Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ja si po i përzëmë investimet e huaja nga Shqipëria!

Ja si po i përzëmë investimet e huaja nga Shqipëria!

Në Qershor të 2019-ës, shoqata e investitorëve të huaj (FIAA) publikoi rezultatet e një raporti ku me keqardhje pranohej, se klima e biznesit në Shqipëri vazhdon të jetë e pafavorshme edhe këtë vit për investitorët e huaj. Për koincidencë, në të njëjtin muaj, në Miami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejtues të kompanisë International Cruise Duty Free (ICDF) po festonin fitoren e tenderit për menaxhimin e zonës “Duty Free” të Aeroportit “Nënë Tereza.”

Por kjo kompani, me një sërë veprimtarish të suksesshme dhe legjitime në Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Latine, fatkeqësisht nuk e dinte, që shampanja e fitores do t’i kthehej në ujin e ftohtë që do t’u përplasej në fytyrë, brenda pak javësh, kur kompania të përballej me anën e errët dhe të shëmtuar të biznesit në Shqipëri, që siç e pohon me trishtim FIAA, ka larguar shumë investitorë të huaj nga vendi ynë.

Historiku i tenderit për “Duty Free Zone”

Në Nëntor të vitit 2018, Aeroporti “Nënë Tereza” shpalli një tender për menaxhimin e zonës “Duty Free” në transit. Për të tërhequr sa më shumë të interesuar, këtë tender stafi menaxherial i Aeroportit e publikoi edhe në faqe ndërkombëtare. Në këtë tender, sipas afatit të publikuar, 7 Dhjetor 2019, paraqitën interes 10 kompani, por vetëm 7 prej tyre paraqitën ofertë brenda afatit të publikuar të 21 Janarit 2019, një prej tyre edhe ICDF.

Pjesë e këtij tenderi ishte edhe kompania shqiptare Albanian Duty Free Distribution (ADFD), i cila e ka menaxhuar që në vitin 2007 hapësirën Duty Free në terminalin e ri të Aeroportit “Nënë Tereza”. Sipas procedures, ADFD u njoftua me shkrim nga TIA, në datën 22 Shkurt që kishte humbur tenderin.

Në datën 3 Qershor të vitit 2019, Presidenti Lucio Suoto dhe Zv. Presidenti Ekzekutiv Marco Gaviria, marrin një letër zyrtare nga Aeroporti “Nënë Tereza” ku njoftohen për fitoren e tenderit. Kjo letër do të shënonte hapin e parë, që sipas rregullave, do të vijonte me një proces negociimi deri në firmosjen e kontratës nga të dy palët.

Gjithçka po ecte sipas rregullave me investitorin amerikan. Kontrata u firmos dhe deri në 1 Nëntor të vitit 2019, sipas kësaj kontrate, ICDF duhet të mbaronte të gjithë fazën e ristrukturimit të zonës “Duty Free”, ndërsa kompania shqiptare ADFD duhet të lironte ambientin brenda datës 27 Gusht 2019, datë kur përfundonte edhe kontrata e qerasë.

Ballafaqimi me realitetin shqiptar: ICDF bllokohet nga ish-administratorët

Shtator 2019. Duty Free në Aeroport i ka qepenat e mbyllur. Brenda asgjë nuk ka ndryshuar, sepse fituesja e ligjshme e tenderit, ICDF, nuk futet dot. Zona është bllokuar nga kompania shqiptare ADFD, që nuk pranon të dalë, duke aluduar pa asnjë lloj fakti se tenderi është i parregullt dhe se atyre u takon e drejta e administrimit edhe për 5 vitet e ardhshme. Administrator aktiv i kësaj kompanie është Altin Rrogozhina, ndërsa administratore pasive (zotërues pasiv i kuotave) është Elona Çaushi. Znj. Çaushi kaloi në këtë pozicion pasiv, në 1 Qershor të vitit 2015, pas martesës me gjykatësin Gjin Gjoni, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në bazë të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, Çaushi e thënë me fjalë të thjeshta “do të merrte pjesën e saj të fitimeve” por nuk kishte asnjë të drejtë të përfshihej drejpërdrejt në vendimmarrje, negociata etj.

Por zonja Çaushi, e cila edhe në vitin 2019 vazhdon të jetë e martuar me z. Gjoni që në Tetor të vitit 2018, ka marrë leje lindjeje 2-vjeçare, pra është ende anëtar i KLD-së (ku është paraqitur për të votuar në Qershor 2019), nuk e mori në konsideratë këtë shkelje ligjore.

Menjëherë pas marrjes së letrës zyrtare të refuzimit në datën 22 Shkurt 2019, herë në emrin e saj, herë në emrin e administratorit Erjon Hastoçi, znj. Çaushi nisi një fushatë të pabazë dhe shpesh denigruese ndaj personave të përfshirë legjitimisht ose të papërfshirë në proçedurën e tenderit.

Pronarja pasive e ADFD-së refuzoi ta njihte fituesin e një tenderi, ku kompania e saj -aktualisht debitore me një shumë prej 6 shifrash ndaj Aeroportit “Nënë Tereza”– e humbi.

Në një komunikim të datës 17 Maj 2019 me TIA-n (3 muaj pasi kishin marrë përgjigjen për humbjen), nëpërmjet administratorit të kompanisë së saj, Erjon Hastoci, znj. Çaushi siguronte se nëse ata do të vazhdonin të ishin ende administratorë, mund të shpejtonin (ndryshe thyenin rregullat) proçedurën e rinovimit të licensës nga Ministria e Financave, që sipas ligjit duhet të jetë të paktën 30 ditë.

Në pamundësi për të negociuar me TIA-n - e cila në të gjithë komunikimit e saj nëpërmjet përfaqësuesve ligjore gjatë muajve Maj-Shtator 2019, e ka bërë vazhdimisht të qartë me fakte që administrimi 12-vjeçar i ADFD-së mbaroi dhe ICDF është zyrtarisht fituese dhe i takon asaj administrimi nga 1 Nëntori i 2019- znj. Çaushi, tashmë po përpiqet “të kapet” tek terreni shqiptar, aty ku siç ajo e pohoi vetë nëpërmjet administratorit të saj, “ka fuqi të shpejtojë proçedurat”

Pushteti mbi shtetin

Për të argumentuar se liçensa për të administruar zonën “Duty Free” i përkiste ADFD-së edhe për 5 vitet e ardhshme, znj. Çaushi në një letër drejtuar bordit të TIA-s dhe të nënshkruar nga vetë ajo, në datën 15 Korrik 2019, citoi nenin 248 të rregullores së Doganës dhe vendimin e Këshillit të Ministrave me numër 199/2017 ku thuhej se nëse Ministria e Financës nuk njofton 60 ditë përpara mbarimit të afatit të licencës, licensa rinovohet automatikisht.

Siç edhe e kishte parashikuar në komunikime të mëparshme me TIA-n, kompania e znj. Çaushi arriti ta rinovonte liçensën pranë Ministrisë së Financave, firmosur nga zv/ministri Elton Haxhi brenda 6 ditëve nga protokollimi i kërkesës. Kjo “shpejtësi” në aprovim ndodhi falë manipulimit që znj. Çaushi kreu gjatë proçedurës.

Në bazë të Nenit 634, Pika 6 e VKM 651 mbajtësi i autorizimit, në këtë rast ADFD, “duhet të informojë Ministrin përgjegjës për financat dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për të gjitha faktorët e dalë pas dhënies së autorizimit, që mund të ndikojnë në vazhdimësinë apo përmbajtjen e tij.” Në këtë rast, ADFD e kishte të detyrueshme të informonte Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave (DPD) për dy ndryshimet thelbësore si : Humbja e tenderit për administrimin e zonës “Duty Free” për të cilën ka edhe liçensën dhe mbarimi i kontratës së qerasë me TIA Airport në fund të muajit Gusht. Por duke ditur që këto ishin dy arsye shumë të forta dhe do të mjaftonin që liçensa të mos i rinovohej më, Znj. Çaushi preferoi të mos e vë në dijeni DPD-në dhe në këtë rast shkeli ligjin me synimin e vetëm që të paktën të ketë këtë liçensë, si armën e vetme për të mbajtur peng aeroportin. Vendimi i Ministrisë së Financave, nga ana tjetër edhe pa dijeninë e këtij informacioni, rezulton të jetë anti-ligjor, nëse do t’i referohemi letrës zyrtare që TIA i dërgoi në datën 26 Gusht 2019, ministres Anila Denaj, ku kërkoi anullimin e rinovimit të liçensës. Sipas kësaj letre, leja është e pavlefshme, për sa kohë rinovimi ka shkelur dispozitat urdhëruese të VKM nr.651 të datës 10.11.2017, ku parashikohet që për të rinovuar liçensën, aplikanti duhet të kept një kontratë qiraje të vlefshme dhe një planvendosje të dyqanit si edhe vendin e magazinimit. Sipas TIA-s, kontrata e qerasë përfundon në datën 27/08/2019, ekzaktësisht 11 ditë, pasi Ministria aprovoi lejen dhe në momentin e dorëzimit të kërkesës për leje, TIA tashmë kishte lidhur kontratë me ICDF-në.

Pushteti mbi gjykatën

Në një akt të paprecedent, në datën 1 Gusht 2019, në gjykatën e Rrethit Gjyqësor në Tiranë, nën drejtimin e gjykatëses Mimoza Kajo-Brahimi dhe pa vënien në dijeni të palës së paditur, TIA, merret një vendim për vazhdimin e aktivitetit të ADFD në zonën e tranzitit në Aeroportin “Nënë Tereza “deri në zgjidhjen përfundimtare të padisë.” Ky është një vendim arbritrar, që vlen të denoncohet tek Komisioni i Pavarur i Kualifikimit . Gjykata e Tiranës e përbërë nga gjyqtarja Mimoza Kajo Brahimi, e ka shqyrtuar kërkesën pa e njoftuar shoqërinë TIA shpk. me qëllim shtrembërimin e gjykimit dhe për të patur më të thjeshtë të arrijë në një vendim absurd si ky i marrë prej saj. Përpos shumë shkeljeve, vendimi ishte qartazi në kundërshtim me kuptimin e “masës për sigurimin e padisë” sipas nenit 202 të Kodit të Procedurës Civile, siç është arsyetuar në vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.10 datë 24.03.2004 ku thuhet tekstualisht : “Masa e sigurimit nuk mund të merret për t’u rivendosur gjendja e mëparshme kontraktore midis palëve, ashtu siç ka ekzistuar para lindjes së mosmarrëveshjes.”

Për koincidencë, në të njëjtën datë, 1 Gusht 2019, në të njëjtën gjykatë, është paraqitur po e njëjta kërkesë nga ADFD ku gjyqtar i çështjes ka qënë gjyqtari Arjan Aliaj dhe ku personi i tretë (Tirana International Airport) ishte njoftuar dhe përfaqësohej në gjykim nga Ilir Alimema. Por kjo seancë u pezullua dhe sipas vendimit zyrtar “ADFD edhe pse kishte dijeni rregullisht nëpërmjet njoftimit me telefon, nuk u paraqit në gjykim dhe nuk ka paraqitur ndonjë shkak për mosparaqitjen” Shkaku ishte gjykimi abuziv që po zhvillohej paralelisht në një dhomë tjetër vetëm me pjesëmarrjen e ADFD-së.

Pushteti mbi mediat

Paralelisht me luftën ligjore nga znj. Çaushi kundër TIA-s, për koincidencë, gjatë muajit Shtator 2019, në mediumin gazeta-shqip.al, nisi një fushatë kundër TIA-s duke shënjestruar partnerë dhe ish-drejtues të këtij aeroporti. Të paraqitura si investigime, shkrimet sërish “koincidencialisht” kishin në përmbajtje të njëjtat aludime që znj. çaushi vetë ose nëpërmjet administratorit, kishte paraqitur në komunikimet zyrtare me TIA-n.

Shkrimi i fundit, i datës 16 Shtator 2019, me titull “Tenderi i DutyFree në Rinas, kolumbiani Rolf Castro, eleminoi kompanitë prestigjioze ndërkombëtare” përveçse aludonte për skenarë të pavërtetë dhe lehtësisht të verifikueshëm nëse pala e akuzuar do të pyetej sipas standarteve të investigimit gazetaresk, përmbante edhe nuanca raciste - duke theksuar pa asnjë lloj arsyeje që do të ndihmonte “investigimin” origjinën kolumbiane të ish-drejtorit ekzekutiv të “TIA” Rolf Castro dhe të drejtorit ekzekutiv të ICDF “pronari i të cilës është nga Amerika Latine” (për dijeni: 56.6 milionë shtetas amerikanë kanë origjinë nga vendet latine). Nëse znj. Çaushi është burimi anonim prapa këtyre shkrimeve në gazeta-shqip.al, duke marrë parasysh edhe periudhën kur botohen këto shkrime, por edhe faktin që ADFD është e vetmja kompani që ka paraqitur ankesë pas tenderit, çuditërisht dyshimet që hidhen në artikull për proçedurën e tenderimit, bien ndesh e me letrën që Z. Hastoçi, administrator i ADFD-së, i dërgon aeroportit ndërkombëtar në datën 8 Shkurt 2019, ku shpreh besimin e tij se procesi i tenderimit ishte shumë transparent dhe i drejtë.

Edhe për sa do të vazhdojmë të trembim investitorët e huaj?

Shtatori po mbaron dhe kompania ICDF tashmë duhet të ishte në mes të punimeve për ristrukturimin e zonës Duty Free, për ta hapur për pasagjerët e Tranzitit në 1 Nëntor. Fitues sipas të gjithë rregullave, drejtuesit e kësaj kompanie presin se kur do të marrë fund ky kalvar situatash të pazakonta për ta, por fatkeqësisht të zakonshme për ne.

Tirana International Airport e konsideron marrëveshjen me ADFD-në të përfunduar pa asnjë kthim mbrapa dhe me të drejtat e saj legjitime, duke zbatuar çdo rregullore të brendshme apo të shtetit ku operon, TIA kërkon t’i japë fund kësaj loje të shëmtuar e të pakuptimtë, që është e humbur nga ana e ADFD-së, por po zgjat mjaftueshëm për t’i treguar ICDF-së dhe kompanive të tjera ndërkombëtare, që në investime të ardhshme të hedhin sytë në Maqedoni apo Mal të Zi, atje ku “Maliqët” nuk janë mbi ligjin, ku bizneset kuptojnë që në një garë ka dhe humbës, dhe për më tepër, aty ku qytetarët ndihmojnë dhe nuk pengojnë dot rritjen ekonomike të një vendi.