Ministri i Brendshëm reagon për dhunën në Zvërnec: Të ndëshkohen rojet private dhe kompania që i punësoi
Dritare.net

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar pas përplasjes së ndodhur në Zvërnec, ku roje private ushtruan dhunë ndaj qytetarëve që po protestonin kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë. Përmes një reagimi publik, Lamallari theksoi se rojet private nuk kanë të drejtë ligjore të përdorin forcë ndaj qytetarëve dhe kërkoi që, përveç ndjekjes penale të personave të përfshirë, të hetohet edhe kompania ku ata janë të punësuar.
Reagimi i plotë i ministrit Besfort Lamallari:
1. Projekti i Zvërnecit lidhet me një tokë tërësisht private dhe qeveria shqiptare as ka falur tokë, as ka tokë për të falur - jo vetëm sepse ne nuk i kemi falur ndonjëherë tokë askujt, po edhe sepse në këtë rast ajo pronë u është kthyer pronarëve dhe është regjistruar në hipotekë, vite përpara sesa ne të vinim në qeveri.
2. Po nëse prona është private, rojet private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt dhe jo vetëm ata si individë duhet të ndiqen penalisht, siç po ndiqen, po edhe për kompaninë e tyre hetimi administrativ për paaftësi totale në ushtrimin e aktivitetit të autorizuar, duhet të mbyllet sa më parë të jetë e mundur.
3. E përshëndes reagimin e shpejtë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe vënien nën hetim të zinxhirit të komandimit, sepse nuk ishte e papranueshme vetëm sjellja skandaloze e rojeve private, po edhe indiferenca e pajustifikueshme e policisë së pranishme në vend.
Goditja brenda radhëve të Policisë së Shtetit, që nisi në Sarandë dhe ka vazhduar në Vlorë, do të jetë një konstante e punës së strukturave tona në këtë kapitull të ri të drejtimit të tyre.
Uniformat blu janë dhe duhet të jenë në çdo rast, garante të rendit ligjor, ku mbrojtja e pronës publike apo private janë një pjesë thelbësore. Por po ashtu ato duhet të garantojnë edhe pacënueshmërinë e besimit të qytetarëve tek uniforma e policisë, prandaj çdo devijim nga këto parime do të goditet përmes bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave drejtuese të policisë dhe të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.", thuhet në reagimin e Lamallarit./K.C/dritare.net