

Me mund të madh, kam mundur edhe unë të blej një apartament të vogël në bregdet. U bënë vite që atëherë, e sa herë vijmë për t’u shkëputur pak nga zhurma e përditshme, mundohemi të blejmë ndonjë gjë të vogël për ta kompletuar. Kësaj radhe erdhëm me mendjen e mbledhur që do shpenzonim ca më shumë lekë e që do ta bënim më në fund një shtëpi normale. Morëm në telefon një hidraulik të na montonte një dush më të mirë se ai që kishim e që nuk të bie në kokë ndërkohë që lahesh. Na tha se do të na vinte pas gjysmë ore. Kaluan dy orë derisa e morëm në telefon për ta pyetur mos kishte harruar, por nuk u përgjigj. E morëm edhe dy herë të tjera brenda tre orëve dhe më në fund na begenisi dhe mbërriti.
Ndërkohë, meqë ka ardhur vera e mund të vijmë ca më shpesh, vendosëm të lidhim edhe internetin dhe televizorin. Nga telefonata e parë, e derisa na u bë më në fund instalimi, u desh të bënim të paktën 10 telefonata, pa llogaritur thirrjet në telefonat me numra sexy të shërbimit të klientit, të cilët ose dilnin jashtë shërbimit, ose nuk i ngrinte kurrë njeri edhe pas përsëritjes disa herë të sinjalit akustik në shqip dhe në anglisht. Pa na u desh të qepnim edhe ca perde super të thjeshta. Unë i kam pak zët ato dyqanet moderne në qendër të qytetit, me ca reklama të shtrenjta e çmime që përfshijnë edhe qiranë, edhe statusin prej ‘firmatoje’ të dyqanit dhe pronares me flokë gjithmonë të krehura e të fryra, e kështu vendosa t’i bëj në një dyqan të thjeshtë që për momentin e kishin lënë në dorë të djalit 20-vjeçar që përveçse roje i disa tyleve e poliestrave të dala mode, nuk dinte asnjë lloj informacioni rreth mallit dhe shërbimit që ofronin mami dhe babi që kishin shkuar deri aty afër për të bërë ca mbulesa divanesh e që ktheheshin për 5 minuta. Këta të perdeve nuk e kishin në praktikën e tyre të vinin e t’i merrnin masat e as të vinin e t’i vendosnin për të parë nëse bënte vaki të mos shkonte ndonjë gjë, kështu që pas disa telefonatave sqaruese edhe me këta, na u desh të ktheheshim që të na i shkurtonin një palë, se ishin shumë të gjata. Ka shumë gjasë që kjo të ishte bërë për gabimin tim, por unë e pranoj se nuk kam shumë eksperiencë me marrje masash e me komunikimin e tyre atij apo asaj që i qep.
Elektricisti që na i kishte bërë më parë ca instalime e çinstalime nuk na erdhi dot. Të dy punëtorët që kishte, i kishin ikur në Norvegji për punë. “Kam mbetur si peshku pa ujë” na tha, kurse bojaxhiut që bën edhe gipse i kishin ikur të gjithë punëtorët në Gjermani. Edhe ai kështu, i kishte lënë në baltë shumë klientë.
Qershi mbi tortë ishte pastrimi. Pas lutjeve që i bëra një të njohurës sime në këtë qytet e pasi s’kishte lënë njeri pa pyetur për dy ditë rresht, ajo më kishte gjetur një vajzë të re, të martuar, me fëmijë e me halle, që të më ndihmonte me pastrimin. Erdhi ajo e shkreta, fiks në orar. E kishte shtëpinë goxha larg, siç më tha. I kisha premtuar që në telefon se do ta paguaja mirë, se shyqyr që e gjeta. E lashë disa orë në shtëpi vetëm që të pastronte, ndërkohë që bëja këto sorollatjet nëpër qytet për të gjetur ustallarë e për të bërë ca blerje. Kur erdha, nuk pashë asgjë të dukej më e pastër se më parë. I kishte nxjerrë ca jorganë e batanije të ajroseshin në parvazin e ballkonit të pa pastruar për të paktën një vit, qëkur kisha qenë në shtëpi për herë të fundit. Ky zakoni i ajrosjes më lë pa fjalë. Pothuajse në çdo shtëpi që sheh buzë rrugës kur udhëton nga një qytet në tjetrin shikon dimër-behar batanije ngjyra-ngjyra, që duken sikur nuk lëvizin kurrë prej aty.
E rraskapitur u nisa për Tiranë. Po uroj të mos më duhet asnjë usta apo ustalleshë të paktën për ca vjet. Deri atëherë ndoshta mësojnë ca më shumë gjithë këta njerëz që ankohen kafeneve se s’ka punë e s’ka lekë./Dritare.net

















