Ju tregoj si janë spiunët e Shqipërisë!
Dritare.net
'Pashë dikë me kapele të kuqe'. Kështu i bie të jetë informacioni, për të cilin policia jonë mund të paguajë një nga spiunët e vet, siç i quajnë rëndom njerëzit këtu tek ne, ata që në një raport që unë lexova quheshin informatorë.
Një ekspert i paguar për muaj të tërë nga një vend i BE-së përshkruante me hollësi se si rekrutohen e përdoren ata nga policia jonë, duke treguar edhe sa afër apo larg është mënyra shqiptare, nga ajo e pranuara gjerësisht si mënyra më eficente e përdorimit të informacioneve të ofruara nga këto burime.
Nuk besoj se do të çuditet kush po të them se si në çdo fushë tjetër tonën, që i nënshtrohet këqyrjes së hollësishme të një profesionisti të jashtëm nga vende ku rregulli është një për të gjithë, edhe kjo e informatorëve e kishte mahnitur ekspertin.
'Po ç'është kjo? - thoshte eksperti - Po si qenka ky informacion! Ah, informacion do ishte nëse ai (informatori) do thoshte 'Pashë një burrë rreth të dyzetave që mbante një kapele të kuqe në filan vend e filan orë duke bërë filan gjë'. Por duhet të kishte një historik përpara, ca rrethana, që të çonin deri te kapela e kuqe e ca copëza më shumë që të dinte Policia ç'të nxirrte në dritë nga 'kapela'. Le që sipas tij, informatori duhet të instruktohej qartë që më përpara se çfarë duhet të bënte, detyra që duhet të dilnin nga një vlerësim strategjik i nevojave që policia kishte për informacione për njerëz apo veprimtari të caktuara. Për mua, esenca me dy fjalë e gjithë atyre faqeve raport e bisedën në kafe ishte: ‘S'e merr vesh i pari të dytin. S'e merr vesh ku shkojnë paratë e shpërblimeve për informacione që s'i nënshtrohen asnjë analize me tregues të qartë për nga kontributi që ato japin në suksesin e përpjekjeve të Policisë për parandalimin dhe goditjen e krimit’./dritare.net