Na ndiqni edhe në

Fjorda di një Vend

Kampioni shqiptar i notit që garoi në Oqeanin Paqësor, arrin një tjetër sukses!

Kampioni shqiptar i notit që garoi në Oqeanin Paqësor, arrin

Nga Fjorda Llukmani Para disa kohësh ju prezantova me Francin, shqiptarin që po na nderon në garat e notit në botë. 20-vjeçari që studion në SHBA tregon se këtë sport e filloi thjeshtë për ta mësuar sepse babi e kishte merak mos mbytej në det. Nga kujdesi i prindit, u rrit një fëmijë që sot jo vetëm që s’ka shans të mbytet, por thyen rekorde noti atje ku jeton. Suksesi i fundit është kualifikimi në NCAA , që është Kampionati Kombëtar i të gjitha Universiteteve në Amerikë. Franci Aleksi garon me ekipin “Eagles” të Universitetit Ashland. Falë arritjeve të tij në sport, i kanë mundësuar dhe bursë të plotë në shkollë. Përveç pjesëmarrjes në garën Gliac Sëimming Championship dhe fitimit të çmimit të tretë, ai ka thyer rekordin e universitetit prej 24 vjetësh. Iu deshën vetëm 15 minuta e 34 sekonda në pishinë 25 yard që të përfundonte garën e 1650 yard duke rrëmbyer medaljen e bronzit. Me këtë minutazh ai u kualifikua për herë të parë në NCAA Division 2 Championship, që mbahet në mars në Ohio. 20 kohët më të mira garojnë në kompeticion dhe i 14-ti është radhitur Franci Aleksi. Gjithsej marrin pjesë 400 notarë, e njëri prej tyre është dhe shqiptari ynë. Ne si popull jemi gjithandej, s’të falim. Tek lexoja shifrat e imagjinova duke notuar me shpejtësi sa andej këndej, siç kam parë nëpër filma. Kurioze jam ta di çfarë i shkon në mendje gjatë atyre momenteve. Duke qenë me origjinë nga Vlora, jam rritur me dashurinë ndaj detit e notit. Kur mësova notin e delfinit më dukej vetja sikur isha njësh me ujin. Asokohe më bleu babi kapuç dhe syze për t'u zhytur të markës Speedo, që ta kultivonte më shumë dëshirën time. Ndërsa notimi në pishinë mua s’më pëlqente sepse lodhesha shpejt. “Ua po nuk më mban dot sipër si deti ky mua?!”- ishte komenti i parë qe kam bërë. Prandaj zgjedh të shkruaj e ta promovoj Francin, sepse ka bërë diçka që doja ta bëja shumë ama s’ia arrita dot. Megjithatë, suksesi varet nga ajo çfarë kërkon prej vetes. S’duhet të krahasohemi me të tjerët. Mjafton të jemi të kënaqur me atë që bëjmë vetë, e të japim maksimumin për t’i arritur dëshirat tona. Përveç familjes një mbështetje e madhe për Francin kanë qenë dhe disa miq amerikanë që i ka njohur në Shqipëri. Shefja e misionit të OSBE/ODIHR Conny Mc Cormack dhe

Mick McCormack sot janë suport moral dhe financiar për të. Mungesa fizike e prindërve e shokëve të vjetër kthehet dhe në forcë shumicën e rasteve. Por dhe nga Shqipëria jonë e vogël mund të njohësh njerëz që të japin një shtysë për karrierën tënde. Synimi kryesor i Francit është pjesëmarrja në Olimpiadën e Tokyo 2020. Shpresoj me gjithë zemër t’ia arrijë qëllimit e pres të shkruaj intervistën e parë kur të pranohet në kompeticionin më të rëndësishëm të sportit në botë. E shikon Franc, që s’na duhen vetëm sportistët po dhe gazetarët? Sigurisht inxhinierët, punëtorët e ndërtimit, piktorët e të gjithë. E veçanta jote është që stërvitesh 4 orë në ditë, gjë që se bëjnë të gjithë. Asgjë s’ke t’i më shumë se ne, vetëm vullnetin dhe punën. Por, të rinjtë si ty i kemi shembull që po e deshe diçka fort e arrin, s’ka rëndësi nga vjen. Në rastin tënd e të atyre që na ndrisin faqen brenda e jashtë vendit do thosha “njëri guxon që fiton dhe 1000 të tjerë kreno”./dritare.net