Na ndiqni edhe në

Fjorda di një Vend

Ju shkruaj nga fshati më i famshëm në botë!

Ju shkruaj nga fshati më i famshëm në botë!

Nga Fjorda Llukmani Vendi për të cilin po ju shkruaj është fshati më i famshëm në botë. Jam e sigurt që mund ta keni parë nëpër rrjete sociale pasi e kanë promovuar shumë, megjithëse banorët s’janë të kënaqur me turizmin masiv. Hallstatt është aq i bukur, sa që një pasanik ka ndërtuar një fshat identik të tillë në Kinë. Madje thuhet që prej saj është frymëzuar dhe filmi vizatimor Frozen. E në fakt nga përshtypjet e mia dua t’ju them se dukej më bukur se në fotografi. Prej kohësh doja ta vizitoja duke parë që postohej nga të gjithë. Gjithmonë kisha hallin mos fluksi i turistëve do të më bezdiste e s’mund ta shijoja tamam. Prandaj dimri paska qenë periudha më e duhur, sidomos janar-shkurt. Nga Vjena në Hallstatt shkohet me tren për 3 orë e gjysmë, por ne morëm makinë me qira duke qenë se ishim grup. Shumicën e kohës rruga më dukej si aksi Rrogozhinë-Fier pa asnjë gjë interesante për të parë, vetëm kur shfaqen vargjet e maleve me dëborë përpara. S’mbahet mend sa kohë kisha pa shikuar male dhe u ekzaltova shumë. I kërkova një prej shokëve të mi të ulesha në sediljen e parë. Në diskutim e sipër dolëm në konkluzionin që male kemi vetë në Shqipëri për atë punë, por këtu ndërtesat e bëjnë peizazhin të veçantë. Hallstatti fshihej në luginë rrethuar nga malet dhe një liqen. Gjire të tilla të thella ku shpatet e maleve bien thikë në det ose liqen, quhen fjorde. Kjo ishte hera e parë që përballesha me kuptimin e emrit tim. Të vizitoja fjordet e Norvegjisë ishte ëndërr e imja që e vogël, ama që do të gjeja një të tillë në Austri s’ma merrte mendja. Parkuam makinën e dolëm shëtitje. Shtëpitë karakteristike me dërrasa e çati cepa-cepa dukeshin sikur s’kishin banorë brenda. Disa prej tyre i japin me qira ose i kanë prona të dyta. Megjithatë banorët e Hallstatt ankoheshin për turistët e shumtë sepse u dukej sikur jetonin në park lojërash. Kudo mbizotëronin kinezë e japonezë. Në 2010 numëroheshin rreth 100 vizitorë në ditë, kurse tani mbi 10.000. Buzë liqenit shikojmë nga larg peizazhin e famshëm që kemi parë nga postimet e çdokujt në Instagram. Duke ecur në shëtitore doli dielli. Në mes të dimrit, 1600 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga vargmale e të ketë diell, është superluks për Austrinë. Mori komplet pamje tjetër. Shtëpitë me ngjyra të ndryshme shkëlqenin më tepër, ku disa prej tyre janë ndërtuar mbi liqen. “Sa me fat jemi more!”,- i them grupit. Duhet të keni parasysh që si fshati më i famshëm në botë çmimet janë të shtrenjta. Dëgjova dy francezë që po i ankoheshin kamerierit pse kushtonte 4.5 euro një kafe. “Eh po je në Hallstatt këtu”-ia kthehu ai. Desha t’i thosha pse andej nga Parisi juaj sa kushton kafja zotrote? Në përgjigjen e kamerierit m’u kujtua dhe komenti më i famshëm në Shqipëri “Je në Dhërmi këtu vëlla!” Bukuria e këtij vendi është që pas çdo ndërtese karakteristike me ngjyra, shfaqen shpate malesh që janë 3000 metra të larta. Ngado të ktheje kokën habiteshe me çfarë shikoje. Kisha në qendër i jepte lezet shtëpive që ndodheshin njëra pas tjetrës, por të sistemuara aq mirë. Ëndërroja të kaloja pleqërinë në një shtëpizë druri të tillë, duke soditur nga ballkoni e medituar për jetën. Tek spoti më i famshëm për të bërë fotografi duhet të prisje në radhë. Ne nuk pritëm shumë, ama të tjerë pas nesh pritën goxha se nuk e lëshoja kollaj. Nëse të shohin që je thjesht duke soditur e jo fotografuar çuditen çfarë bën kjo. Hallstatt ka qenë historikisht vend i famshëm për prodhimin e kripës dhe diku në male gjendet dhe fabrika më e famshme e kripës në Austri. Ofroheshin dhe ture me anije, por vendosëm të provonim një formë tjetër aventure. Duke qenë se fshati është i mbrojtur nga UNESCO që prej 1998, është një pikë vrojtimi pranë fabrikës ku shikon gjithë zonën në pëllëmbë të dorës. Për të arritur atje mund të merrje teleferikun që të çonte për 3 minuta, ose të ecje në këmbë. Si tipa sportivë thamë të ecnim nëpërmjet shtegut për ta shijuar më shumë. Problemi qëndronte që kishte rënë borë, e vende-vende mund të rrëshqisje kollaj fare. Le që shokët e mi s’ishin përgatitur të shkretët me atletet e duhura. Ama e pranuan sfidën për hir të pamjes fantastike nga atje sipër. Gjatë rrugës pamë dhe një ujëvarë që zbriste në fshat në formë përroi. Çdo kthesë kishte tabela apo vende për t’u ulur ku mund të pushoje. Kryefjala e informacioneve ishte fabrika e kripës, pasi ajo ka qenë mundësia e vetme fitimprurëse e zonës. Por mësova dhe që Franc Josefi ishte fejuar me Sisin këtu në Hallstat. Hoteli ku kishin kryer ceremoninë mbrohej po ashtu nga UNESCO. Ngjitja na shkoi rreth 1 orë e gjysmë. Kur arritëm në majë s’fliste asnjëri. “Ue, ue, ue!”-vetëm unë dëgjohesha që kënaqem dhe duke parë një zog duke fluturuar jo më atë madhështi të natyrës. E kanë quajtur “Pamja e Trashëgimisë Botërore” e çdo rrezik i mundshëm rrëshqitjeje gjatë shtegut ia vlente për këtë perlë! Në formë trekëndëshi vendosej pista 350 metra mbi Hallstatt. Shyqyr nuk ishte prej xhami se aty do të më merreshin mend. Në majën e trekëndëshit të dukej sikur po qëndroje pezull në ajër. Një moment mendova mos kanë dashur të imitojnë dhe ndjesinë e Titanikut. Teleferiku i fundit për në qytet zbriste në 4:30, prandaj patëm mundësinë ta shijonim vetëm për vete sepse shumica e njerëzve ikën. Thonë që zbritja është më e vështirë se ngjitja, prandaj e morëm me avash që mos të thyenim qafën. Shpesh këmbët e mia i merrte dëbora nëpër ngrica e po zbrisja me frena dore. Ndërkohë ktheja kokën për të parë nga liqeni, vetëm kur shfaqet dielli përsëri në malet përballë. Duke perënduar pas malit ku ishim ne, përballë shikoje konturet e tij. “Kjo ishte pjesa më e bukur e ditës”- i komentoj shoqërisë. Ndalova disa herë vetëm për ta parë si largohej ndriçimi nga lugina. Një ditë me borë, diell, mal dhe liqen në Hallstatt më bëri të kuptoj sa pak rëndësi kanë momentet që lodh kokën duke menduar budallallëqe pa lidhje. Vetëm kaq më duhet t’i bëj restart trurit. Merrni kohe e vlerësoni natyrën shokë!/dritare.net