
Kampi i Vajzave në Shkencë vjen në Ballkan dhe ju me siguri nuk e dinit!
Dritare.net

Kur flasim për fuqizimin e grave dhe vajzave, shpesh i referohemi vetëm të drejtave bazë e për këtë s'kemi faj kur jetojmë në një periudhë ku vajzat ende martohen në moshë të re pa dëshirën e tyre apo dhunohen më pas gjatë jetës për arsye që lidhen vetëm me faktin që kanë lindur vajza, kjo jo vetëm në Shqipëri, por me të dhëna të përafërta pothuajse në të gjithë Ballkanin.
Ama teksa shumëkush pushonte gjatë gushtit, në Kosovë përgatiteshin për të mbajtur një kamp ndryshe nga të tjerët, kampin WiSci Kosovo 2019, një kamp për vajzat 15-18 vjeç në shkencë specifikisht, teknologji, inxhinieri, art dhe matematikë.
Pa bujë të madhe në medien shqiptare ama me 14 vajza nga Shqipëria, 100 në total nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Shtetet e Bashkuara dhe mbështetjen e shumë institucioneve me rëndësi në secilën nga vendet si: Ambasadat Amerikane, United Nations, Ministritë e Edukimit, Departamenti i Shtetit apo kompani si NASA, Intel etj, ky kamp për 2 javë fuqizoi të gjitha këto vajza në disa drejtime.
Për fatin tim të mirë, një nga këshilltarët për këtë kamp isha dhe unë e mbresat e veçanta mes trajnimeve të shumta për inteligjencën artificiale, robotikën apo aftësitë e lidershipit, të folurit në publik mund t'i ndaja në vetën e parë lirisht, ama më poshtë do të takoni 5 vajza që tregojnë rëndësinë e këtij kampi dhe simotrave të tij për rajonin tonë, jo vetëm për fuqizimin e vajzave në Ballkan por dhe për ripajtimin e përqafimit të kulturave të secilit prej vendeve nga vijmë. Kampi i Vajzave në Shkencë vjen në Ballkan dhe ju me siguri nuk e dinit!
- Marija Stojanovic, Serbia, 15 vjeçe
Marija, adoleshentja nga Vrnjačka Banj e Serbisë me pasionin për të thelluar studimet e saj në shkencë thotë se: “Kjo eksperiencë më ka pasuruar me shumë njohuri dhe kaq shumë miqësi të reja. Kam krijuar marrëdhënie me njerëz me të cilën nuk do e mendoja kurrë. Është padyshim një eksperiencë që vjen vetëm një herë në jetë të cilën do ta kujtoj gjithnjë dhe jam mirënjohëse që munda të përzgjidhem.”
- Ela Dogjani, Shqipëria, 15 vjeçe
Ela, gjimnazistja aktive në American Corner Kukës shprehet e lumtur për pjesëmarrjen e saj në këtë shkollë verore duke thënë se: “Kampi “WiSci Kosovo” ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme për mua për të eksploruar dimensione të reja por edhe për t’u thelluar në fushën e shkencës. Kjo mundësi na ndihmoi të gjithave për t’u rritur emocionalisht dhe profesionalisht, për të kuptuar që jemi të gjitha inteligjente, kurajoze dhe të afta për të ndryshuar botën. Krijimi i miqësive të reja dhe njohja me kultura të reja e bën definitivisht këtë eksperiencë më të bukurën e jetës sime.”
- Jana Arsovska, Maqedonia e Veriut, 17 vjeçe
“Falë këtij kampi kam fituar miqësi të vlefshme dhe absolutisht zgjeruar njohuritë në fushën e shkencës. Sigurisht ky kamp më ka përmirësuar besimin në vetvete dhe më ka bërë të kuptoj se ndryshimi mes kulturave të ndryshme janë një eksperiencë më vete. Çdo vajzë duhet të jetë njëherë pjesë e këtij kampi, fillimisht për të përmirësuar veten dhe për të kuptuar se çfarë fuqie mbart termi “Vajzë”.” Kështu u shpreh 17-vjeçarja nga Shkupi e cila pas përfundimit të kampit ka nisur nga puna për të zgjeruar aktivitetin e klubeve të ngjashme edhe në qytetin e saj.
- Saima Nezami, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 16 vjeçe
Për herë të parë në Ballkan, një eksperiencë kjo që ka shënjuar jetën e saj, Saima, amerikania që synon të thellohet në fushat e mjekësisë në të ardhmen thotë se: “Unë isha një nga aplikantët e përzgjedhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në këtë kamp. Kur them që kjo është një eksperiencë që nuk do e harroj kurrë, më besoni që është vërtetë kështu. Suporti dhe lumturia e marrë nga takimi më miq të rinj, të merrja pjesë në klasa të ndryshme nga Intel, Microsoft dhe Nasa është diçka që nuk do të ishte e mundur ta merrja diku tjetër. Kam ëndërruar të udhëtoja për shumë kohë dhe mendoja që nuk do të ndodhte së afërmi. Së fundmi, ky kamp më mësoi se pavarësisht gjithçkaje, një vajzë mund të jetë njësoj e fuqishme si çdokush tjetër. “
- Nida Cavdarbasha, 16 vjeçe/ Arita Ismajli, 16 vjeçe, Kosova
Nida, e cila ka një emision në radio e krahas kësaj shumë pasion për shkencën, inteligjencën artificiale dhe robotikën thotë se: “Unë kam aplikuar në këtë kamp për shkak të interesit në fushat e STEAM, veçanërisht në matematikë dhe teknologji. Ky kamp ishte një nga eksperiencat më të rëndësishme për mua deri më tani. Për mua u krijua mundësia që të fitoja njohuri të reja në fushat e shkencës por më ndihmoi dhe në zhvillimin emocional personal. Gjatë këtij kampi, pata mundësinë të njihja miq të rinj nga disa vende të botës, duke uruar që këto miqësi të zgjasin përgjithnjë. Nëse dikush dëshiron të njohë veten më mirë dhe je një vajzë që do të sjellë ndryshim në botë, ky kamp është hapi i duhur që duhet të ndërmarrësh!”
Siç duket edhe bashkëmoshatarja e saj, Arita, një vajzë e mprehtë me shumë talente shprehet se një eksperiencë e tillë zor se përsëritet. “Kam mësuar shumë këtu, vlera të cilat impaktojnë drejtpërdrejtë dhe jetën time të përditshme. Tani me fillimin e shkollës, mund t’i përdor aftësitë e fituara gjatë këtij kampi për një qasje më të mirë në miqësitë e mia, por dhe studimet, duke ndarë me të gjithë çfarë kam mësuar.”,- shprehet Arita.
- Nora Gjoni, Mali i Zi, 18 vjeçe
Nora pret të nisë studimet këtë tetor në degën e mjekësisë, ama gjatë gushtit vendosi të aplikojë për të qenë pjesë e këtij kampi e ndarë eksperiencën e saj me 100 vajza të tjera.
“Pata mundësinë këtë verë që të jem pjesë e këtij kampi bashkë më këto vajza të mrekullueshme nga gjithë bota. Ishte një mundësi shumë interesante dhe argëtuese në kuptimin e takimit me njerëz nga gjithë bota, zgjerimi i njohurive në shkencë nga aktorë të rëndësishëm në këto fusha si Intel, Nasa etj, por edhe për të parë kapacitetet tona, se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Do të jem gjithnjë mirënjohëse për këtë oportunitet që ka sjellë një impakt të madh në jetën time, por edhe në personalitetin tim.”,- thotë Nora./dritare.net

















