe merrni një kafe që të keni diçka për të mbajtur në duar dhe bëni sa foto të doni për Instagram. Nuk do të ketë njeri t’ju gjykojë për faktin që po bëni aq shumë foto.
- Restorante luksoze
Të shkosh në një takim ku thjesht të duhet të rrish vetëm është diçka, por të hash vetëm është një sfidë komplet tjetër. Kur dola një natë për të ngrënë noodles, kuptova që nuk ndihesha keq vetëm për faktin që kisha zënë një tavolinë për gjashtë persona, por gjithashtu ndihesha në faj që i kisha harxhuar ato para në vend që të gatuaja në shtëpi.
Pasi lexova Emily Schildt, kuptova që të koordinoheshe me njerëz të tjerë që më në fund të mund të haje një darkë të mirë në një restorant luksoz ishte një mënyrë e tmerrshme për ta jetuar jetën. Ulu tek lokali. Duket më pak e sikletshme. Lexo një libër, rri në telefon. Bëj çfarë të duash.
Nëse nuk keni ngrënë kurrë vetëm, duhet të dini se do të keni sytë e shumë njerëzve që do ju shikojnë. Por, mendoni që ata po thonë për ju: Më pëlqen shumë stili i jetës i kësaj vajze! Këshilla ime tjetër është: Trajtojeni si një takim real. Bëni rezervim. Harxhoni sa të doni. Planifikoni sa më shumë detajet, që të ndiheni më rehat.
- Lokali
Vendimi thelbësor në këtë rast është të gjeni lokalin ideal. Shkoni diku vetëm, pa frikë, dhe shumë shpejt stafi dhe klientët e rregullt do të bëhen miqtë tuaj. Këshilla ime është të jepni një bakshish të mire. Kini parasysh që gjithmonë dikush do të dojë të fillojë një bisedë me ju, por vetëm ju mund ta vendosni nëse doni ta bëni atë bisedë apo jo.
- Plazhi
Të shkosh në plazh herët në mëngjes është një vendim i mirë. Merrni libra me vete, ujë, rroba. Kini parasysh që kur të notoni të keni njerëz afër dhe pyesni dikë që ju duket i besueshëm që t'i hedhë një sy gjërave tuaja.
- Një shfaqe
Mund t'ju duket pak e çuditshme që të qeshni vetëm, por kini parasysh që nuk do ju duhet të vrisni mendjen nëse dikush tjetër po kënaqet apo jo. Kjo mendoj se ishte gjëja që kuptova kur fillova të dilja vetëm. Nuk më duhej më të vrisja mendjen për dikë tjetër. Më dukej sikur më parë kalova më shumë kohë duke vrarë mendjen për këtë gjë sesa për kënaqësinë time. Mësova dhe diçka të re, kurrë mos të shkoja herët në evente, dhe gjithmonë të sigurohesha që do ishte një aktivitet që vërtetë të më pëlqente.
- Një koncert
Kjo mendoj që ishte padyshim më e vështira. Zgjodha një nga vendet që e mendova si te më të mirat, në ballkonet ku mund të rrija ulur, por ndihesha shumë jo rehat në mes të njerëzve shumë seriozë. Unë doja të kërceja, por ishte e sikletshme sepse mora shumë shikime gjykuese nga njerëzit. Një mësim tjetër për herën tjetër, të zgjedh nga vendet poshtë, në këmbë, për ta shijuar duke kërcyer lirisht.
- Një udhëtim jashtë vendit
Në Itali më saktë. Ka qenë diçka që gjithmonë kam dashur ta bëja, dhe në fund vendosa që në vend që të prisja të tjerët, ta bëja vetëm. Të gjeje vendin e duhur për të shkuar ishte pjesa më e vështirë. Ka shumë këshilla për udhëtimet jashtë por më e mira është të gjesh një akomodim të sigurt. Më mirë paguani më shumë.
Nga gjithë këto eksperienca unë kuptova që vetëm tanimë po filloja të jetoja vërtetë jetën në vend që të prisja të tjerët. Gjëja më e mirë që mësova ishte që pasiguria nuk ishte diçka e keqe. Në fakt, ishte diçka që duhet të vinte dhe të kalonte. Dhe aty fillonte qejfi i vërtetë./Përshtati: Ada Shehu/dritare.net

















